E Diel, 1 Nëntor 2026

Fullani: Biznesi, investime mbi analiza të tregut



Biznesi duhet të punojë në mënyrë individuale dhe të studiojë tregun me analiza konkrete për të vepruar më pas me eficencë. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë i ka kërkuar biznesit të bëjë kujdes me politikat për vitin 2010, pasi efektet e krizës ende nuk janë zhdukur plotësisht. “Ka ardhur koha që biznesi të mos reagojë më në grup, pasi lëvizja e njërit prej tyre ndiqet direkt nga disa të tjerë. Kjo lëvizje bëhet pa u bazuar në madhësinë e tregut apo aftësinë konkurruese”, - tha Fullani. Në një takim me përfaqësuesit e komunitetit të biznesit, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, u ka bërë thirrje të jenë të kujdesshëm duke i bazuar investimet e tyre në analiza konkrete te tregut. Guvernatori Fullani ka kërkuar nga biznesit që të marrin kredi në monedhën vendase, lekë, dhe nga ana tjetër ka kërkuar nga bankat e nivelit të dytë që ato t’i mbështetin investimet e biznesit. Ndërsa biznesi, nga ana e tij, në këtë takim u shpreh se interesat e kredive janë të larta dhe herë të papërballueshme. Biznesi ishte i mendimit se bankat kanë bllokuar dhënien e kredive dhe ata hasin vështirësi në ecurinë e aktivitetit të tyre. Në një analizë të bërë prej tij Guvernatori vlerësoi se ecuria e ekonomisë shqiptare mund të përmblidhet në rritjen mbi 65 për qind të prodhimit të brendshëm bruto dhe të mirëqenies për banor gjatë këtyre viteve tranzicioni. Ai nënvizoi se perspektiva jonë e zhvillimit mbetet po kaq pozitive. Fullani tha se stabiliteti makroekonomik i vendit, vazhdimi dhe thellimi i reformave strukturore, si dhe realitetet gjeopolitike të afrimit me ekonomitë e zhvilluara të Bashkimit Evropian do të ndihmojnë në çlirimin dhe shpërblimin më të plotë të potencialit dhe të energjive të tyre. “Ashtu si kemi deklaruar dhe më parë, Banka e Shqipërisë e shikon të ardhmen e vendit me optimizëm të kujdesshëm. Them me optimizëm, sepse me gjithë goditjen e madhe që pësuam, stabiliteti makroekonomik dhe financiar i vendit nuk u prekën. Për më tepër, rivendosja e besimit në sistemin bankar i hap rrugën rikuperimit të procesit të kreditimit dhe mbështetjes së ekonomisë me fonde. Nga ana tjetër, Banka e Shqipërisë mbetet ende në pozita kujdesi sepse rreziqet financiare mbi ekonominë nuk janë tejkaluar plotësisht. Sistemi bankar ka ende mungesa likuiditeti, ndërsa ekonomia botërore mbetet e dobët”, - theksoi Fullani. Duke u kthyer te bizneset dhe kredia për investime, Fullani tha se portofoli i saj përbën edhe 2/3 e kredisë totale të sistemit bankar. “Mesazhi im është në thelb i njëjtë: rritni horizontin kohor të vendimmarrjes dhe të investimeve tuaja dhe mbështetini ato në analiza e plan-biznese të detajuara. Ajo që dua të theksoj, është se ky mesazh duhet të perceptohet më me urgjencë nga ana juaj, pasi ju dispononi resurset e nevojshme financiare dhe njerëzore për të qenë më të kujdesshëm në huamarrje dhe në investime. Ka ardhur koha që bizneset shqiptare të shmangin sjelljen në grup, ku një ide biznesi ndiqet në mënyrë pothuajse automatike nga biznese të tjera, pa studiuar madhësinë e tregut, avantazhet konkurruese, shkallën e ekspertizës apo eficiencën financiare të përdorimit të fondeve, sipas të gjitha hallkave në të cilat duhet të kalojë një vendimmarrje e kujdesshme”, - tha Fullani. Më tej, ai shtoi se prirja e kohëve të fundit për diversifikimin e bizneseve shqiptare është një gjë e dobishme në parim, por ajo nuk duhet bërë në dëm të specializimit dhe uljes së eficiencës apo aq më pak pa kryer analizat makroekonomike dhe sektoriale.

Për të minimizuar një sërë rreziqesh, Fullani u tha përfaqësuesve të biznesit: “Banka e Shqipërisë ju këshillon që të ndërpritni lëvizjet inerciale në sjelljet tuaja dhe të vlerësoni me realizëm kontekstin rajonal dhe evropian të zgjedhjeve tuaja. Avantazhet krahasuese të Shqipërisë nuk duhen kërkuar vetëm në pasuritë e mbitokës dhe të nëntokës apo në plotësimin e kërkesave ende të pashërbyera të tregut shqiptar, por edhe në forcën e lirë punëtore të vendit dhe në pozicionimin e tij si një anëtar i ardhshëm i Bashkimit Evropian”.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›