Topi riemëron Berishën Kryeministër
PD-ja i nisi dje në mesditë Presidentit, në emër të koalicionit të djathtë, emrin e Berishës për Kryeministër
Berisha rikthehet në Presidencë, pas një kohe të gjatë, për të marrë dekretin e emërimit të tij si shef i qeverisë
Sali Berisha do të jetë Kryeministri i ri vendit. Kreu i shtetit, Bamir Topi, nuk është menduar dy herë, por ka dekretuar në më pak se një orë nga mbërritja e kërkesës së Partisë Demokratike, kandidaturën e kreut të kësaj partie, Sali Berisha, si Kryeministrin e ri të vendit, duke i dhënë atij të drejtën e formimit të kabinetit të ri qeveritar, përbërjen e të cilit do ta shpallte vetëm pak orë më vonë.
Megjithëse emri i Kryeministrit nuk përbënte ndonjë të fshehtë, ajo që ra në sy në këtë rast ishte pikërisht shpejtësia me të cilën u kryen procedurat formale, pra propozimi nga ana e mazhorancës e emrit të Kryeministrit të ri dhe hedhja më pas e firmës së kreut të shtetit në dekretin përkatës.
Propozimi
Në bazë të së drejtës që i garanton ligji themeltar i shtetit, Kushtetuta, Partia Demokratike, si forca kryesore e mazhorancës së re parlamentare, i ka paraqitur Presidentit të Republikës kërkesën për të mandatuar si Kryeministrin e ri të vendit, kreun e saj, Sali Berisha.
Siç bëhet e ditur nga burime pranë selisë blu, kërkesa formale është hartuar prej sekretarit organizativ të kësaj force dhe deputetit Flamur Noka dhe nëpërmjet një korrespondence postare i është dërguar kreut të shtetit.
Kështu, mësohet se shkresa zyrtare që i kërkonte Presidentit mandatimin e Berishës për një mandat të dytë si kryetar qeverie, ka dalë nga selia blu rreth orës 12 e 30 të ditës së djeshme, ndërsa ka mbërritur me postë rreth një orë më vonë në tryezën e Topit.
"Ne, partitë e koalicionit fitues të zgjedhjeve, propozojmë si Kryeministër të qeverisë zotin Sali Berisha," - thuhej në kërkesën në fjalë.
Vetë fakti që për dërgimin e një shkrese të tillë të rëndësishme u zgjodh komunikimi postar, tregon edhe një herë për marrëdhëniet institucionale dhe aspak miqësore që ekzistojnë mes selisë blu dhe institucionit të Presidentit.
Dekretimi
Duke qenë se riformatimi i institucioneve qendrore në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të 28 qershorit, ka sjellë vakum në qeverisjen e vendit, për shkak të ndërrimit të ministrave dhe stafeve të tyre, kreu i shtetit Bamir Topi nuk ka dashur të bëhet shkak për të zgjatur edhe më tej këtë situatë, ndaj, menjëherë pasi ka marrë në dorë kërkesën e PD-së, ka vendosur që të shpallë dekretin e riemërimit të Berishës në postin e shefit të qeverisë.
"Në mbështetje të nenit 93 dhe 96, pika 1 e Kushtetutës së Shqipërisë, me propozim të shumicës parlamentare, dekretoj zotin Sali Berisha, Kryeministër të Republikës së Shqipërisë", - thuhet në dekretin e shpallur nga kreu i shtetit në faqen zyrtare të institucionit të tij.
Pavarësisht përpjekjes së shefit të mazhorancës për të shmangur një kontakt të drejtpërdrejtë me Presidentin e Republikës gjatë momentit të dërgimit të kërkesës, ai është detyruar vetëm dy orë më pas që të paraqitet para ish-bashkëpunëtorit të tij, që sot mban karrigen e numrit një të shtetit, për të marrë prej tij dekretin e mandatimit për formimin e qeverisë së re.
Vizita e detyruar e Kryeministrit Berisha në Presidencë gjatë ditës së djeshme, vjen pas një kohe të gjatë marrëdhëniesh të tensionuara mes institucioneve të Kryeministrit dhe Presidentit.
Kreu i sapomandatuar i qeverisë se re ka prezantuar dje në mbrëmje 16 anëtarët e kabinetit të tij të ri