E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vetëm me autobusë

Ministria e Infrastrukturës ka vendosur të ndalojë të gjithë kombibusët që bartin ilegalisht udhëtarë. Ky vendim vlen për tërë Kosovën. Në rast se nga 1 prilli zihen persona që thyejnë këtë vendim, do të gjobiten rëndë, kurse udhëtarët do të mbesin në rrugë. Vendimi do të zbatohet me inspektorë dhe polici. Nga Lirita Halili & Arlinda Musliu më 01 prill 2011 në ora 11:00

Hasan Gërguri, një nga vozitësit e shumtë të kombibusëve që bart udhëtarë në mënyrë ilegale, është shumë i nervozuar. Ai nuk pajtohet me vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës, e cila ka vendosur që nga 1 prilli (sot) të gjithë kombibusët që bartin udhëtarë të largohen nga trafiku. Madje jo vetëm në Prishtinë, por në tërë Kosovën. Hasani shpreh indinjatën e tij sepse tregon se me punën që bën si vozitës e mban familjen. “Jam munduar të gjej punë legale, por e kotë. Prandaj jam detyrua të punoj me kombi për ta mbajt familjen time, që përbëhet prej tetë anëtarëve”, thotë Hasani për Express.

Megjithëkëtë, edhe pse nuk i pëlqen, thotë se do të mundohet ta respektojë deri në maksimum vendimin e marrë. “Unë e respektoj shtetin, derisa jam shtetas i tij. Po ata që kanë marrë këtë vendim, duhet të mendojnë se ka persona që punën e shoferit nuk e bëjnë për qejf”, thotë ai.

Kjo nuk është hera e parë që merren vendime të ndryshme për largimin e kombibusëve ilegalë nga trafiku. Por, është hera e parë që vendimi nxirret nga një ministri.
Kështu, Komuna e Prishtinës ka tri vite që vazhdimisht ndërmerr aksion për largim të tyre, por duket se nuk kanë pasur shumë sukses.

Pavarësisht kësaj, Muhamet Gashi, zëdhënës i Komunës së Prishtinës, thotë se vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës ata e përkrahin maksimalisht. “Ne në fakt kemi tri vite që po merremi me eliminimin e ilegalëve. Po tash do të punojmë intensivisht pasi që kemi edhe përkrahjen e ministrisë”, thotë Gashi për Express. Sipas tij, ky aksion i nisur do të vlejë jo vetëm për kombibusët, por edhe për të gjithë transportuesit e tjerë që punojnë në mënyrë ilegale. “Kjo përcaktohet edhe me ligj të komunës, prandaj ne do të mundohemi t’i zhdukim ilegalët në komunën tonë”, shprehet zëdhënësi Gashi.
Këta transportues ilegalë të udhëtarëve nuk do të ndalohen vetëm në Prishtinë, por në tërë territorin e Kosovës.

Ahmet Jashari, shef i zyrës për marrëdhënie me publikun në Komunën e Mitrovicës, thotë se ky vendim i Ministrisë së Infrastrukturës do të mbështetet edhe nga ana e kësaj komune. “Në kuadër të mundësive dhe kompetencave që ne kemi, do ta mbështesim maksimalisht këtë aksion”, thotë Jashari për Express.

Megjithatë, sikurse në komunat tjera, edhe Komuna e Mitrovicës ka tentuar vazhdimit t’i largojë të gjitha mjetet transportuese që punojnë në mënyrë ilegale.
Jashari thotë se herë pas here ka pasur aksione në bashkëpunim me policinë për largimin e kombibusëve. “Por, specifike në komunën tonë është se numri i taksistëve ilegalë është shumë i madh sepse edhe papunësia është shumë e madhe”, pohon Jashari. Sipas tij, është e vërtetë se komuna ndonjëherë ka mbyllur sytë para taksive ilegalë për shkak të papunësisë.

Pavarësisht kësaj, Ministria e Infrastrukturës të mërkurën doli me një njoftim të prerë. Duke filluar nga 1 prilli, Inspektorati i kësaj ministrie, në bazë të planit operativ dhe të plan-programit të punës, si dhe në bashkëpunim me inspektorët e kuvendeve komunale dhe Policinë e Kosovës, do të ndërmarrë një aksion për parandalimin e transportit ilegal me kombibusë.

Sipas ministrisë, meqë në tërë territorin e Kosovës ekziston transporti me autobusë, të cilët janë të pajisur me dokumentacion përkatës të lëshuar nga Ministria e Infrastrukturës, ajo lut qytetarët që për arsye të sigurisë të mos e përdorin transportin ilegal me kombibusë. “Gjatë aksionit do të ndalohen të gjithë kombibusët ilegalë, ndërsa qytetarët do të zbriten”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Infrastrukturës. Kjo është hera e parë që një ministri ndërmerr një vendim të tillë në nivel vendi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›