E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fokus/I adhuruari i Enverit, Robespieri

27-02-2012 / Nga Kostaq Xoxa

Në një qokë, qëllova afër një miku të kohës kur ishim nxënës. Këtij shokut tim të hershëm i vinin libra nga një djalë që ishte i mërguar në Francë. Ky ishte martuar me një shqiptare jetime, e cila i priste prindërit e bashkëshortit si të ishin prindët e saj.
Miku im e bënte këtë vajtje-ardhje në Francë, bashkë me të shoqen, sa herë t’i tekej. Por, ke parë ti, - më thoshte, - se i velur me bukuritë e atjeshme, nuk më rrihej më shumë atje sesa këtu, në vendin tonë? Ku është balta m’e ëmbël se mjalta? Ti e di se, kur dola nga burgu, as në ëndërr e në fiqir që të mendoja për Francën. Kisha hallin se mos më ngopnin edhe ndonjë ridënim dhe do të mbetesha eshtrahumbur! Tani, - rrofsh o PD që na hape dyert e të vete në Francë, në Paris, madjé, sa herë që të dua. Tjetër punë se ç’thotë ajo vjersha e mjaltës dhe e baltës!
Djali e di që jam qejfli librash. Atje kishte shumë libra për E. Hoxhën, por ishin në frëngjisht, së paku në atë librarinë e madhe që kishim afër. Por më dërgon edhe ndonjë në italisht, kur e gjen rastësisht. Italishten e di, por pak. Sidoqoftë librin e fundit e lexova me durim të madh. Dhe nxora si përfundim se ai Dulla ynë ishte i marrosur pas Robespierrit. Se e përmend edhe libri. Para se të ikte në Monpelié. Edhe në këtë qytet, ku nuk mori dot asnjë provim. Edhe në Paris kur vajti sërish, në atë konferencën e Paqes! Nga sa di unë, atje foli delegati jugosllav për të drejtat e shqiptarëve, se këtij tonit ia mbylli gojën Caldarisi i Greqisë, duke e shpallur hajdut, që vidhte perdet e hoteleve dhe ikte pa paguar! Por këto nuk i ka ai libri im!
-Por një libër imi ka një kapitull të tërë për Robespierrin –i thashë. – Dhe këtë jakobin terrorist të Revolucionit Francez të 1794-s, e ka futur në përshtatje me titullin “Protagonistët e së Keqes”. Ka nja 60 -70 persona të tillë që përfshihen në faqet e keqbërësve të Historisë. Se historia e personaliteteve historike as nuk ka ngé të merret me ta.
- A më përmend disa nga këta protagonistët e së keqes?
-Në ballinë gjenden Stalini, Hitleri dhe Rasputini. Përmenden që nga kohët biblike, romake, të krishterimit, të mesjetës e gjer ata të sotmit, Çaushesku, Pol Poti, Milosheviçi, Bin Ladeni. Duhej zënë në gojë  edhe E.H.-a, por duket se është parë si i parëndësishëm dhe, nga ana tjetër, po përmende Stalini, zëre se përmende Enverin, po të bëjmë një parafrazim të Majakovskit, që vrau veten se, duket, u zhgënjye edhe ai në atë regjim që poetët nuk e durojnë dot.
-Por kam parë një shkrim të një ashtuquajturi historian, se Enveri është një person historik, që duhet nderuar, se ka drejtuar vendin që nga fundi i ’44-s, gjer në 1985-n, kur vdiq. Dhe thosha me vete: A është arsye kjo  që ta nderojmë, për hir të mendësisë enveriste që na la pas?
- Edhe Neroni, Atila, Xhençis Khani, Ivani i Tmerrshëm, e të tjerë kanë sunduar për një kohë të gjatë. Por ata i përkasin “Protagonistëve të së keqes” dhe nuk kanë bërë vend në Historinë e atyre që e meritojnë të jenë persona historikë. Po të pyeten nëse  e meritojnë vendin e nderit  të historisë edhe Hitleri etj. Ata tanët s’e kanë për gjë të përgjigjen se Hitleri është mizor, kurse Enveri e lulëzoi Shqipërinë (me tallona, me vrasje të pafajshmish, me stalinizmin e tij, édhe kur destalinizimi e fshiu Stalinin nga partitë e të gjitha vendeve).
***
Tani le të shohim ç’thuhet në librin që përmendëm për Robespierrin, natyrisht duke e shkurtuar shumë këtë biografi. Në revolucionin Francez të 1789-s, Maksimilian Robespierri shoqërohet me termin Terror dhe me gijotinën e tmerrshme. Ka qenë, në periudhën e profesionit të tij si avokat, njeri modest dhe i ndershëm. Por në Revolucion u fut si përfaqësues i sankulotëve (brekëgrisurve) dhe të klasave punëtore të shfrytëzuara. Ishte i thjeshtë dhe i sinqertë më idealet e tij. Veçse, kur u bë i famshëm si orator dhe u ngrit në krye të jakobinëve, u bë fodull dhe e humbi thjeshtësinë. Fillimisht kishte qenë kundër dënimit me vdekje. E kishte për nder të ishte në grupin e Dantonit. Por, kur u bë i madh, e shpërfilli edhe këtë tribun të moderuar të revolucionit, si edhe të xhirondinëve që e admironin Dantonin. Tani Robespierri u armiqësua me xhirondinët dhe me kreun e tyre, Dantonin. Me gjithatë, - duhet thënë edhe kjo, - ai e ruajti gjer në fund nofkën mirëdashëse “i pakorruptueshmi”. Lexues i zellshëm i Rusoit, Volterit Didëroit e Monteskiëit, ishte i përkorë dhe mendimtar i së mirës, gjer në njëfarë kohe. Ishte meraklí që të vishej shik, por ky - së fundi - nuk është një mëkat.
Dashuria e tij e parë ishte për Anais Dezortínë, një vajzë që i përkiste borgjezisë së Arrasit (vendlindjes së R.). Pas pak kohe iu desh të ndahej, kur u zgjodh deputet dhe shkoi në Paris. Thuhej se po orvatej të martohej me kunatën e një miku të tij të ngushtë, Kamilë Dymulenit, që quhej Adela Dyplësí. Por edhe kjo përçapje shkoi huq.
Në fillimet e jetës së tij politike kryesoi borgjezinë demokratike, kundër zotërimit të klasave popullore, ndonëse paraqitej si mbrojtës i proletariatit.
Veçse në vitin 1792, kur kishte qenë avokati paqësor i Arrasit,  me shpërthimin revolucionar, ai sikur  nuk ishte më vetvetja. Në këtë vit, kur vdiqën mijëra të pafajshëm, ai e justifikoi gjendjen, si një shprehje të drejtësisë së popullit. Ndërmjet viktimave të famshme, ishte edhe miku i tij i madh i mëparshëm, Dantoni.
Tanimë, i lëshuar në delirin e absolutizmit më të shfrenuar, duke  thënë se revolucioni duhet të kishte një kokë dhe jo dy koka (Ai dhe Dantoni). Përgjigja në atë kohë ishte e gatshme: Një kokë. Dhe ra koka e Dantonit.
Kështu gijotina funksiononte pa ndërprerë. Nuk u kursyen as gratë, as fëmijët. Nuk u kursyen as njerëz të mëdhenj të shkencës e artit: Lavuazieri, André Sheniéi, Malherbi, Kondorséi.
Por, kur ngjiti shkallët e podiumit të gijotinës edhe 16-vjeçarja Nikola Blanshari, populli nuk duroi më: - Ah! Fëmijët jo! Britmat tani u ngritën kundër protagonistit të gijotinës. Pas shokëve të tij që ngjitën këto shkallë të përzishme (27-28 korrik 1794), duket se kupa u mbush.
Kështu, për të mos e zgjatur më shumë, përfundoi edhe vetë terroristi në thikën e mprehtë e të ftohtë të gijotinës, më 1794.
Duket se E.H,-a kishte të përbashkët me Robespierrin, kthimin e shokëve të vet në viktima!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›