E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shëndetësia dixhitale, prioritet i qeverisë

Kryeministri Berisha drejtoi sot një mbledhje me grupin e punës mbi digjitalizimin në sektorin e shëndetësisë, mbledhje e cila u zhvillua në vazhdën e një sërë mbledhjesh të grupeve të punës mbi digjitalizimin në vend, në kuadër të programit të qeverisë për "Shqipërinë Digjitale".
Në këtë mbledhje merrnin pjesë Ministri i Brendshëm, zoti Lulzim Basha, Ministri i Shtetit, zoti Genc Pollo, Ministri i Shëndetësisë , zoti Petrit Vasili si dhe drejtues të institucioneve të ndryshme dhe ekspertë të fushës.
Kryeministri Berisha e quajti këtë vazhdë takimesh mbi digjitalizimin në shëndetësi si një prioritet të qeverisë shqiptare, mjaft të dobishëm dhe me përparësi absolute. Kështu Kryeministri Berisha vuri theksin mbi rëndësinë e Kartës Elektronike të Shëndetit si një element jetik për shëndetin e qytetarëve, duke shprehur vendosmërinë e qeverisë shqiptare për realizmin e saj.
Gjithashtu gjatë kësaj mbledhjeje u diskutua gjerësisht mbi informatizimin e të dhënave në shëndetësi dhe mbi nevojën dhe përparësinë e trajnimit dhe shkollimit përmes kurseve të posaçme të personelit mjekësor me praktikat e reja digjitale. Kryeministri u shpreh se do të krijohen me shpejtësi hapësirat e nevojshme të trajnimit të personelit mjekësor, përmes një bashkëpunimi të ngushtë me AKSHI-n dhe për këtë qeveria do të zbatojë politika agresive për të përshpejtuar afrimin e Shqipërisë në moshën digjitale, në të gjitha sektorët.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›