E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sfida Gramozi-Teuta, shtyhet për të martën

Kupa

Udhëtimet e shpeshta të Teutës gjatë muajit shkurt kanë bërë që Federata Shqiptare e Futbollit të shtyjë me 48 orë sfidën e parë në çerekfinale që durrsakët do të luajnë me Gramozin, në Kupën e Shqipërisë. Për shkak të kushteve të këqija atmosferike në juglindje të vendit dhe fushave të papërshtatshme, “djemtë e detit” nuk kanë luajtur sipas kalendarit sfidat në Korçë dhe takimin në Ersekë. Përballja me Skënderbeun u zhvillua të enjten, ku durrsakët humbën 3-0, e për efekt kohe u vendos që takimi i Kupës me Gramozin, i përcaktuar fillimisht për të dielën, të luhet të martën. Skuadrat do të zbresin në fushën e stadiumit “Ruzhdi Bizhuta” të Elbasanit në orën 14:00, pasi kolonjarët u dënuan nga Disiplinori me dy ndeshje në fushë asnjanëse. Vendimi ka ardhur pas dhunës së ushtruar ndaj gjyqtarit Denis Agaraj, nga zv/trajneri i Gramozit, Altin Hodo. Ky i fundit është bërë shembull, duke u përjashtuar përjetë nga çdo aktivitet futbollistik. Ndërkohë, të dielën do të luhet një tjetër ndeshje e prapambetur në Korçë. Skënderbeu pret Shkumbinin, për sfidën e javës së 22-të të kampionatit, që u shty prej dëborës dhe terrenit të keq.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›