Studim për pasojat e punës te fëmijët
Komiteti Kombëtar
Ministri i Punës, Spiro Ksera, mblodhi Komitetin Drejtues Kombëtar “Për eliminimin e Punës së Fëmijëve në Shqipëri”, për të diskutuar rreth prioriteteve dhe programeve që do të zbatohen gjatë vitit në vazhdim për mbrojtjen e fëmijëve nga format më të këqija të punës. Aty u prezantua edhe projekti “Studimi Kombëtar mbi Punën e Fëmijëve në Shqipëri”, i financuar nga ILO/IPEC dhe që do të zbatohet nga INSTAT. Ky studim do të shtrihet në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë dhe do të përfundojë në vitin 2011. Ai synon të mbledhë informacion sasior dhe cilësor mbi karakterin, natyrën, shkallën dhe shkaqet e punës së fëmijëve në Shqipëri, të përcaktojë kushtet e punës dhe ndikimin e tyre mbi shëndetin, arsimimin dhe zhvillimin normal të fëmijëve që punojnë, si dhe të vlerësojë masën e punës së fëmijëve në Shqipëri. Ministri Ksera theksoi se Ministria e Punës do të vazhdojë intensivisht punën për mobilizimin e të gjitha burimeve të nevojshme financiare dhe teknike nga buxheti qendror, pushteti vendor apo donatorët, me qëllim shtrirjen e modeleve të aplikuara me sukses nga IPEC në të gjithë Shqipërinë. Ndër prioritetet e Ministrisë së Punës për të ardhmen janë edhe forcimi i strukturave institucionale të luftës kundër punës së fëmijëve, përmirësimi i legjislacionit dhe fuqizimi i zbatimit të tij në drejtim të mbrojtjes së fëmijëve dhe punësimit të të rinjve, si dhe ndërmarrja e masave të mëtejshme për integrimin e çështjes së punës së fëmijëve në politikat kombëtare dhe programet e ndërhyrjes etj.
#