Shën Valentini, dashuri edhe në teatër
Edhe Teatri Kombëtar në Tiranë ka zgjedhur të festojë 14 Shkurtin, ditën e të dashuruarve, me një histori dashurie. Me regjinë e Kastriot çipit, nën interpretimin e aktorëve Neritan Liçaj e Julia Ilirianit, drama “Letra dashurie” është shkruar nga Albert Ramsdell Gurney
Historia e tyre e dashurisë është krejtësisht e veçantë. Po kaq i veçantë është edhe trajtimi regjisorial që i bëhet veprës. Janë një çift, për të cilin pjesa më e madhe e komunikimit mes të dyve ndodh vetëm përmes letrave, ndaj edhe autori Albert Ramsdell Gurney e ka titulluar “Letra dashurie”. Regjisori shqiptar, Kastriot çipi, ka zgjedhur ta sjellë në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë, në një ditë krejtësisht të veçantë, në 14 Shkurt, ditën e dashurisë. Pjesa përbëhet nga letrat që kanë shkëmbyer gjatë gjithë jetës dy njerëz, që janë rritur bashkë, kanë ndjekur rrugë të ndryshme në jetë, por kanë mbetur të afërt me njëri-tjetrin. Ndërsa aktorët lexojnë letrat me zë të lartë, ajo që krijohet është një atmosferë evokative, prekëse, shpesh gazmore, ku zbulohen karakteret e të dyve dhe historia e përbashkët, që është sa emocionuese, aq edhe domethënëse. Ditën e të dashuruarve në skenë do të interpretojnë në rolet përkatëse aktorët Neritan Liçaj (Endi) dhe Julia Iliriani (Melisa).
Z. çipi, përse keni zgjedhur një ditë si Shën Valentini, me një pjesë që flet për dashurinë për t’u shfaqur në Teatrin Kombëtar?
Dëshira ime ishte për të pasur një shfaqje më 14 Shkurt, sepse teatri më duket një mënyrë shumë e mirë për të festuar. Dëshira ishte për të bërë një dramë apo komedi, një tekst kushtuar dashurisë në kuptimin e mirëfilltë dhe të ngushtë të fjalës dashuri dhe vetëm dashuri. Edhe pse natyrisht e dimë dhe e pranojmë të gjithë që Shën Valentini nuk është thjesht dhe vetëm festa e të dashuruarve, por është më tepër dita kur i thuret himn dashurisë njerëzore. Ky tekst merret ekskluzivisht me marrëdhëniet në çift të dy njerëzve. Arsyeja kryesore pse u zgjodh data 14 Shkurt ishte pikërisht kjo, sigurisht që mund të shfaqet në çdo ditë tjetër ashtu sikundër ndodh kudo ku është shfaqur dhe shfaqet kjo vepër në teatro të tjerë.
Përse zgjodhët pikërisht këtë vepër, çfarë do të sjellë për dashamirësit e teatrit “Letra dashurie” në një ditë kaq të veçantë?
U zgjodh ky tekst, sepse për nga gjinia i mungonte skenës së Teatrit Kombëtar. është një tekst epistolar që do të thotë letra që lexohen në skenë. Kjo dramë është e shkruar në formën e letrave, ka romane të tilla, por kjo është drama e parë në botë e shkruar në këtë stil. Dy personazhet lexojnë letrat që i kanë shkruar njëri-tjetrit në një hark kohor që i kalon të 40 vitet. Arsyeja tjetër është se kjo vepër ka vlera të jashtëzakonshme artistike, për të cilat ka qenë edhe kandidate për çmimin “Pultizer”. Gjë tjetër interesante është se në këtë rast do të kemi një shfaqje që nuk do të vijë me frymën e teatrit klasik, nuk do të kemi dekore, nuk do të kemi mizanskena, nuk do të kemi lojë dritash dhe muzike. Do të kemi thjesht dy aktorë në skenë që përcjellin vetëm fjalë drejtpërdrejtë me publikun.
Neritan Liçaj dhe Julia Iliriani janë dy aktorët që do të interpretojnë në skenë. Përse kjo zgjedhje?
Për këtë tekst janë zgjedhur dy aktorët e brezit të mesëm, që unë mendoj se janë ndër më të shkëlqyerit e brezit të tyre. Nisur edhe nga përvoja amerikane, aktorët e kësaj vepre (është vënë në skenë në Broduej për tre vite rresht e më pas edhe në vende të tjera të Amerikës), janë ndërruar vazhdimisht, sepse vetë mënyra se si autori e ka shkruar e lejon këtë lloj ndërrimi të aktorëve, që fare mirë mund t’u përkasin moshave të ndryshme. Mua më pëlqen ta nis me këta aktorë dhe jam i sigurt që edhe publikut do t’i pëlqejë. Megjithatë do të isha i hapur që edhe këtu aktorët të ndërroheshin vazhdimisht. Pra shfaqja të mbetej një projekt i hapur, sepse e lejon dramaturgjia që të luhet me aktorë të moshave të ndryshëm, të gjeneratave më të vjetër apo edhe më të rinj se aktorët që janë përzgjedhur.
Mund të themi se kemi të bëjmë me një vepër, që përmes historisë së dashurisë mes dy personazheve përcjell edhe një mesazh aktual për të gjithë ata çifte që do ta ndjekin në sallë?
Një gjë tjetër që doja të shtoja për tekstin është se nëse Romeo dhe Zhuljeta është drama klasike e një dashurie që bëhet tragjike për shkak të rrethanave sociale, këtu kemi një dramë që është mirëfilli dhe ekskluzivisht e dashurisë. Dy njerëz, me problemet që ka gjithmonë një çift dhe mospërputhjet për këndvështrimet e ndryshme për jetën, sfondet e ndryshme sociale nga vijnë. Këtu nuk ka forca madhore që t’i pengojë ata në lidhje, por është mënyra se si ata i kanë menaxhuar marrëdhëniet e tyre. Kjo është një pjesë që na flet pak a shumë të gjithëve për problemet që kemi kryesisht në menaxhimin e një marrëdhënieje sentimentale.
Pas 14 Shkurtit, kur do të jetë shfaqja e radhës e “Letra dashurie”?
Për momentin jam i paqartë për kalendarin e shfaqjes, por e rëndësishme është të vijmë te kjo pjesë, te premiera, ku të marrim kritikat dhe vlerësimet e dashamirësve të teatrit, duke shpresuar më pas që shfaqja tjetër nuk do të vonojë dhe do të jetë më e mirë se e para.
#