Shëndetësi, Vasili kërkon fond shtesë për rikonstruktimin e 27 poliklinikave
Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka kërkuar shpërndarje ndryshe të buxhetit të alokuar për dikasterin që drejton, duke ulur me 60 milionë lekë fondin për zhvillimin rajonal për t’i investuar në poliklinika. Për këtë, dje në Komisionin e Shëndetësisë, ministri Vasili ka kërkuar rritjen e vlerës së fondit të përcaktuar për zhvillimin shëndetësor parësor nga 100 në 160 milionë lekë, duke ulur fondin për zhvillim rajonal. Gjithashtu, edhe ISKSH ka kërkuar rritjen e fondit nga 7% që është aktualisht të shkojë në 10%.
Buxheti
Gjatë të njëjtës mbledhje, edhe Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor i ka kërkuar Ministrisë së Financave dhe asaj të Shëndetësisë që rritja e fondit për këtë institucion të shkojë deri në 10% nga 7% të përcaktuara, pasi me shtimin e numrit të njerëzve në skemën e sigurimeve, po shtohet edhe numri i atyre që përfitojnë shërbim shëndetësor pa pagesë, duke rritur kështu kostot që mbulon ky institucion.
Për vitin 2010 buxheti i shëndetësisë në total, në krahasim me buxhetin suplementar të vitit 2009, është parashikuar të rritet në masën 18.3 për qind, duke përfaqësuar 2.3 për qind të PBB-së. Gjatë vitit 2009, pagat e mjekëve dhe infermierëve u rriten mesatarisht me 15.7 për qind. Shpenzimet e personelit për vitin 2010 janë parashikuar në masën 2.32 miliardë lekë. Për sa u përket shpenzimeve kapitale, buxheti i kësaj ministrie për vitin 2010 është 5.47 miliardë lekë ose 52 për qind më shumë se buxheti suplementari i vitit 2009.
Parësori
Edhe këtë vit do të vazhdojë rikonstruksioni dhe ndërtimi i mbi 27 ambulancave ekzistuese në rrethe të ndryshme të vendit nga të cilat vetëm tri prej tyre janë projekte në vazhdim nga viti 2009. Në këto të dhëna nuk përfshihet ndërtimi dhe rikonstruksioni i ambulancave dhe qendrave shëndetësore të cilat do të jenë objekt i shpërndarjes së grantit konkurrues.
Krahas ndërtimit dhe rikonstruksionit të ambulancave dhe qendrave shëndetësore një pjesë e konsiderueshme e buxhetit të alokuar për këtë program do të shkojë për kompletimin e tyre me pajisje si dhe blerje aparatura e pajisje mjekësore. Përmendim kompletimin me pajisje dhe aparatura për Qendrat Shëndetësore dhe Ambulancat ASHR.
Spitalet
Ndërsa për përmirësimin e infrastrukturës së shërbimit të kujdesit dytësor (spitalor), program që në totalin e fondeve të parashikuara për këtë ministri zë rreth 60 % të tij, janë parashikuar ndërhyrje në rikonstruksionin e spitaleve ekzistuese, kurse ndërtimet e reja janë përqendruar kryesisht në shtesa aneksesh apo ambientesh ndihmëse të spitaleve. Edhe këtë vit do të vazhdojë financimi i rikonstruksionit të spitaleve rajonale si spitali i Korçës, spitali i Gjirokastrës, spitali i Delvinës etj., ku krahas ndërtimit dhe rikonstruksionit të tyre është parashikuar edhe kompletimi me pajisje si dhe blerja e aparaturave dhe pajisjeve mjekësore. Në QSUT do të vazhdojë të ndërhyhet në rikonstruksionin e spitalit të Neurologjisë dhe spitalit të Pediatrisë shoqëruar kjo edhe me blerjen e aparaturave mjekësore bashkëkohore për funksionim normal të tyre. Një financim i rëndësishëm në këtë program është edhe faza III e projektit për ndërtimin dhe pajisjen e spitalit të Shkodrës dhe projekti i furnizimit me pajisje mjekësore për SUSM (kredi austriake). Gjithashtu, do të vazhdojë financimi për ndërtimin e bllokut të kirurgjisë-maternitetit sipas masterplanit të ri të spitalit Elbasan.
Planifikimi familjar
Protokoll kombëtar për ofrimin e shërbimit
Të gjitha qendrat shëndetësore ku ofrohet shërbimi për planifikimin familjar, po ashtu edhe maternitetet, tani e tutje do të punojnë duke u bazuar në protokollin kombëtar të planifikimit familjar. Ky është i pari protokoll i cili u mundëson mjekëve njohuritë, instrumentet dhe mbështetjen e nevojshme për të ofruar shërbim cilësor në planifikimin familjar. Gjatë prezantimit të këtij dokumenti, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, u shpreh se me këtë protokoll shërbimi i ofruar nga qendrat e ndryshme të vendit do të jetë i njëjtë dhe i standardizuar. Aktualisht në vendin tonë vetëm 11% e popullsisë përdorin metodat kontraceptive moderne. Sipas Vasilit, kjo shifër është shumë më e ulët se në vendet e tjera, por e krahasuar me vitet e shkuara, në vendin tonë ajo ka shënuar rritje të ndjeshme.