E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shëndetësia, tre lloje të reja vaksinash për shqiptarët

Në kalendarin e vaksinave do të shtohen tre të reja. Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se ka gati projektin dhe përfshirja e tyre do të bëhet vit pas viti. Plani i ri i vaksinimit do të përfshijë vaksinat kundër Hepatitit B tek adoleshentët, vaksina kundër Pnemokokut, si dhe vaksina për Hepatitin A dhe HPV, kundër kancerit të qafës së mitrës. UNICEF, Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Ministria e Shëndetësisë kanë diskutuar dje për programin e ri të vaksinimit të popullsisë, i cili do të përfshijë jo vetëm moshat e vogla, por edhe moshat 15 deri në 17 vjeç. Sipas planit të ri, në vitin 2010, do të futet vaksina kundër Pnemokokut, në vitin 2011 vaksina Rotavirus, si dhe vaksina për Hepatitin A dhe HPV (kundër kancerit të qafës së mitrës). Vaksina të reja do të futen gradualisht vit pas viti, ndërsa po punohet për futjen e vaksinës së gripit falas për popullatën më pranë viruseve. Specialistja e Institutit të Shëndetit Publik, Silva Bino, sqaroi dje se plani i ri i programit të vaksinimit, synon të zgjerojë më tej kalendarin e vaksinave, por edhe mbulimin me imunizim të një popullate më të gjerë. "Synojmë që në vitin 2010, të fusim vaksinën ndaj Pnemokokut, shumë e nevojshme, që është pak më e shtrenjtë. Ajo kushton 27 dollarë, në krahasim me 1 dollar, që kushtojnë të tjerat, por kjo është e rëndësishme për mbrojtjen e popullatës. Kjo vaksinë dhe ajo kundër HIV, pritet që të luajnë rol të rëndësishëm në uljen e vdekshmërisë foshnjore në vendin tonë", tha Silva Bino. Futja e vaksinës së HIB e përfshirë në atë pentavalente do të jetë pjesë e kalendarit që në fillim të vitit 2009. "Kontrolli i Hepatitit B në moshat 18 vjeç, si edhe grupet e riskut, duke ruajtur një mbulesë të lartë vaksinale dhe duke kryer fushata vaksinimi për fëmijët 15 deri në 18 vjeç, testimi i grave shtatzëna për hepatitet virale, ndërtimi i strategjisë kombëtare të kontrollit të hepatiteve është pjesë e planit të Ministrisë së Shëndetësisë", sqaroi zyrtarisht Ministria e Shëndetësisë. Sipas këtij plani, parashikohet futja e vaksinës së Hepatitit A në vitin 2012, kjo si pasojë e ndryshimit të profilit epidemiologjik të kësaj sëmundjeje drejt adoleshentëve dhe të rinjve. Në kuadrin e përmirësimit të vazhdueshëm të shëndetit të fëmijëve, por edhe të grupeve të tjera të popullatës, në mbrojtje të tyre nga sëmundjet e parandalueshme nëpërmjet vaksinave, si edhe në mbështetje të iniciativave botërore, të eliminimit dhe kontrollit të sëmundjeve të parandalueshme, dje, është zyrtarizuar puna për përgatitjen e strategjisë së re kombëtare të imunizimit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›