E Shtunë, 31 Tetor 2026

Libofshë, "pushtohet" oborri i shkollave

Dy shkollat e Libofshës, ajo 9-vjeçare "Anastas Laska" dhe Shkolla e Mesme e Përgjithshme "Jovan Ndreko", në mes të muajit nëntor festojnë 100-vjetorin e krijimit të shkollës së parë shqipe në zonën e Myzeqesë. Por, prej 3 vjetësh këto shkolla kanë një problem shumë të madh, sepse një banor i fshatit i ka marrë këtyre institucioneve arsimore pjesën më të madhe të oborrit, duke ia rrethuar një pjesë të tokës dhe për këtë ka marrë dhe një dokument pronësie, pranë zyrës së regjistrimit të pasurive të Rrethit të Fierit.

Megjithatë, duket se halli i tyre nuk mbaron me kaq. Pronari i ri i tokës, jo vetëm që u ka marrë oborrin që me urdhër të Kryeministrit, 3 vjet më parë, oborret e shkollave janë të paprekshëm, por fermeri kullot bagëtitë pikërisht në "këtë territor të paprekshëm". Madje, duke dëmtuar të gjitha pemët dhe lulet që janë mbjellë në këtë oborr nga komuniteti i shkollës.

Drejtorët e të dy shkollave, prej 3 vitesh kanë ngritur këtë problem në të gjitha institucionet, duke filluar që nga Komuna, Prefektura, Këshilli i Qarkut, Ministria e Arsimit, dhe pak kohë më parë qeveria e nxënësve të shkollës i dërgoi një ankesë edhe Kryeministrit. Nga të gjitha këto institucione, vetëm zyra e Kryeministrit u ka kthyer përgjigje, ku i thotë që problemi juaj do zgjidhet shumë shpejt. Por, me sa duket, as ky urdhër nuk ia ka zgjidhur problemin komunitetit të shkollave të Libofshës.

Kryetari i Komunës, Nikolla Zaka, i kontaktuar nga ne, thotë se komuna i ka bërë të gjitha përpjekjet për zgjidhjen e problemit të pronësisë së oborrit të shkollës. Madje, ai thotë se ka bërë dhe kallëzim penal në prokurori për këtë individ, që, sipas tij, ka zaptuar në mënyrë të padrejtë oborrin e shkollës me një dokument pronësie, që nuk është i vlefshëm. Kjo, pasi në regjistrin e tokave të komunës nuk rezulton fare si tokë me pronar, por si tokë shtetërore. Në pritje të festës së 100- vjetorit të shkollës, thotë ai, presim të marrë zgjidhje edhe ky problem, pasi, nëse organet kompetente nuk reagojnë tani, ky problem do ngelet i pazgjidhur.

Shkolla e parë shqipe në Myzeqe u hap më 25 gusht 1908. Ajo kishte 20 nxënës, të cilët zhvillonin ciklin mësimor në një nga dhomat shtëpisë së Nedin Bej Leskovikut. Mësuesi i parë i saj ishte Jovan Ndreko. Një ndihmë të konsiderueshme për hapjen e saj dha shoqëria "Bashkimi", me qendër në Berat, e cila i siguroi shkollës edhe një pjesë të librave.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›