E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raffaele Nigro: Një libër kujtimesh për Shqipërinë e tranzicionit

I pranishëm në Tiranë, në një takim me shkrimtarë shqiptarë dhe italianë, Raffaele Nigro flet për letërsinë, për një lexues që po u largohet librave, për personazhet e tij shqiptarë dhe një libër që do të botohet së shpejti nga “Toena”, bazuar në ditarin që mbajti pas vizitës në 1990

Raffaele Nigro e njeh shumë mirë realitetin shqiptar të pas ‘90-s. Shkrimtari italian, pas vizitave të para, e sheh tashmë këtë vend si një “laborator historik”. Sheh se si mund të ndryshojë një vend, një popull, si evoluon historia. Nigro ishte i pranishëm në konferencën “Letërsia dhe integrimi”, organizuar dje në kuadrin e aktiviteteve “Shqipëri-Itali 2010: Dy popuj, një det, një miqësi”, një takim me shkrimtarë shqiptarë italofonë dhe shkrimtarë italianë. Raffaele Nigro është skeptik kur flet për rolin e letërsisë në integrimin e një populli. është po ashtu dyshues për letërsinë si formë komunikimi në botën e sotme, por sërish vazhdon të shkruajë. “Për ves, për zakon shkruaj. Por edhe sepse e shkruara është mjeti i komunikimit që nuk do të vdesë kurrë”, thotë ai.

Zoti Nigro, kjo nuk është vizita juaj e parë në Shqipëri...

Për herë të parë unë kam ardhur në Shqipëri në vitin 1990, kur vendi ishte nën regjimin e Ramiz Alisë. Pata ndjesi të bukura dhe të shëmtuara në të njëjtën kohë. Kisha ardhur në një vend që dukej parajsa tokësore. Rruga me një korsi që të çonte nga Rinasi në Tiranë kalohej nga kafshë të ndryshme: dele, lopë por edhe pula. Anës shihje fusha ku gratë punonin dhe burrat rrinin shtrirë në tokë, ose nën hijen e ndonjë peme. Atëkohë më bëri përshtypje prania e këtyre kafshëve edhe brenda në qytet. Kishte shumë pak makina, në mbrëmje kur dilje të shëtisje shihje shumë të rinj, por në një heshtje... gati si heshtje pritjeje. Njerëzit ishin si të shuar. Për një si unë, që kishte marrë pjesë në revoltat e ‘78-s dhe kishte besuar në mundësinë e komunizmit, në mundësinë e transformimit që mund ta sillte sistemi sovjetik, impakti me këtë realitet kaq të ngurtësuar dhe të heshtur ishte shumë i ashpër. Për këtë unë nisa edhe të rishihja pozicionim tim politik. Nisur nga situata që gjeta, me t’u kthyer në Itali nisa të mendoja për takimin mes shkrimtarëve të dy anëve të Adriatikut, për të parë se çfarë mund të bënim ndryshe. Këtu ishte i ndaluar qarkullimi i librave të psikologjisë, apo atyre që tregonin Perëndimin. Më pas u ktheva edhe shtatë apo tetë herë dhe gjithnjë vendi ndryshonte.

Si e gjeni sot?

Tirana ka ndryshuar shumë. Aty ku më parë kishte kafshë, tani ka makina. është një qytet që kërkon të bëhet një kryeqytet europian. Unë shpresoj që Edi Rama të mos e prishë qendrën historike, sepse është bukur të lihen gjurmët e një vendi në evoluim, në transformim. Pashë që edhe qytete këtu përreth kanë bërë hapa të mëdhenj. Për shembull në Krujë, në vitet ‘90 dhe ‘93 nuk kishte mallra në shitje, ndërsa sot është bërë një vend turistik me pazarin karakteristik, ku unë shkoj shpesh për të blerë pjesë antikuariati.

Arsyeja e vizitës së radhës është letërsia. Mendoni se letërsia ndihmon në integrimin e një populli?

Në këtë konferencë u tha se ky është takimi i parë mes shkrimtarëve shqiptarë dhe italianë. Në fakt nuk është kështu. Ka pasur një takim të parë të organizuar nga “Fiera del Levante” kur ky aktivitet vinte këtu në përpjekje për të nisur marrëdhëniet ekonomike me vendin tuaj. Po flasim për fundin e viteve ‘90. Pastaj ka pasur mundësi të tjera takimi dhe këtu kthehemi pas këtyre marrëdhënieve të nisura tashmë. Unë mendoj se sot letërsia mund të ndihmojë, por ndihmon pak, sepse njerëzit lexojnë pak. Atëherë, rrjedhimisht ajo ndihmon për të integruar ata pak që duan leximin dhe letërsinë. Bëhet fjalë për lexues të fortë dhe për njerëz që janë plot mundësi. Integrimi real, nëse do të ndodhë, vjen nga kontakti mes popujve. Këtë fakt e kanë treguar të gjitha fazat e historisë. Letërsia mund t’i ndihmojë ata njerëz që lexojnë ende, por deri diku mund të zëvendësohet edhe përmes mjeteve të ndryshme të komunikimit masiv, siç është televizioni. Letërsia për fat të keq mbetet ende një prodhim elitar. Ajo mund të përhapet ndoshta më shumë përmes shkollës, ku të rinjtë janë të detyruar të lexojnë.

Tashmë ka disa shkrimtarë shqiptarë që shkruajnë italisht dhe kanë arritur suksese. Si e shihni përfshirjen e tyre në letërsinë italiane?

Po, në Itali është një fenomen i njohur tashmë. Një ndër të parët që nisi të shkruajë italisht ishte Ron Kubati. është një fenomen që është rritur në mënyrë të frikshme, sepse ka pasur emigrantë që kanë nisur të shkruajnë në gjuhën e vendit ku kanë emigruar, por pastaj është edhe gjenerata e atyre që kanë lindur në Itali e që shkruajnë gjuhën e vendit ku kanë lindur, pavarësisht origjinës. Mendoj se është mirë që shkruhet në gjuhën tonë, por mendoj edhe që ne i shikojmë gjërat nga shumë afër, jemi tepër miopë. Ka shumë shkrimtarë, edhe në kohë të ndryshme, që vinin nga vende të huaja dhe shkruanin latinisht, duke e bërë të njohur këtë gjuhë në vendet e tyre. Gjithmonë ka qenë kështu. Gjithmonë ka pasur shkrimtarë që i janë përshtatur gjuhës së vendeve më të pasura apo të popujve që në një farë mënyre fitojnë. Edhe ne në Itali po i përshtatemi gjuhës angleze. Gjuha italiane po bëhet shumë e varfër. Shkrimtarët përdorin 200 apo 300 fjalë, gjithnjë të njëjtat. Ne nuk e njohim më gjuhën tonë, ndërsa jemi të gatshëm të mësojmë gjuhë që na lejojnë të dalim jashtë.

Në librat tuaj takojmë personazhe shqiptarë të shekujve të shkuar. Pse shkoni kaq larg në histori?

Unë kam shkruar romanin “Baronesha e Oliventos” në vitin 1990, ku tregoj pikërisht arratisjen e parë të shqiptarëve në Itali, rreth fundit të viteve 400. Përse më pëlqeu ta tregoj këtë histori? Sepse në rininë time unë kisha në shkollë djem që flisnin një gjuhë të çuditshme. Në vendin tim i quanin “gegena”. Unë e kuptoja këtë fjalë. Ata e njihnin italishten, por flisnin edhe këtë gjuhë, që ishte një dialekt shumë i mbyllur. Ishin të rinj arbëreshë. Kjo më bëri mjaft kureshtar dhe më shtyu të studioja për të kuptuar më mirë. Zbulova ekzistencën e Skënderbeut, faktin që ai kishte qenë një vasal i mbretit të Napolit, që kishte ardhur në Pulja dhe kishte mbështetur betejën e Barletës, që e shoqja pas vdekjes së Skënderbeut zgjodhi të kalonte vitet e fundit të jetës së saj në oborrin e Napolit. Të gjitha këto më entuziazmuan dhe më bënë për vete, ndaj edhe e shkrova këtë roman. Personazhet e mi zgjuan interesin e medias shqiptare dhe pas disa takimeve unë mësova që te ju ekzistonin dy dialekte: gegërishtja dhe toskërishtja. “Gegena” ishte ndoshta transformim i fjalës që përkufizonte këtë dialekt.

Pas pak kohësh, shtëpia botuese “Toena” do të nxjerrë një libër tuajin me përmbledhje të artikujve që keni shkruar mbi Shqipërinë. çfarë do të përfshihet në të?

Në vitin 1990, kur erdha këtu, mbajta një ditar të vogël. Unë njoha Ismail Kadarenë, Dritëro Agollin, Besnik Mustafajn, Pirro Mishën, një bërthamë historike. Kur vij këtu, mallëngjehem gjithmonë, sepse për mua Shqipëria ka qenë një vend që më ka shoqëruar në këto vite, që më ka ndihmuar në rritjen time. Do më pyesni se përse Shqipëria, kur në fund të fundit unë kam vizituar Amerikën dhe vende të tjera. Një njeri zgjedh një vend si më idealin për të ndjekur evoluimin e historisë. Kur erdha pardje në mbrëmje, shikoja të transformuar aeroportin, me statujën e Nënë Terezës dhe më vinte një mallëngjim i thellë... Po më ndodh edhe tani që po flasim. Me të vërtetë, kam pasur dhe kam miq shumë të mirë këtu. Pastaj, kur në vitin 1991 erdhi anija “Vlora” e stërmbushur me të rinj, unë shkova në Portin e Barit me një telekamerë në dorë, por më dukej se papritmas ai dinjiteti i madh që gjeta në popullin shqiptar herën e parë që erdha këtu, po binte përpara një skene ferri që nuk do të kisha dashur kurrë ta shihja. Më pas gjërat ndryshuan pak nga pak. Këto do të përshkruhen në libër, ato që kam përjetuar.

Më lart ju thatë se sot nuk lexohet më. Përse shkruani atëherë?

Sepse kemi lindur me këtë lloj mjeti shprehës. E keni parë se si të rinjtë e sotëm kanë tendencë të shkojnë pas telekamerës, pra të shkruajnë përmes imazhesh, me këtë gjuhë të re shprehëse? E shikoni se po braktisin gjithnjë e më shumë librin dhe shkojnë pas e-book, internetit, apo blogjeve. Ata shkruajnë, por në një mënyrë tjetër nga ajo që kemi përdorur ne. Libri nuk do të vdesë kurrë, por të rinjtë janë mësuar të flasin përmes “Facebook”-ut. Ju më pyesni përse vazhdoj të shkruaj... Për ves, për zakon shkruaj. Por edhe sepse e shkruara është mjeti i komunikimit që nuk do të vdesë kurrë.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›