E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkesat e opozitës

Lidhja Demokratike e Kosovës thotë se dëshiron bisedime me PDK’në, për të vendosur nëse deputetët e saj do të rrinë në sallë kur të votohet për Presidentin. Vetëvendosje dhe AAK do ta lëshojnë sallën nëse kandidon Pacolli. Nga Valmir Klaiqi më 01 prill 2011 në ora 11:21

Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk do të rrinë në sallë kur të votohet për Presidentin e ri, nëse Partia Demokratike e Kosovës nuk ulet për të biseduar dhe eventualisht për të arritur një marrëveshje.

Këtë qëndrim e ka shpalosur të enjten deputeti Ismet Beqiri, pavarësisht se Gjykata Kushtetuese në mënyrë specifike ka adresuar obligimin e deputetëve për të qëndruar në sallë kur të ketë votime të rëndësishme.

Beqiri, i cili është edhe shef i Grupit Parlamentar të LDK’së, duke folur për kërkesën e LDK’së, ka thënë se ajo ka të bëjë me kërkesat e mëhershme për marrëveshje për ndryshimin e Ligjit zgjedhor, ndryshimet kushtetuese dhe caktimin e afatit kohor për zgjedhje të reja.

“Ne i kemi qëndrimet tona shumë të qarta. Si LDK e kemi thënë se jemi për një marrëveshje kalimtare, e cila do t’i afatizojë gjërat. Do të jetë një agjendë e qartë e ndryshimit të Ligjit zgjedhor, ndryshimeve kushtetuese dhe caktimit të datës së re të zgjedhjeve. Dhe kjo nuk nënkupton që LDK është e gatshme me hy në koalicion në Qeveri, në asnjë mënyrë. Por, jemi të gatshëm ta japim kontributin tonë nëse bëhet kjo marrëveshje dhe përcaktohet kjo agjendë për të ardhmen”, ka deklaruar Beqiri.

Sipas tij, LDK nuk është e prerë në qëndrimin e saj që zgjedhjet e reja të mbahen shumë shpejt.

“A do të shkojë një vit apo një e gjysmë, kjo nuk është e imja ta paragjykoj. Por, nëse kjo agjendë miratohet dhe arrihet një marrëveshje, ne jemi të gatshëm ta japim kontributin tonë”, tha ai.

Beqiri po ashtu deklaroi se deri tani nuk kanë pasur asnjë kontakt nga partitë e koalicionit qeverisës për të biseduar për mundësinë e pjesëmarrjes së deputetëve të LDK’së në seancën e ardhshme, kur pritet të votohet për Presidentin.
Ai ka folur me ironi kur është pyetur për kushtëzimin që kanë deputetët për të qenë në seanca kur votohet Presidenti, siç edhe ka interpretuar Gjykata Kushtetuese këtë gjë në aktgjykimin e fundit të saj.

Beqiri tha se Kosova nuk është Kubë dhe nuk është shtet me diktaturë, prandaj askush nuk mund t’i obligojë deputetët që të qëndrojnë në sallë, siç ka thënë ai, për t’i bërë qejfin Hashim Thaçit.

Derisa LDK deklarohet e hapur për një marrëveshje politike kalimtare me partitë në pushtet, dy partitë tjera më të vogla opozitare mbeten në qëndrimet e mëparshme sa i përket çështjes së Presidentit.

Visar Ymeri, shef i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, tha se për të pasur një qëndrim të qartë rreth seancës së ardhshme, Vetëvendosjes i duhen informatat se si do të rrjedhë kjo seancë.

“Së pari duhet t’i kemi informatat se si do të rrjedhë ajo seancë, në mënyrë që ta dimë se si do të veprojmë ne. Ende nuk po dihet se a do të jetë Pacolli kandidat për president dhe ende nuk po dihet se a do të jetë vetëm Pacolli kandidat”, ka thënë Ymeri.

I prerë në këtë qëndrim është edhe shefi i deputetëve të AAK’së, Ardian Gjini, i cili ka thënë se nëse Pacolli do të jetë sërish kandidat, atëherë deputetët e AAK’së nuk do të qëndrojnë në sallë.

“Nëse do të jetë zoti Pacolli kandidat për president të Kosovës në këtë koalicion me zotin Thaçi, ne prapë do ta lëshojmë sallën e Kuvendit”, ka thënë Gjini.

Sipas tij, mënyra se si interpretohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese është një përpjekje që të ndërtohet diktaturë në Kosovë, ngase, sipas tij, e drejta për bojkot është shumë demokratike.

Thaçi, pro rizgjedhjes së Pacollit
Për Kryeministrin Hashim Thaçi, çështja e Presidentit nuk është shumë problematike që të zgjidhet. Ai theksoi se ngërçi i shkaktuar do të zgjidhet shumë shpejt me zgjedhjen e Presidentit. Thaçi ritheksoi se Presidenti do të zgjidhet në bazë të marrëveshjes paraprake të koalicionit qeverisës.
“Kjo çështje është tani nën autoritetin e Kuvendit. Prandaj Kuvendi besoj se do të takohet shpejt dhe Kosova do ta ketë Presidentin e vet. Koalicioni është duke punuar dhe ju e patë sot në seancë funksionimin e shkëlqyeshëm. Prandaj, do të vazhdojmë me hapat tonë konkretë, sipas marrëveshjes që e kemi pasur më herët. Kosova do ta ketë Presidentin e vet dhe në asnjë rrethanë nuk do të lejohet ndonjë vakum. Ne nuk kemi nevojë për eksperimente, por për funksionim efektiv dhe efikas të institucioneve, me respektimin e plotë të vullnetit të qytetarëve të Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›