E Shtunë, 31 Tetor 2026

ShëndetësiaTask force përklinikat private

TIRANE- Të gjitha klinikat private, laboratorët apo shërbimet e tjera shëndetësore të sistemit jopublik do ti nënshtrohen një kontrolli për standardet e shërbimit shëndetësor. Minsitria e Shëndetësisë ka ngritur një Task-Force, e cila duke filluar nga nesër (e hënë) do të kalojë në skaner aktivitetin e privatëve, nëse punojnë për atë që janë licencuar, a plotësojnë standardet, profesionalizimin e mjekëve, por edhe aparaturat që kanë.
Sipas ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili nisma është marrë pasi në sistemin publik kanë mbërritur pacientë, për të cilët në privat cilësia e shërbimit nuk ishte në standardin e deklaruar.
“Ministria e Shëndetësisë, ka konstatuar, që herë pas here në klinikat publike vijnë raste të trajtuara në klinika apo shërbime private, ku jo gjithmonë standardi i shërbimit dhe diagnozës ka qenë ai i duhuri. I gjithë sistemi shëndetësor duhet të ketë një standard për monitorimin, vëzhgimin dhe vëmendje publike si për shërbimin shëndetësor publik që përballon peshën me të madhe në vend, ashtu dhe atë privat” – ka deklaruar ministri, Petrit Vasili, citon gazeta Shqiptare. Task-Force do të verifikojë përputhshmërinë e veprimtarisë në raport me ligjet në fuqi, profesionalizmin, ligjshmërinë e personave që punojnë në këto klinika, kualifikimin e tyre profesional dhe nivelin përkatës të teknologjisë që ofron shërbimin. Gjithashtu këtij kontrolli nuk do t’i shpëtojë as niveli i kualifikimit të personelit të mesëm infermieror dhe atij ndihmës.
Në përbërje të Task Force do të jenë drejtues dhe specialistë të nivelit të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë, emrat të njohur me autoritet shkencor pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, specialistë të njohur në profesionin e tyre nga spitalet rajonale të vendit, përfaqësues të autoritetit rajonal të Tiranës.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›