E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fitorja e zgjedhjeve, Berisha uron Cameronin

Kryeministri Berisha uroi dje kryetarin e Partisë Konservatore të Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, për fitoren në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Berisha i shprehu kënaqësinë e veçantë, që me rastin e fitores së Partisë Konservatore në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në Mbretërinë e Bashkuar, ta urojë z. Cameron në emër të qeverisë shqiptare dhe të Partisë Demokratike të Shqipërisë me urimet më të përzemërta e miqësore. Në mesazh, Berisha shkruan: Me votën e tyre të lirë, qytetarët e vendit tuaj të madh, mik të Shqipërisë e shqiptarëve, përzgjodhën ju dhe platformën politike të Partisë Konservatore si alternativën më të mirë për adresimin e sfidave me të cilat përballet vendi juaj, në një kohë zhvillimesh të rëndësishme për Bashkimin Evropian pas hyrjes në fuqi të Traktatit të Lisbonës dhe të rivitalizimit të ekonomisë botërore pas krizës së fundit financiare globale. Më tej, Berisha shkruan: Kam ndjekur me vëmendje dhe kënaqësi vizionin dhe përkushtimin që ju keni dëshmuar gjatë kësaj periudhe dhe mbetem me bindjen e thellë se koalicioni që ju do të ndërtoni, do të përligjë plotësisht aspiratat e qytetarëve britanikë për të ardhmen e tyre më të mirë. Partia Demokratike e Shqipërisë, që në fillimet e saj, ka gjetur tek Partia Konservatore një aleate dhe mbështetëse shumë të fuqishme në përpjekjet e saj për demokraci dhe integrimin euroatlantik të Shqipërisë. Ne mbetemi të vendosur ta thellojmë e zgjerojmë edhe më tej këtë miqësi e bashkëpunim dobi të së mirës reciproke të të dyja vendeve e popujve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›