E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shembulli shqiptar për heqjen me meritë të vizave

Kryeministri Sali Berisha takon në Bruksel homologët Merkel, Berluskoni e Juncker dhe garanton zhvillimin e një fushate ndërgjegjësimi, për të shmangur keqkuptimet që po lindin në disa vende lidhur me respektimin e kuadrit ligjor, pas heqjes së regjimit të vizave.


Deklarata: Vlerësimi për vizat do të bëhet individualisht, dhe jo në paketë me Bosnjë-Hercegovinën



Kryeministri Sali Berisha, shprehet optimist dhe i sigurt se vendimi për heqjen e vizave për shqiptarët, do të merret brenda vitit të parë të mandatit të dytë qeverisë. Garancitë e tij, i ka ripërsëritur nga Brukseli, pas takimeve në Bruksel me homologët e tij, Angela Merkel, Silvio Berlusconi, Fredrik Reinfeld, Jean-Claude Juncker ku Kryeministri Sali Berisha ndodhet dhe merr pjesë në Samitin e Partive Popullore Europiane. Duke e mbështetur garancinë e tij, në përmbushjen e kushteve teknike, Berisha njëherazi, paralajmëron fillimin e një fushate ndërgjegjësimi me qytetarët shqiptarë, për të shmangur keqkuptimet e vëna re, kohët e fundit, në disa vende që përfituan pak muaj më parë nga liberalizimi i vizave.



Zoti Kryeministër ku janë përqendruar bisedimet tuaja, në takimet gjatë Samitit?


Në takime, jam përqendruar fund e krye te problemi numër një i shqiptarëve, te vizat. Gjatë këtij Samiti, unë kam takuar të gjithë kryeministrat e qendrës së djathtë, zonjën Angela Merkel, Kryeministrin Berlusconi, Kryeministrin Fredrik Reinfeld, Kryeministrin Jean-Claude Juncker dhe të gjithë kryeministrat e pranishëm këtu. Që të gjithëve, pa përjashtim, unë ju kam kërkuar vlerësimin e Shqipërisë mbi bazën e performancës për çështjen e vizave. Unë i informova ata për progresin real që ka bërë Shqipëria në përmbushjen e të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga udhërrëfyesi. Kam marrë garanci të plota për një vlerësim të ndershëm për të gjithë problemin e vizave për Shqipërinë. Unë besoj se ky ishte me të vërtetë një moment jashtëzakonisht i dobishëm për këtë proces. Natyrisht, kam diskutuar me miq të mijtë edhe probleme të tjera, të marrëdhënieve bilaterale, të marrëdhënieve ndërpartiake. Pata një takim të zgjeruar me kryetarin e Partisë Popullore Evropiane Wilfried Martens, të cilin e informova për të gjitha zhvillimet në Shqipëri. Gjithashtu, edhe me disa prej miqve të mi i bëra një përmbledhje më të zgjeruar për zhvillimet në Shqipëri, por në këto takime vizat ishin pika kryesore.



Zoti Kryeministër, do të vazhdojë të mbetet teknike çështja e vizave apo edhe situata politike mund të ketë një ndikim?


Unë ju garantoj se çështja e vizave është në rrugë të mbarë. Kjo është e sigurt. Ky është një proces që bazohet në realizimin e të gjithë treguesve teknike dhe kam shumë kënaqësi se tani që bëhen krahasimet, arrihet në dritën e diellit, arritjet e Shqipërisë janë shumë shprehëse, flasin vetë.



Duke u nisur nga kjo dhe meqenëse këta janë kryeministrat më të rëndësishëm të shteteve anëtare, sa shanse ka Shqipëria që kjo pikë të kalojë në një pikë A, domethënë të shihet i gjithë vlerësimi teknik dhe të mos ndalet në pjesën politike?


Tani, cili ka qenë qëndrimi im? Në të gjitha prononcimet e mia, që nga prilli i vitit të kaluar e deri më sot, unë i kam garantuar shqiptarët se brenda vitit të parë të mandatit tonë të dytë do të merret vendimi për heqjen e vizave. Unë i qëndroj kësaj plotësisht, por dua të theksoj se marrja e vendimit, siç dihet, është gjëja më kryesore, ndërsa zbatimi i vendimit është në tagrin e tyre, kanë teknikalitetet. Unë jam optimist dhe i sigurt se vendimi do të merret brenda vitit të parë të mandatit tonë të dytë, ashtu sikurse është premtuar. Natyrisht, ne do të fillojmë tani edhe një fushatë të gjerë ndërgjegjësimi për qytetarët shqiptare, në mënyrë që të mos të ndodhin ato që ndodhën me qytetarët e vendeve të tjera, të mos ketë asnjë lloj keqkuptimi, që këtu nuk mund të bëhet fjalë të kërkosh azil dhe se ajo është vetëm një praktikë shumë e dëmshme dhe për të cilën ne do të vendosim të gjitha kushtet dhe parametrat e nevojshëm që të mos të ndodhë, por vendimi do të merret brenda vitit të parë të mandatit të dytë. Ndërsa këto pika A dhe B, unë i marr në këtë mënyrë, që Komisioni do të paraqesë propozimin e vet, pastaj janë vendet anëtare dhe nuk ka asnjë diskutim që secili vend anëtar ka zërin e tij dhe më pas Parlamenti Evropian. Por, e rëndësishme është që vendimi do të merret brenda vitit të parë të mandatit tonë të dytë, siç edhe kam theksuar.



Dhe Shqipëria mbetet me Bosnjën, apo jo?


Absolutisht asnjë lloj lidhje nuk pranoj me asnjë vend tjetër. Uroj që edhe Bosnja ta marrë, por e kam theksuar se nuk dua vlerësim në paketë. Unë dua vlerësim në performancë dhe tregues. Ky është qëndrimi im. Treguesit dhe performanca jonë janë të gjitha të qarta dhe këtu nuk besoj që këto gjëra të lidhen njëra me tjetrën.



...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›