Shëndeti i grevistëve, PD: Rama po shkel ligjet
Partia Demokratike i kërkoi dje kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, që të bëjë transparencë mbi gjendjen shëndetësore të pjesëmarrësve në grevën e urisë, pasi po shkel ligjin dhe konventat e Gjenevës. Zëdhënësja Erla Mëhilli deklaroi se "PD i kërkon z. Rama të lejojë ekipet zyrtare shëndetësore të kontrollojnë shëndetin e grevistëve dhe të mos ketë frikë nga transparenca e gjendjes shëndetësore të tyre, sikundër paralajmëron se për çdo cenim të shëndetit të grevistëve përgjegjësia ligjore do të jetë e tij". Sipas saj, Edi Rama dhe Gramoz Ruçi vazhdojnë të bllokojnë shërbimin zyrtar shëndetësor për grevistët. "Me këtë qëndrim Rama po shkel rëndë jo vetëm ligjet e vendit dhe Kushtetutën, e cila u garanton shërbim shëndetësor gjithë qytetarëve në nevojë, por po shkel njëkohësisht Konventat e Gjenevës dhe Vendimet e Gjykatës së Strasburgut mbi çështjet e grevës së urisë dhe të burgosurve", - theksoi më tej znj. Erla Mëhilli.