E Shtunë, 31 Tetor 2026

Infeksionet spitalore, më të shpeshta në kirurgji

Sektori i nozokomiales: Rrezik aty ku ka shumë hyrje-dalje, sallat kirurgjikale, personeli mjekësor nuk ka informacion

Në spital përveç ndihmës mjekësore mund të marrësh edhe infeksione. Të gjitha këto të paparashikuara, apo shtim i ditëqëndrimit të pacientëve në spital janë për “faj” të infeksioneve nozokomiale, apo siç njihen në gjuhën e thjeshtë, mikrobe spitalore. Konkretisht, në kontrollin e fundit të kryer nga qendra nozokomiale, rezulton se infeksionet më të larta dhe më të shumta, të jenë prezent në sallat e kirurgjisë, aty ku pacientët operohen. Nuk mbetet pas me infeksione shërbimi i okulistikës, i djegie-plastikës, apo edhe repartet që kanë mbipopullim. Sipas përgjegjëses së qendrës nozokomiale, Svetllana Biticka, kontrollet nuk janë të shpeshta për shkak të mungesës së fondeve, por monitorimi aktual për secilin pavijon është të paktën dy herë në muaj. Sipas kësaj qendre, pacientët të cilët preken nga këto infeksione rrezikojnë të përkeqësojnë gjendjen e tyre shëndetësore, të rrisin ditëqëndrimin në spital edhe më tej, apo në raste fatale edhe të humbasin jetën për shkak të infeksionit të përparuar në organizëm. Kjo ka ndodhur në vendin tonë dy vjet më parë, kur në sallën e kardio-kiurgjisë, një pacient humbi jetën për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore nga infektimi me stafilokok.

Detajet e kontrolleve

Infeksionet spitalore që merr pacienti në spitalet tona janë në nivele të konsiderueshme, mbi normën e nivelit të lejuar, të paktën për qendrat spitalore në vendet e Bashkimit Europian. Konkretisht, sipas studimit të fundit laboratorik, të kryer për vitin 2010, në shërbimet kirurgjikale infeksionet spitalore janë gjetur në masën 38 për qind. Kjo krijon rrezikshmëri dy herë më të lartë për të pasur komplikacione gjatë qëndrimit në spital, për të pasur përkeqësim të gjendjes shëndetësore, por në disa raste këto infeksione mund të sjellin si pasojë edhe vdekjen. Infeksionet spitalore në gjuhën mjekësore të njohura si infeksione nozokomiale, merren pas 48-72 orë qëndrimi në spital.

Monitorimi

Spitalet tona, kryesisht qendra spitalore universitare “Nënë Tereza”, monitorohet vetëm 2 herë në muaj për infeksionet, ndërkohë që të tilla kontrolle duhet të kryhen për çdo muaj. Sipas sektorit të nozokomiales, kontrollet nuk janë të shpeshta për shkak të mungesës së fondeve të nevojshme për blerjen e reagjentëve. “Një strategji e posaçme tregtare mungon, ka një mangësi në njohjen e përmasave reale të problemit, ka një koordinim të strukturuar dhe ka pamjaftueshmëri në financim”, tha Isuf Kalo, drejtori i qendrës së cilësisë dhe akreditimit të institucioneve shëndetësore.
Infeksionet spitalore janë prezente në të gjitha spitalet, edhe atje ku standardet e higjienës, pastërtisë, kontrollit dhe masave parandaluese janë strikte dhe të larta. Por në vendin tonë ka edhe një tjetër problem, i cili është vënë në dukje nga qendra e cilësisë. Veç shkallës së lartë të pranisë së infeksioneve spitalore në qendrat e repartet shëndetësore, personeli shëndetësor, pavarësisht studimeve të larta që kanë kryer, nuk kanë informacion të saktë dhe të gjerë, lidhur me papastërtitë e rrezikshme që qarkullojnë në spital.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›