Shkurtohen nga puna, protestojnë 6 infermiere
Gjashtë ndihmësstomatologe me përvojë kanë humbur vendin e punës një ditë më parë. Lajmin e largimit nga puna infermieret e kanë marrë nëpërmjet një urdhri që drejtori i Drejtorisë Rajonale të Shëndetit Publik në Fier, Vasillaq Dhami, ka përcjellë pranë drejtuesve të departamenteve ku shërbenin prej vitesh infermieret. Ndërsa mëngjesin e së premtes, ashtu si çdo ditë tjetër, infermieret u janë drejtuar vendeve të tyre të punës, janë njohur me vendimin e largimit nga puna. Dje ato kanë shkuar përpara godinës së Drejtorisë Rajonale të Shëndetit Publik në Fier dhe më pas i janë drejtuar zyrës së drejtorit për të marrë sqarime. Ky i fundit ka kërkuar ndërhyrjen e rojave për largimin e gjashtë infermiereve. E ndërsa drejtori Vasillaq Dhami ka pohuar për “Shqip” se është shkurtuar vendi i punës, infermieret e lidhin largimin e tyre nga puna me motive politike. Ato pretendojnë se janë larguar nga puna, pasi nuk kanë marrë pjesë në mitingjet e fundit të PD-së. Ndërkohë kanë kërcënuar me vetësakrifikim nëse kërkesa e tyre për t’i rikthyer në punë nuk do të merret parasysh.
#