Gjallë i Minarollit shkon në Berlinale
Filmi
“Gjallë”, filmi i fundit i Artan Minarollit konkurron në Berlinale. Edicioni i 60 i Festivalit të Filmit është çelur në datën 11 shkurt e do të përfundojë më 21. “Alive” do të projektohet në datën 16 shkurt. Ky është i disati festival ndërkombëtar në të cilin filmi konkurron dhe është vlerësuar me çmime. Pas çmimit të Jurisë në edicionin e dytë të Festivalit të Filmit në Durrës, “Gjallë” ka konkurruar dhe është vlerësuar në Montpelie të Francës, me çmimin “Don Kishoti” në Festivalin e Filmit në Cotbus, Gjermani, ndërsa ka qenë pjesëmarrës në Karlovy Vary (çeki), Pusan (Kore e Jugut), Antalya (Turqi), Chennai (Indi), Bergen (Norvegji). Ndërkohë ky film është përzgjedhur për të përfaqësuar Shqipërinë në seksionin e filmit të huaj, për edicionin e 82 të çmimit “Oskar” për vitin 2010. “Gjallë” ka marrë jetë mbi një histori gjakmarrje dhe dëshirës së një brezi të ri për t’i shpëtuar kësaj plage të shoqërisë. Koli (Nik Xhelilaj) është një student nga një fshat verior që studion në Tiranë. Gjithçka shkon mirë për të derisa e lajmërojnë për vdekjen e të atit. Gjithçka ndryshon kur gjatë varrimit dikush përpiqet ta vrasë. Krejt papritur zbulon se familja e tij është në gjak si pasojë e një hakmarrje të trashëguar. Jeta e mëtejme e tij rrokulliset në përpjekje për të vazhduar një jetë normale dhe hija e hasmit që e ndjek nga pas.
#