Vendimi, kushtet e reja për qiratë e objekteve
Qeveria parashikon një procedurë standarde që duhet të plotësohet për një pronë të paluajtshme që jepet me qira
TIRANË- Nga dita e sotme, të gjitha kontratat midis palëve për lëshimin me qira të një ambienti do të lidhen bazuar në kushtet e parashikuara në një vendim të posaçëm të Qeverisë. Sipas tij, në kontratë duhet të përcaktohen me detaje, duke filluar që nga pagesa e qirasë deri tek heqja e mbeturinave.
Kështu, që në momentin e lidhjes së kontratës qiradhënësi duhet t'i paraqesë qiramarrësit të dhëna të plota në lidhje me, objektin në përgjithësi, gjëndjen funksionale të shërbimeve si gazi, elektriciteti, furnizimi me ujë të pijshëm, lidhja tefelfonike, ngrohja, orenditë e tjera që ndodhen në të, nëse objekti është i kompletuar, etj.
Po ashtu, ne kontratë duhet të përcaktohet saktësisht se cila nga palët do të merret me riparimin e dëmeve që mund t'i ndodhin orendive, pagesën e taksave dhe tarifave ndaj pushtetit lokal, të dhëna mbi të drejtën e anullimit të kontratës, etj.
Gjatë lidhjes së marrëveshjes gjithashtu, qiradhënësi duhet që t'i sigurojë palës tjetër, të drejtën e përdorimit pa kufizim të orendive që ndodhen brenda në objekt, nëse ka. Në qoftë se qiradhënësi mendon se për përdorimin e komoditeteve dhe të shërbimeve, qiramarrësi duhet të paguajë para shtesë qirasë së objektit, është e domosdoshme që kjo të përcaktohet që në fillim të lidhjes së kontratës.
Sipas VKM-së, e cila është bazuar edhe në ligjin "Për mbrojtjen e Konsumatorit", nëse njëra nga kushtet e mësipërme nuk plotësohet, qiramarrësi gëzon të drejtën që të tërhiqet nga kontrata brenda tre muajve që nga lidhja e saj.
Por, edhe nëse qiradhënësi ia ofron këto të dhëna brenda një periudhe tremujore që nga data e lidhjes së kontratës, qiramarrësit i njihet e drejta e heqjes dorë nga kontrata pa asnjë shpenzim ose penalizim, brenda një periudhe dy javore duke filluar nga data kur është siguruar kjo e dhënë.
Sipas vendimit, kushtet e lidhjes së kontratës ndryshohen vetëm nëse me marrëveshje dypalëshe midis qiramarrësit dhe qiradhënësit ose për shkaqe që janë jashtë kontrollit të këtij të fundit, por me kushtin që çdo gjë t'i komunikohen me shkrim qiramarrësit para lidhjes së kontratës.
Pasi në të kundërt, çdo marrëveshje, ndërmjet konsumatorit dhe tregtarit, që është në kundërshtim me ligjin "Për mbrojtjen e konsumatorëve" dhe të këtij vendimi, në dëm të interesave të qiramarrësit, ose që redukton përgjegjësinë qiradhënësit konsiderohet automatikisht i pavlefshëm dhe shfuqizohet.
Nëse qiradhënësi vendos që të prishë në mënyrë të njëanshme kontratën, duhet që medoemos të njoftojë me shkrim qiradhënësin dhe të shlyejë të gjitha detyrimet që janë parashikuar në kontratë në lidhje me këtë çështje.