Shënime nga rruga e vetme
Rubrika “editoriale” e kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama, pati një shtesë shtjelluese ditën e diel, të quajtur: “Shënime mbi rrugën e programit”. Sigurisht ky editorial i fundit pak lidhje ka me veprat e Hoxhës “Shënime mbi Kinën” apo “Shënime mbi Lindjen e Mesme”, jo vetëm pse Rama është zero në politikën të jashtme, por sepse ky shënim mbi programin kishte për qëllim sqarimin e ca socialistëve të hutuar nga marrjet e kthesave pa ndezur sinjal. Ngase shpesh dëgjojnë eksponentë të PS të dalin kundër çdo privatizimi dhe pastaj në një mbledhje komisioni për sportin propozohet privatizimi i klubeve dhe terreneve sporteve. Kuptohet vetiu që socialistët e ndershëm huton edhe pse harrojnë faktin që shumë donatorë e presidentë klubesh sportive janë afaristë pranë kryetarit të opozitës, si dhe nga fakti, që shumë klube sportive menaxhohen nga kryetarë bashkie të Partisë Socialiste. Rama kërkon publikisht, për herë të parë, që shumëklubet sportive të privatizohen. Ndofta dalja e Ramës në këtë pozicion politik është e lidhur me presionet e shumta të disa biznesmenëve që janë njëkohësisht pronarë klubesh sportive e botues mediash afër Partisë Socialiste.
Megjithatë atij pak i interesojnë të rinjtë dhe sporti në vetvete, pasi gjendja e sportit është pasojë e keqqeverisjes autarkike të federatave, dhe si ish-Ministër i MTKRS dhe për 11 vite Kryebashkiak pak gjë ka sugjeruar në përmirësimin e sportit në vend. Të rinjtë ka qenë për Ramën veçse burim i marrjes së energjive të tyre për t’i përdorur në politikën e përditshme që nuk është dhe aq fisnike. Sigurisht synimi kryesor i Ramës është të rrëmojë vota në qendra bastesh e pika lotosh sportive duke u bërë simpatik si sportdashës. Prandaj edhe ditën e djeshme shkoi në Fier për të dhuruar karta anëtarësimi për të rinj dhe të reja të sapo rekrutuar në FRESH-in e Erjon Velisë. Ky i fundit po lufton fort për t’i dhënë një imazh tërheqës, të freskët, Por a mund të jetë tërheqëse një kufomë e parfumosur? Afërmendsh Edi Rama nuk duhet nënvlerësuar sepse ka në dorë një armë shumë të rrezikshme, dhe nuk është kursi i ri. Edi nuk ka një projekt politik ose një projekt kulturor, nuk ka një strategji politike a vizion, nuk ka një hapësirë politike të përkufizuar, pasi ai duket se është përtej të majtës dhe së djathtës. Ecën në të shumtën e rasteve për inerci përtacore, carpe diem. Bile nuk ka dëshirë të punojë, nuk ka konsistencë filozofike. Paçka se është pikërisht kjo arma e tij më e rrezikshme: Rama është vakuumi intelektual që të tërheq poshtë, sepse është gropësirë si ngushtica mesh Shilës dhe Karibdës. Ai të tërheq për xhakete sepse do të të zhveshë nga civilizimi. Rama mundi të magnetizojë afër vetes të gjithë ato persona me përbërje alumini, të frustruar nga mospërmbushja e pritshmërisë personale, karriera të paplotësuara apo disidenca politike, sepse ai u vetëofrua si një medium i ftohtë, pa ngjyrë e pa shije.
Sidoqoftë deri më sot programi politik i Ramës ishte një inventar fjalës dhe shifrash për t’u hedhur hi syve gazetarëve dhe militantëve. Në thelb qitapi i kursit të ri “Rilindje shqiptare” është një bllof politik që PS-ja paraqet për të fshehur kundërthëniet strukturale që ka brenda saj. fakti që përplasja vlonjate me Edi Ramën dhe selinë e Tiranës nuk është një zhvillim i thjeshtë. Prej andej po fillon një lëvizje e mospranimit të autoritetit të kryetarit, i cili s’po respekton asnjë sensibilitet e as histori lokale të PS-së.