Tri javë për Presidentin
Kuvendit të Kosovës i kanë mbetur edhe tri javë për të zgjedhur Presidentin e ri ose endi do të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme. Legjislativi kishte votuar për kreun e shtetit më 22 shkurt, por ky votim u shpall jokushtetues nga gjykata më e lartë në vend.
Kushtetua parasheh 60 ditë afat për zgjedhjen e Presidentit që nga momenti kur fillon procedura në Kuvend.
Pavarësisht aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese se zgjedhja e Presidentit ka qenë jokushtetuese, afati prej 60 ditësh ka filluar të rrjedhë.
Kështu ka pohuar eksperti kushtetues Arsim Bajrami në një prononcim për Express të enjten.
“Afati rrjedh që nga dita e parë, pa marrë parasysh se procedimi ka qenë jokushtetues. Prej ditës së parë, kur është proceduar me zgjedhjen e Presidentit, ka filluar të rrjedhë afati”, ka thënë Bajrami.
“Kushtetuta e thotë se që nga momenti i fillimit të procedurës së zgjedhjes së Presidentit para se të kenë kaluar 60 ditë, nëse nuk vjen deri te zgjedhja e Presidentit, shpërndahet Parlamenti”, ka shtuar ai.
Nëse Presidenti nuk zgjidhet saktësisht deri më 22 prill, atëherë zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen brenda 45 ditësh, pas shpërbërjes së Kuvendit.
Gjykata Kushtetuese, përmes një aktgjykimi që u bë publik të mërkurën, ka shpallur jokushtetues votimin për zgjedhjen e Presidentit për shkak të mungesës së kuorumit në sallën e Kuvendit dhe për shkak të votimit vetëm për një kandidat.
Gjykata nuk ka dhënë rekomandime specifike për Kuvendin, por, sipas të gjitha interpretimeve të këtij vendimi, Kuvendi duhet të rivotojë për Presidentin.
Aleanca për Kosovën e Re, e cila është pjesë e koalicionit, ka filluar mbledhjen e nënshkrimeve për rikandidimin e Behgjet Pacollit për postin e Presidentit. Deputetët nga radhët e kësaj partie kanë thënë të enjten se nënshkrimet për Pacollin tashmë janë mbledhur.
Për të kandiduar dikë për President duhen 30 nënshkrime të deputetëve, derisa për të kërkuar një seancë, që në këtë rast ka të bëjë me zgjedhjen e Presidentit, duhen 40 nënshkrime të deputetëve të Kuvendit.
Deputetë të AKR’së tashmë kanë gjetur edhe kundërkandidatin e Pacollit. Sido që të jetë, ata ende nuk kanë deponuar kërkesën në sekretarinë e Kuvendit për seancë të re.
“Deri në ora 16 e 05 minuta, kur është mbyll zyra, nuk ka pasur asnjë deponim”, ka thënë Ismet Krasniqi, sekretar i Kuvendit të Kosovës, për Express.
Jozyrtarisht është folur për mundësinë që seanca të mbahet në fillim të javës së ardhshme.
Por, në Kuvend thonë se gjithçka do të vendoset pasi të shkojë kërkesa atje.
“Në radhë të parë provohet të respektohet kërkesa. Por, varet çka kërkohet, duhet të mblidhet Kryesia e Kuvendit për të vlerësuar arsyeshmërinë, edhe në bazë të arsyeshmërisë, Kryesia e vendos datën kur është e pajtimit për datën që është kërkuar apo me pas shmangie”, ka thënë Krasniqi.
Sido që të jetë, deputetët e AKR’së, Ibrahim Makolli dhe Myzejene Selmani kanë bërë deklarata kontradiktore rreth përgatitjeve që ky subjekt është duke bërë për të siguruar seancën e re dhe rikandidimin e Pacollit.
Selmani ka thënë se Kryesia e Kuvendit pritet të marrë vendimin për mbajtjen e seancës, përderisa Makolli ka theksuar se asgjë nuk është dorëzuar në administratën e Kuvendit.
“Jo, sapo të kompletohen procedurat tjera, do të bëjmë edhe kërkesën për seancë të jashtëzakonshme. Nëse nesër (e premte) dorëzohet kërkesa për një seancë, Kryesia e Kuvendit e shqyrton kërkesën dhe është afati në mbështetje të rregullores së Kuvendit kur duhet të mbahet seanca”, ka thënë Makolli.
Deputetja Selmani ka thënë se AKR tashmë ka vendosur që një deputete femër të jetë kundër-kandidate e Pacollit. Jozyrtarisht mësohet se kundërkandidate mund të jenë deputetja Suzan Novobërdali ose Muzejene Selmani.
Por, deputetja Selmani tashmë e ka të qartë preferencën e saj.
“Po ju them shumë sinqerisht se kësaj radhe Pacolli do të jetë president legjitim dhe shpresoj që opozita do të jetë racionale”, ka thënë ajo.
E kur është fjala për opozitën, shefi i grupit parlamentar të AKR’së, Ibrahim Makolli pret marrëveshje me partitë opozitare në mënyrë që të sigurohet kuorumi dhe të hyhet në procedurën e votimit për President.
“Unë as nuk mund të pohoj as nuk mund të mohoj, nuk jam pjesë e këtyre për shkak të angazhimeve tjera që kam pasur, por besoj se do duhej të ketë ndonjë lëvizje në këtë drejtim, do duhej të përafroheshin mendimet dhe qëndrimet”, ka thënë Makolli.