E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shënime nga Beogradi (2)

Nga Gazmend Kapllani*
Beogradi duket i 'pushtuar nga Kosova'. Politikanët flasin ditë natë për të. Një nga parrullart më të njohura në muret e Beogradit, pranë reklamave të makinave luksoze, është 'Ne damo Kosovo', ('Nuk e japim Kosovën'). Eshtë edhe parrulla e dashur e tifozëve kur luan futboll kombëtarja e Serbisë, më shpjegon Marko. Veçse kur luan me kombëtaren e Bosnjes. Atëherë tifozët këlthasin 'Srebrenica'. Kështu është nëpër stadiume: duhet të gjesh parrullën e përshtatshme për të 'vrarë' kundërshtarin. Nuk është e rastësishme që lufta në Jugosllavi filloi nga stadiumet dhe nga parrullat e tifozëve..
 
Marko është student në Juridikun e Beogradit. Eshtë i pasionuar me vajzat, me 'Crvena Zvezdën', komjuterat dhe politikën. Ai simpatizon mjaft Boris Tadiç, por para disa vitesh u bë anëtar i partisë së Koshtunicës. 'M'u duk i vetmi politikan i ndershëm në Serbi' thotë. Vëzhgimit tim se Koshtunica është nacionalist old fashion, ai i përgjigjet se nuk është e vërtetë. 'Koshtunica është i detyruar të marrë qëndrime nacionaliste' më thotë 'që të ekuilibrojë radikalët'. Nuk më bind. Kalojmë mes një parku të madh. Marko qëndron. 'Këtu vranë Zoran Xhinxhiç' thotë dhe tregon oborrin e Kryeministrisë. 'Plumbi erdhi andej' dhe më tregon një pallat përball. Duhet të vritej Zoran Xhinxhiç në vitin 2003 që policia serbe të shpërbënte bandat mafioze. Kriminelë ordinerë që u pasuarun nga luftrat, të 'integruar' në sistemin e parashtetit që sajoi Milosheviçi, e kthyen Beogradin, për vite të tëra, në ferr...
***
Hipim në tram. Përballë meje, një vajzë aq e bukur, duke folur në celular duket sikur është në qiellin e shtatë. Eshtë afisha e një reklame tjetër celularësh. Të rinjtë e moshës së Markos në Serbi janë kryesisht të papunë dhe krejt indiferentë për politikën. Shumë prej atyre që mbarojnë universitetin, thotë, emigrojnë dhe nuk kthehen më pas. Ai nuk do të emigrojë, edhe pse ka udhëtuar në gjithë Europën, për t'a njohur nga afër. Marko do të qëndrojë në Serbi dhe t'a gjejë të ardhmen e tij aty. Sa për zgjedhjet uron me gjithë shpirt të fitoj Boris Tadiç. Do që Serbia t'i përkasë Perëndimit. I friket shumë një fitoreje të nacionalistit Tomislav Nikoliç, të mikut të ngushtë të Sheshelit. Ky i fundit gjendet tani në Hagë, i akuzuar për krime kundër njerëzimit. Deklaron se është shumë i gatshëm ta qeverisë Serbinë që atje me laptop (!). Shesheli deklaron se është armik i betuar i Amerikës dhe mik i ngushtë i Zhirinofskit dhe Sadamit. Ka propozuar që të bëhet Serbia provincë e Rusisë, duke shtuar se 'çdo Serb është një Rus i vogël'. Nga Marko mësoj se Shesheli është edhe shkrimtar i palodhur. Ka shkruar afro 100 libra, shumica e të cilave kundër Kroatëve, përderisa thuhet që është me origjinë Kroate. Skema e zakonshme Ballkanike: Urrej më shumë atë me të cilin më lidhin më shumë fije. Në 'linjën Shesheli' lëvrin edhe Tomislav Nikoliç. Veçse ky i fundit morri këshilltarë Amerikanë që t'i sajonin imazhin. Me gjithë idetë e mia liberale, nuk e marr vesh këtë punë. Business as usual, ndoshta. 'Në Unversitetin tonë' vazhdon Marko 'ka shumë përkrahës të Sheshelit. Janë agresivë dhe të dhunshëm. Ata njerëz mund të na kthejnë pas në epokën e territ'...
***
Epokën e Milosheviçit, Marko e përshkruan me një fjalë: terr. Foton e Sllobos nuk e sheh më gjëkundi në Beograd. Në fillimet e viteve '90 mund t'a gjeje edhe në byrektore. Marko më thotë se dita më e lumtur e jetës së tij ishte dita kur ra Milosheviçi. Dhe dita më e tmerrshme kur pa kufomat e bombave të NATOs. Shtëpia e tij është ngjitur me ndërtesën e televizionit Serb. 'Atë natë po luaja videogames' thotë. 'Befas u shkund toka. Dola jashtë, pash flakët, kufomat. Isha pesëmbëdhjetë vjeç'... Ai hesht. Edhe unë. Pas pak e pyes 'A do kishte rënë Milosheviçi pa bombat e NATO-s'. 'Fatkeqësisht jo' përgjigjet...
***
Zbresim nga trami. Kalojmë para Parlamentit Serb. Kthehemi në një rrugë majtas, për të kërkuar taksi. Marko ndalet sërisht. 'Këtu vranë Çuruvijën' thotë. (Sllavko Çuruvija, gazetar dhe kundërshtar i Milosheviçit u vra nga shërbimet sekrete serbe, ndërsa Beogradi bombardohej nga NATO)...
***
Për Kosovën Marko diskuton pa pasion. Ai nuk do që Kosova të bëhet e pavarur. Do jetë goditje e madhe për Serbët, thotë. Dhe atëherë nacionalistët do forcohen shumë. Ai vetë ka shkuar disa herë në Kosovë, në manastiret serbe atje. Thotë se i ka bërë përshtypje që dy herë i kanë qëlluar me gurë fëmijët, ngaqë shihnin gërmat cirilike mbi mikrobuz. Thotë se donte shumë të komunikonte me bashkëmoshatarë të tij shqiptarë në Kosovë, të mësoj më shumë për mënyrën që mendojnë dhe jetojnë. Megjithatë, kur flet për Kosovën, Marko ndjehet ngushtë. Ai e pranon se shumica e Serbëve, përtej retorikës nacionaliste, e shohin Kosovën si çështje të humbur. 'Ndoshta zgjidhja më e mirë është ajo që propozoi Svillanoviçi' shton. Ish Ministri i Jashtëm i Serbisë, Svillanoviç, propozoi një plan me katër pika, ndër të cilat, thuhej se Serbia do t'a njihte pavarësinë e Kosovës nëse Serbia dhe Kosova do hynin njëkohësisht në B.E. Svillanoviç u etiketua pothuajse si tradhtar i kombit. Koshtunica ishte nga kritikuesit më të ashpër të idesë së tij. Marko e di dhe tund kokën në shenjë disaprovimi...
***
Arrijmë në stacionin ndërkombëtar të autobuzëve në Beograd. Këtu duhet të marr autobuzin për në Sarajevë. Në një qoshe, më tërheq vëmendjen një stand. Pas standit, shitësi, i ulur mbi karrike dredh cingaren. Mbi stand dhe rrotull tij 'mbizotërojnë' fotografitë e çetnikut Drazha Mihajloviç, të Mlladiçit dhe Karaxhiçit. Largohemi disa hapa. Marko duket i turbulluar. 'Nuk janë ata Serbia' thotë. 'Dhe mjer ne në se mbizotërojnë...'
Në vend takimin e heretikëve
Në trotuarin 'Knezha Mihajla', përballë kafeterisë 'Carët e Rusisë', një grup indianësh luan muzikë nga Andet. Vazhdoj rrugën drejt. Pastaj kthehem majtas, në një rrugë të ngushtë. Kërkoj kafeterinë 'Galaria'. Pronar i saj është basketbollisti i famshëm Dragan Kapiçiç. 'Galaria' është vend takimi i heretikëve. Këtu takoj Filip David, një intelektual shumë të njohur Serb. Eshtë një nga themeluesit e 'Qerthullit të Beogradit', që në fillimet e viteve '90 mblodhi intelektualët dhe artistët Serbë që i kundërviheshin histerisë nacionaliste që kishte mbërthyer Serbinë. 'Qysh në fillim ne thamë se Milosheviçi do t'a çonte Serbinë në greminë. Fatkeqësisht parashikimet tona u vërtetuan' thotë. 'Milosheviçi nuk ishte as nacionalit' vazhdon. 'Thjesht kuptoi që nacionalizmi ishte mjeti ideal për të qëndruar në pushtet. Sepse nacionalizmi është edhe ai totalitarizëm'. David më thotë se Serbët kuptuan çfarë kishte ndodhur në Jugosllavi, vetëm atëherë kur u bombarduan nga NATO. Më thotë akoma se pas rënies së Milosheviçit, retorika nacionaliste mbeti pothuajse e njëjtë. Davidi bën pjesë tek ata 6% Serbë që pranojnë pavarësinë e Kosovës. Një farë momenti në shoqërinë tonë vjen edhe vëllai i Ivan Stamboliç, i ish Presidentit të Jugosllavisë. I vrarë me urdhër të Milosheviçit dhe të së shoqes së tij. Kudo që të shkosh në Beograd, fantazmat dhe rrënojat e 'epokës Sllobo' do t'i gjesh para teje. Çfarë do bëjë në se fiton Niloliç, e pyes David. 'Atë që kam bërë gjithmonë' më përgjigjet 'do rri në Beograd. Patriotizmi i vërtetë është të luftosh kundër atyre që bëjnë kontrabandë atdheun'.
Tek 'Galaria' njoh edhe një Shqiptar nga Kosova, gazetarin dhe shkrimtarin Fahri Mysliu. I përhershëm në shoqërinë e kafenesë 'Galaria'. Megjithëse familja e tij ndodhet në Prizren, Fahriu jeton këtu e tredhjetë vjetë në Beograd. Vetëm dy herë mendova të ikja, thotë. Në fundin e viteve 1989, kur plasi histeria antishqiptare dhe gjatë bombardimeve të NATOs. Për Fahri Mysliun Beogradi është qytet i tij. 'Unë kam mësuar çfarë është patriotizmi i vërtetë prej miqve të mij Serbë që luftuan kundër nacionalizmit të tyre' shton. Dhe pas pak: 'Në se Shqiptarët dhe Serbët nuk arrijnë një kompromis historik, nuk do ketë paqe në Ballkanin Perëndimor'. Dhe unë pyes vehten se si mund të pajtohen, dhe kur, me gjithë atë 'kompleks viktimizimi' që mbartin Serbët dhe Shqiptarët. Bashkimi Europian është zgjidhja më e mirë, më kishte thënë një ditë më parë një diplomat perëndimor. Por kur do bëhen Shqiptarët dhe Serbët anëtarë të Bashkimit Europian? Dhe në se Rusia kërkon të bëj big game në Europë nëpërmjet Serbisë, atëherë telashet do jenë të shumta për Europën, Serbët dhe Shqiptarët.
***
E përshëndes shoqërinë e 'Galarisë'. Mbi mur, përballë kafenesë, një parrullë tjetër: 'Lufta fillon tani'. Nënkupton lufta me Perëndimin. Pak më tej, në 'Knezha Mihajla', dy vajza të qeshura ndajnë ftesa për një party studentësh: 'party fillon tani'. Të shohim çfarë do nxjerr sot kutia e votimit në Beograd: 'luftë' apo 'party'....
*gazikap@gmail.com

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›