Durrës, parkohen makinat e rralla të viteve 30
Dyzetepesë makina klasike me pilotë nga i gjithë rajoni, Greqia, Italia, Maqedonia, Bullgaria, Mali i Zi, Turqia dhe Shqipëria kanë mbërritur në sheshin kryesor të qytetit të Durrësit. Kjo ka zgjuar kërshërinë e qytetarëve, që për herë të parë bëhen pjesë e një aktiviteti automobilistik, i cili synon të krijojë dhe forcojë lidhjet mes popujve dhe kulturave të ndryshme, si dhe të promovojë turizmin e qyteteve bregdetare dhe historike. Presidenti i Federatës Shqiptare të Automobilizmit, Arjan Kapidani, thotë se dhe vendi ynë prezantohet në këtë garë me dy makina, njëra prej tyre është një “Citroen” prodhim i viteve '30. Të gjitha makinat pjesëmarrëse në garën e parë të rregullsisë në Shqipëri, “Adriatik & Ionian Classic Rally”, janë të prodhuara në fillim të shekullit të kaluar dhe deri në vitin kufi 1981. Mbërritja e tyre në Durrës përkon dhe me çeljen e sezonit turistik dhe në vijim të këtyre aktiviteteve u zhvillua dhe koncerti recital i këngëtarëve Manjola Nallbani dhe Kastriot Tusha, në Amfiteatrit Antik të qytetit bregdetar. Të shtunën paradite do të bëhet nisja e makinës së parë nga Durrësi drejt qytetit 2700-vjeçar të Beratit, ku pas një vizite në këtë qytet gara do të vijojë drejt Vlorës dhe bregdetit jonian, për t'u mbyllur me një mbrëmje gala në Sarandë, ku do të shpallen dhe rezultatet finale dhe do të ndahen çmimet.
#