E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policë mbi Sinagogë



E kontaktuar me telefon, arkeologia Etleva Nallbani tregon se Bashkia e Sarandës dërgon çdo ditë policë, për të pezulluar gërmimet arkeologjike në Sinagogën e rrallë, duke e trajtuar këtë si ndonjë pallat i rëndomtë, që duhet marrë leje ndërtimi dhe inspektimi. Olsi Lafe, drejtori i Trashëgimisë në Ministrinë e Kulturës, thotë prerë se gërmimet do të vazhdojnë sepse është projekt arkeologjik i miratuar sipas ligjit nga MTKRS

Nuk tërhoqi aq shumë vëmendje javën që shkoi skandali që ngjau në sinagogën e Sarandës. Katër arkeologë që udhëhiqnin gërmimet në një nga zonat më të rralla në Ballkan e Mesdhe, në Onhezmit e lashtë kanë hequr punëtorët duke hyrë vetë direkt në punë, vetëm që Policia Bashkiake të mos i zbonte që andej.

Gërmimet që bëhen aty sipas një projekti të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë, qysh në maj 2009, papritur është kërkuar të ndërpriten sipas një shkrese të dërguar nga Bashkia e qytetit të Sarandës. Arsyeja: të ndalohet vazhdimi i punimeve mbi këtë monument me pretendimin se toka është pronë private e hipotekuar nga disa qytetarë. Ky argument ka skandalizuar arkeologët që janë vendosur aty sipas ligjit 9048 për gërmimet arkeologjike, se herë pas herë rikthehen në atë vend, pasi është një punë shumëvjeçare me projekte të miratuar nga Ministria e Kulturës.

Drejtori i Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Olsi Lafe, ekskluzivisht për “standard” ka thënë se nga ana e tyre, u kanë çuar shkresë që të mos pengohen gërmimet, por nuk ka pasur asnjë reagim nga bashkia, duke nxjerrë pretendimin se bie ndesh me inspektimin e ndërtimit.

Ky ka qenë reagimi zyrtar që ka bërë Ministria e Kulturës për këtë situatë, por asnjë sinjal nuk është dhënë deri tani se si do të shkojnë punët. Lafe ka treguar se “arkeologët nuk janë në varësi të ministrisë, por vetëm projekti është i MTKRS-së dhe për këtë arsye gërmimi arkeologjik nuk përbën ndërtim për të cilën duhet marrë leja nga zyra e urbanistikës në Bashkinë e Sarandës”.

Pra, në të gjitha senset ky projekt është i Ministrisë, dhe se gërmimet aty në sinagogën e rrallë nuk janë aktivitet ndërtimor. Kjo është aq e qartë për pjesën profesionale të mbrojtjes dhe punës studimore mbi monumentet e kulturës, por ky monument i vendosur në qendër të Sarandës është i fundit që ka mbetur i pagroposur nga ndërtimet e pallateve shumëkatëshe, ashtu siç ka ndodhur me pjesën tjetër të këtij qyteti. Alarmi ka qenë gjithnjë i mbytur për këto lloj ngjarjesh, po aq dhe ndjeshmëria publike dhe politike, ndonëse vit pas vit Saranda është ajo që shohim sot të katandisur - në një pirg pallatesh, beton, mbi gërmadha rrënojash antike.

Pyetja që vjen nuk është aq dilematike, përveç habisë që të shkakton zvarritja e kësaj çështjeje në kohë. Pra po bëhen më shumë se gjashtë muaj që Bashkia e Sarandës nuk heq dorë nga vendimi i saj që fjalë për fjalë shkresa drejtuar ministrisë thotë: "nga monitorimi që i bëmë territorit administrativ të bashkisë evidentuam se nga struktura të institucionit tuaj kanë filluar punimet në zonën arkeologjike të Sinagogës, pa marrë leje ndërtimi nga KRRT-ja e këtij institucioni. Në lidhje me punimet që kërkoni të kryeni ju sqarojmë se: Në zbatim të ligjit "Për Urbanistikën", për lejimin e punimeve duhet të paraqitni pranë Drejtorisë së Urbanistikës Sarandë dokumentacionin e plotë tekniko-ligjor për lejimin e këtyre punimeve". Ju bëjmë me dije se këto punime zbatohen mbi pronë private të hipotekuar të disa qytetarëve, të cilët kanë paraqitur ankesa e leje ndërtimi pranë institucionit të bashkisë. Deri në sqarimin e çështjes punimet janë pezulluar”.

Në të kundërt të kësaj, arkeologët nuk i kanë pezulluar punimet, por kanë hyrë vetë të gërmojnë, duke kundërshtuar vendimin e mësipërm të quajtur si çështje skandaloze, dhe arsyet se sinagoga është pronë e hipotekuar e disa qytetarëve janë pa pikë kuptimi. E kontaktuar me telefon, arkeologia Etleva Nallbani tregon gjithë situatën e mësipërme, se “bashkia dërgon çdo ditë policinë duke na thënë një ligj për urbanistikën dhe inspektimin e ndërtimit dhe se duhet të paraqesim një projekt-strukturat e institucioneve tona për të marrë lejen e ndërtimit. Kjo është skandaloze”.

Nallbani e thotë prerë se të gërmojë në një monument arkeologjik është me ligj që i përket arkeologjisë, për të cilën duket absurde ndërhyrja e bashkisë për të marrë leje ndërtimi. Por duket se kjo histori shkon më gjatë, dhe ka një zanafillë tjetërsimi që i përket viteve ’95 kur lulëzuan kioskat. Ndërsa kjo është ana e errët e gjithë çështjes që vetë arkeologët e komentojnë si një tekë absurde që shfaq sot Bashkia e Sarandës, nga Ministria e Kulturës reagimi ka dalë i prerë për të mbështetur vazhdimin e gërmimeve. Ndërkohë arkeologia Etleva Nallbani thotë se ka qenë e detyruar nga kjo situatë që të heqë të gjithë punëtorët nga zona e gërmimeve duke u zëvendësuar puna e tyre nga arkeologët. Pra katër arkeologët që udhëhiqnin gërmimet janë futur vetë në procesin e punës që të vazhdojnë gërmimet pa ndërprerje edhe pse policia sipas Nallbanit ka kërkuar pezullimin duke treguar kërkesën ndaluese të bashkisë. "A mund të hipotekohet muri rrethues i shekullit V pas Krishtit nga banorë modernë të kujtdo qyteti qofte ai, kur monumentet dhe territori rreth tyre është pronë e trashëgimisë kombëtare?"- është kjo arsyeja, dhe pyetja që bëjnë arkeologët përballë shkresës që bashkia u ka dërguar për t’u larguar që andej, dhe për të pezulluar gërmimet. Projekti shqiptaro-izraelit, i drejtuar nga dy profesorët e njohur Gideon Foerster dhe Ehud Netzer me Etleva Nallbanin dhe Kosta Lakon, synon zbulimin e këtij monumenti të rrallë të historisë së hershme të hebrenjve, gjatë shekujve V-VI të pas Krishtit dhe ky ekip ka hyrë në fazën e tretë të këtij misioni punimesh që me vendim të KKA të datës 4 maj 2009 (Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë) të zbulojë tërësinë e monumentit, funksionin e tij, periudhën e instalimit të komunitetit hebraik dhe kohën e braktisjes dhe të transformimit të tij në kishë kristiane. Nxjerrja në dritë e këtij monumenti kaq të rëndësishëm në historinë e antikitetit dhe kthimi i tij në një prej monumenteve më të vizitueshëm të Shqipërisë, konsiderohet nga arkeologët si një nga qendrat më të pasura me të dhëna arkeologjike.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›