E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembujt, si maten koeficientët për tatimin mbi pronën

Ministria e Financave përcakton vlerat sipas rasteve konkrete. Shembujt janë referencë për çdo pronë në rang republike

Ministria e Financave ka rishikuar kushtet e saj për çmimin minimal të trojeve në të gjithë vendin. Sipas të dhënave zyrtare nga kjo Ministri, ky udhëzim do të ngelet në fuqi të paktën edhe për një vit më vonë, ndërsa në përllogaritjen e çmimit minimal të trojeve detajohen në mënyrë të plotë të gjithë parametrat dhe tarifat përkatëse për çmimin dysheme të tokës, por edhe për mënyrën e përllogaritjes së tatimit mbi vlerën e shtuar për rastet e shitjes së pronës. Vlera në shitje e pasurisë së paluajtshme përcaktohet në kontratën e noterizuar të shitjes, e cila është firmosur nga palët (shitësi dhe blerësi). Kontrata duhet të shprehë sipërfaqen në metër katror të pasurisë, çmimin për metër katror dhe vlerën e saj. Kontrata duhet të jetë e shoqëruar me hartën, planimetrinë dhe dokumentet e tjera, që shërbejnë për regjistrimin e pasurisë së paluajtshme. Në rastet kur individi kalon pronësinë, për herë të dytë e në vazhdim, për efekt të llogaritjes së fitimit kapital të realizuar do të merret diferenca midis vlerës së shitjes dhe vlerës së blerjes e përcaktuar në kontratën paraardhëse.”Një shoqëri ndërtimi i ka shitur individit A një apartament me vlerën 5 milionë lekë. Ky individ e shet këtë apartament pas disa vjetësh te një individ tjetër B për 6 milionë lekë. Individi A do të tatohet me 10 për qind të diferencës midis vlerës së shitjes 6 milionë lekë dhe vlerës së blerjes 5 milionë lekë”, - përcakton udhëzimi. Tatimi 10 për qind mbi pasuritë e paluajtshme do të zbatohet edhe për banesat që nuk kanë në kontratat e tyre vlerë blerjeje. Pjesa më e madhe e këtyre kontratave, në të cilat janë blerë pasuri të paluajtshme pa një vlerë të caktuar në kontratë, u korrespondojnë viteve 1995-2003. Për të realizuar këto transaksione, për të cilat tashmë duhet një vlerë fillestare çmimi, qeveria ka ribotuar disa nga vendimet e marra nga ana qeverive të viteve të ndryshme dhe Entit Kombëtar të Banesave për çmimet mesatare që do të përdoren. Gazeta ka publikuar çmimet minimale për të gjitha vitet, përdorimi i të cilave është i detyrueshëm në të gjitha rastet kur çmimet e deklaruara janë më të ulëta. Ndërsa përsa u përket blerjeve të banesave, të cilat nuk kanë një vlerë në blerje, çmimet e referencës do të bazohen kryesisht në vendimet e marra nga Enti Kombëtar i Banesave.

Si bëhet kalimi i së drejtës së pronësisë

Në rastin e kalimit të së drejtës së pronësisë mbi tokën, për efekt të përcaktimit të detyrimit tatimor, si çmim minimal i shitjes do të merret çmimi i përcaktuar në Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.555, datë 29.8.2007, në Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.653, datë 29.09.2007 dhe në Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.139, datë 13.2.2008, në Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.1620, datë 26.11.2008, si dhe në ndryshimet përkatëse ligjore që mund të bëhen në këto akte, ndërsa si çmim minimal në blerje do të merret çmimi i llogaritur sipas indeksimit të çmimit të tokës me inflacionin sipas Shtojcës Nr.2, bashkëlidhur këtij udhëzimi.
Shembull:
Një banor i fshatit X ka përfituar 10.000 m2 tokë bujqësore me Ligjin Nr.7501, datë 19.7.1991, “Për tokën”, i ndryshuar, në vitin 1994. Në momentin e marrjes së tokës, personi X nuk ka paguar asnjë vlerë në blerje. Në vitin 2009 ky person do të shesë tokën. Tatimi mbi kalimin e së drejtës së pronësisë llogaritet:
Supozojmë se çmimi i shitjes së tokës, sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave në fuqi, në fshatin X, në vitin 2009, është 1320 lekë/m2. Për të llogaritur çmimin minimal fiskal të blerjes të tokës, çmimi i shitjes për 1320 lek/m2 pjesëtohet me indeksin e inflacionit sipas vitit përkatës në Shtojcën Nr.2 bashkëngjitur.
Konkretisht :
Për vitin 1994, indeksi e inflacionit është 2.49, pra çmimi i blerjes për vitin 1994 është 1320:2.49= 530.1 lek/m2
Tatimi për kalimin e së drejtës së pronësisë për shitjen e 10.000 m2 tokë bujqësore është: = 10% x (1320 lekë/ m2 – 530.1 lekë/ m2) x 10.000 m2
= 10% x (789.9lekë/ m2) x10.000 m2
= 789 900 lekë.

Përllogaritja e tatimit për truallin dhe ndërtesën

Në rast të shitjes njëkohësisht të tokës truall dhe të ndërtesës njollë brenda këtij trualli, detyrimi tatimor llogaritet në bazë të shumës së detyrimit tatimor të shitjes së ndërtesës dhe detyrimit tatimor të shitjes së tokës truall.
Shembull:
Një individ X ka në pronësi të tij një ndërtesë që është ngritur mbi një sipërfaqe toke prej 100 m2 si dhe një sipërfaqe truall të lirë 300 m2 përreth kësaj ndërtese.
Detyrimi tatimor = Detyrimi tatimor i llogaritur për ndërtesën (200 m2, 2 kate sipërfaqe ndërtimi) + detyrimi tatimor i llogaritur për truallin sipërfaqe e lirë prej 300 m2.
Në rastin e këmbimit të pronësisë së një sipërfaqeje trualli prej 100 m2 tokë me një sipërfaqe ndërtimi supozojmë 120 m2, nuk ka detyrim tatimor për t’u paguar, bazuar në Nenin 11, pika 1 të ligjit. Për rastin e shitjes së kësaj toke prej 100 m2 (e cila jepet për ndërtim), detyrimi tatimor do të jetë i barabartë me detyrimin tatimor të ndërtesës për 120 m2. Ky detyrim tatimor përcaktohet si diferencë midis çmimit të tregut dhe çmimit minimal fiskal, shumëzuar me sipërfaqen e ndërtimit x 10%.
Në rast të kalimit të pronësisë së një sipërfaqjeje trualli të fituar në formën e pasurisë së bashkuar, ku çmimi ka qenë në tërësi për pasurinë e bashkuar, ndërtesë plus truall, detyrimi tatimor që do të paguhet llogaritet si me ilustrimin e shembullit të mëposhtëm:
Shembull:
Një individ X në vitin 2002 ka blerë 300 m2, nga të cilat 100 m2 është ndërtesë dhe 200 m2 është truall. Për këtë pasuri të bashkuar, individi ka paguar çmimin në blerje 3 000 000 lekë.
Në rast se individi në vitin 2009 do të shesë vetëm 50 m2 të sipërfaqes truall, atëherë detyrimi tatimor për kalimin e së drejtës së pronësisë për këtë sipërfaqe do të llogaritet:
Tatimi = 50 m2 x 10% * (çmimi minimal i shitjes për m2 së truallit të vitit 2009 sipas vendimit të Këshillit të Ministrave në fuqi - (çmimi minimal në blerje për m2, i llogaritur sipas indeksimit të çmimit të tokës me inflacionin sipas Shtojcës Nr.2).
= 50 m2 x 10% x [(çmimi minimal i shitjes për m2 së truallit të vitit 2009 sipas vendimit të Këshillit të Ministrave në fuqi - (çmimi minimal i shitjes për m2 të truallit të vitit 2009 / 1.19)].

4 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›