E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembje gurësh në minierën e Martaneshit, vdes minatori

Një tjetër minator ka humbur jetën teksa punonte në brendësi të minierës. Ngjarja e rëndë është shënuar mëgjesin e sotëm në një prej galerive të Martaneshit. Mësohet se 61 vjecari, Gani Doçi, është zënë poshtë nga një masiv dheu në brendësi të galerisë, teksa punonte në thellësi të minierës.

Si pasojë, minatorit fillimisht i janë dëmtuar gjymtyrët dhe kishte thyer shtyllën kurrizore, por plagët e rënda që kishte marrë në trup, por edhe mungesa e ndihmës së shpejtë ndikuan që minatori të mos mbijetonte dhe të ndërronte jetë pak orë pas ngjarjes. Mësohet se minatori është dëmtuar rreth orës 8 e 30 minuta, ndërsa një ambulancë nga Bulqiza ka mbërritur rreth orës 11:00, por mosndërhrja në kohë nga ana e mjekëve i ka shkaktuar atij hemoragji të brendshme rrugës për në spital, duke ndërruar jetë.

61 vjecari Gani Doçi ishte babai i 5 fëmijëve dhe punonte prej rreth 30 vitesh në thellësi të minierave për të siguruar të ardhurat e vetme fiannciare. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes, ku ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave. Ky nuk është rasti i parë që minatorët plagosen, apo humbin jetën në brendësi të minierave, pasi mungesa e kushteve teknike dhe sigurisë në punë ka marrë jetën e disa personave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›