Shembja e tunelit kushtoi 30 milionë euro ekstra
Ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, u shpreh i gëzuar për punën cilësore që kishte bërë kompania që menaxhoi shembjen e një pjese të tunelit në Thirrë. Në deklaratën për mediat, ministria pranoi se problemet e fundit të paparashikuara kishin shkaktuar një kosto shtesë prej 30 milionë eurosh. Sa i takon pagesës për kalimin e rrugës, ministri garantoi se nuk ka asnjë vendim. “Ju e patë vetë që nuk ju kërkoi njëri lek kur kaluat tunelin”, ishte batuta e ministrit. Megjithëse qeveria shqiptare nuk ka vendosur për aplikimin e tarifave, nuk do të thotë se në të ardhmen tuneli do të përshkohet falas. “Janë disa variante që po shqyrtohen, ku kryesori mbetet gjetja e një kompanie që do ta mirëmbajë, me paratë e shtetit. Nuk përjashtohet mundësia e dhënies me koncesion, jo vetëm për tunelin, por për të gjithë rrugën Rrëshen-Kalimash”, tha një zyrtar i ministrisë. “Besoj që sot është një ditë shumë e mirë, duke qenë bashkë me pothuajse të gjithë përfaqësuesit e medias të Shqipërisë, por di që ka edhe shumë nga Kosova, të cilët kanë ardhur në hapjen e galerisë jugore të tunelit të Thirrës dhe në vënien në shfrytëzim përsëri të të gjithë segmentit rrugor të Korridorit Milot-Morinë, që tani ka filluar të vazhdojë dhe nga Morina drejt Prishtinës dhe Mërdarit”, tha ministri. Nga studimet e fizibilitetit të kryera përpara se rruga të ndërtohej, parashikohej një trafik prej 4 mijë mjetesh në ditë, ndërkohë që vjet arriti kulmin me 12 mijë mjete në ditë dhe parashikohet të arrijë në 16 mijë mjete në ditë.
#