Shënohet Dita botërore e Autizmit

Drejtues të Ministrisë së Shëndetësisë me rastin e Ditës botërore të Autizmit, kanë premtuar se do të punohet në parandalimin e pasojave të izolimit sociale të fëmijëve të prekur nga sëmundja e autizmit, ndërsa në këtë drejtim do të ndihmojë edhe Qendra “Të bashkuar për autizëm”.
Të premten u shënua Dita botërore e Autizmit me ç’rast u bë edhe hapja e Qendrës “Të bashkuar për autizëm”, e cila do të jetë në shërbim të fëmijëve të prekur nga kjo sëmundje.
Autizmi është një çrregullim neurologjik i cili te fëmijët vërehet nga mosha 3-vjeçare dhe karakterizohet me vështirësi të fëmijëve në ndërveprim social, komunikim, si dhe interesim të kufizuar për aktivitete, ndërsa konsiderohet se një ndër 160 fëmijë janë të prekur nga kjo sëmundje.
Ministri i Shëndetësisë, Fehmi Agani, ka thënë se edhe pse kjo sëmundje nuk mund të parandalohet, ministria që ai drejton do të kujdeset që së paku të parandalojë pasojat dhe të socializojë fëmijët e prekur nga kjo sëmundje.
“Duke e vënë si prioritet në agjendën time dhe në vizionin tim politik unë shpresoj që lidhur me politikat shëndetësore që jemi duke i organizuar edhe në legjislacionin përkatës do të gjejmë vendin e duhur për shërbimet adekuate, të cilat në radhë të parë do të fokusohen në atë që i takon shëndetësisë dhe kjo është që të parandalojë. Në këtë rast kemi shumë pak mundësi që të parandalojmë sëmundjen, sepse ende faktorët, shkaqet nuk janë të qarta, por ne do të parandalojmë pasojat e një izolimi social, të cilët këta fëmijë duhet t’i nënshtrohen”, ka thënë ministri Agani.
Ragip Gjoshi, këshilltar i ministrit të Arsimit, ka thënë se MASHT-i ka për synim që t’i vetëdijesojë njerëzit rreth autizmit duke integruar fëmijët e prekur në shkollat e rregullta.
“Synimi ynë është vetëdijesimi i njerëzve që jetojnë në Kosovë rreth autizmit dhe integrimi i fëmijëve me autizëm në shkolla të rregullta, si dhe vetëdijesimi i mësimdhënësve prindërve dhe specialistëve të kësaj fushe për një aktivitet më të shtuar”, ka thënë ai.
Një ndër shkollat që tash e katër vjet kanë hapur dyert për fëmijët me autizëm është shkolla fillore “Ismail Qemajli” nga Prishtina. Drejtoresha e kësaj shkolle Hysnie Jasiqi ka thënë se ata fëmijë janë socializuar dhe tash janë pjesë e shkollës.
“Kemi arritur folenë tonë, kemi njohur tetë nxënës të ri të shkollës fillore “Ismail Qemajli” janë pjesë e familjes sonë shkollore dhe jemi pjesë e tyre”, ka thënë Jasiqi.
Përveç shkollës e cila tashmë ka socializuar tetë nxënës, u bë edhe hapja e Qendrës “Të bashkuar për autizëm”, e cila do të ndihmojë fëmijët e prekur nga kjo sëmundje. /kosovapress/