Shënimet e gjetura të Adamit
Kur "Shekulli" shkroi për botimin e veprës së Jovan Adamit, dikush u kujtua se kishte shpëtuar një bllok shënimesh të studiuesit të vitit 1951, ndërsa pastrohej biblioteka e Akademisë së Shkencave
Një njeri i ndjeshëm ndaj dokumentit dhe sendeve të vjetra si Frederik Stamati, tregoi për një bllok shënimesh të vitit 1951, ku që në krye identifikohej se i përkiste Adamit.
Për hir të së vërtetës ka qenë një emër pothuajse i harruar krejt - ka vdekur pikërisht në vitin e këtij blloku shënimesh - për t'u sjellë në kujtesë me punët që ka bërë dhe veprat që ka lënë me botimin e veprës shkencore dhe publicistike të inxhinier Jovan Adamit. Trashëgimtarët, fëmijët e Adamit, botuan ç'u kishte mbetur pas vdekjes së babait dhe pas transferimeve nga njëra shtëpi në tjetrën, plus materiale nga shtypi shqiptar i viteve '20-'30, ku ai ka botuar kryesisht publicistikë.
Kur "Shekulli" shkroi për botimin e kësaj vepre, dikush u kujtua se kishte shpëtuar një bllok shënimesh të studiuesit, ndërsa pastrohej biblioteka e Akademisë së Shkencave. Dikushi, Stamati, që drejton Laboratorin e Konservimit dhe Arkeometrisë (Qendra e Studimeve Albanologjike) tha se tani po i kujtohej që e kishte lënë mënjanë bllokun me mbulesë bezeje bojëkafe, ku shkruhej J. Adam, me 152 fletë.
Ky bllok ishte hedhur mes shumë "gjërave të tjera që po linin përfare raftet e tejmbushur të Bibliotekës së Akademisë së Shkencave. Laboratori i Stamatit ndodhet pranë Akademisë dhe blloku i Adamit e pati këtë fat.
Është një ditar pune nga ekspeditat arkeologjike ku ka marrë pjesë po në vitin 1951, viti i tij i vdekjes. Është një përzierje e shënimeve të mirëfillta shkencore nga vrojtimet dhe matjet në vend të monumenteve të kulturës, saç është edhe një objekt për të sjellë ndër mend porosi që nuk do të përmbushen kurrë dhe që janë jashtë vullnetit të tij.
Adami shkruan: "Kisha e Selcës (Kozarë) është okupuar nga Kooperativa e Shit-blerjes dhe ka dëmtuar mjaft atë kishë, duhet që kooperativa të hiqet që atje."
Blloku i vogël përmban shënime për Luginën e Erzenit, referenca nga autorët romakë në gjuhën latine, emra autorësh dhe veprash që kanë studiuar terrenin në Shqipëri ose në vendet në kufi. Shënimet kryesore janë për misioneve arkeologjike dhe për itinerarin e ekspeditave, Myzeqe-Berat më 1951.
Gjatë këtij udhëtimi ai ka bërë transkriptime të mbishkrimeve greke në pllaka funerale, si për shembull në kishën e manastirit të Zvërnecit, dhe një studim mbi vetë kishën, në Kavajë ka transkriptuar mbishkrimet e kishës së Shën Kollit apo në kishën e Shën Parashqevisë. Në vazhdim ai jep një vështrim mbi piktorët kishtarë nga Grabova në Myzeqe, të cilët Ali Pasha, më 1813-ën i quan "vlleh grabovarë". Përmend Johan Çetirin dhe një Nikolla.
Ka skica planimetrie me laps plumbi për kishën e Shën Mëri Vllahernës në Berat me një pamje të "arkut triumfal". Për kishën e Shën Mëhillit po në Berat shkruan: Ka nevojë për riparim të kubesë (thollos) se bjenë gurë nga shkëmbi, duhet që të ndalohet kullota e dhivet që lëshojnë gurët teposhtë.
Duhen nga 10.000 lekë si dhe për kishat e tjera nja 20.000 lekë. Vangjel Bojaxhiu na dha shumë informata për kishat dhe di mjaft gjëra."
Trashëgimtarët që mbajnë mbiemrin Adami ishin të bindur që babai i tyre duhet të kishte shënime të hedhura lart e poshtë nëpër institucione, por dolën duarbosh prej andej.
Ata botuan tek "Jeta dhe vepra" shënimet intime të një të riu në kohë të Luftës Botërore, kur Jovan Adami ishte student në Salzburg dhe punën e tij shkencore, përfshi skica e ilustrime nga ekspeditat kërkimore arkeologjike dhe një album fotografik.
Adami ishte shkolluar në Austri për inxhinieri ndërtimi, pasi kishte punuar edhe si gurskalitës, zanat që e kishte ushtruar bashkë me të atin.
Prej kësaj pune, qysh fëmijë iu dëmtua përjetë njëri sy nga një cifël guri. Ishte lindur në fshatin Progër të rrethit të Devollit, kishte bërë filloren në shkollë greke. I ati, gurskalitës, kishte punuar në disa vende të Evropës Lindore. Ai do të merrte me vete Jovanin për të punuar bashkë deri në ndërtimet e qyteteve të Bullgarisë.
Punoi në shtypshkronjën "Mbrothësia", në koloninë shqiptare në Bullgari, të patriotit Kristo Luarasi, i cili do ta ndihmonte që të fitonte një bursë studimi për në Austri. Tek "Mbrothësia" kishte shtypur vepra të shqiptarëve të mëdhenj. Me t'u kthyer në atdhe, punoi si inxhinier bashkie, bëri plane, studime dhe aplikime për ndërtime rrugësh, urash, ujësjellësish.
Plani rregullator i Shkodrës është gjithashtu vepër e tij. Më 1935-ën, Adami është inxhinier i Bashkisë së Elbasanit, ku punon për projektimin e objekteve dhe ndjekjen e tyre në terren, i ujësjellësit të Elbasanit, i rrugës Peqin-Elbasan.
Pas tre vjetësh, deri më 1945-ën, u transferua në Tiranë, në Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare. Pastaj në Ministrinë e Ndërtimit, i ngarkuar me disa punë drejtuese në tharjen e Kënetës në Maliq, në rindërtimin e burgut të Burrelit.
Punoi për një kohë në Institutin e Shkencave, në sektorin e arkeologjisë - pasioni i tij - përkrah Hasan Cekës e Skënder Anamalit, kreu kërkime në terren dhe studime për ndërtimet e lashtësisë dhe të mesjetës, studioi monumente të kulturës, pak të njohura ose aspak, "duke ndihmuar në studimet albanologjike të brezave të tërë studiuesish të ndërtimeve antike e mesjetare, por edhe për vënien në mbrojtje të tyre, çka i shpëtoi mjaft prej tyre nga humbja", - shkruan Aleksandër Meksi në parathënien e veprës së Adamit.