E Diel, 1 Nëntor 2026

Shërbimet sekrete, Shaqiri raporton para deputetëve

Kreu i SHISH do të informojë për punën njëvjeçare

Kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri, raporton sot për herë të fundit para deputetëve. Anëtarët e Komisionit të Sigurisë u informuan dje nga kryetari i këtij komisioni, Leonard Demi, për raportimin e Shaqirit. Ky raportim pritet të jetë i fundit, për shkak se tashmë është në diskutim projektligji i ri për SHISH-in, i cili cakton një mandat 5-vjeçar për kryetarin, por dhe zëvendëskryetarin. Madje, në të përcaktohet se dy muaj pas hyrjes në fuqi të tij, do të zgjidhen drejtuesit e rinj. Gjithsesi, në bazë të kritereve të përcaktuara, Shaqiri ka të drejtë të rikandidojë për postin e kryetarit. Projektligji, edhe pse u diskutua në komisionet parlamentare, pas debateve të gjata për të është kthyer për tu ridiskutuar me ekspertët ndërkombëtarë. EURALIUS ende nuk ka dhënë një mendim përfundimtar mbi ndryshimet që duhet të bëhen në draft.

Zëvendësimi

Shaqiri do të raportojë sot në Komisionin e Sigurisë për punën njëvjeçare të këtij institucioni. Ashtu siç është bërë praktikë tashmë, mbledhja e Komisionit të Sigurisë do të zhvillohet me dyer të mbyllura dhe në të pritet të diskutohet gjerësisht për sigurinë kombëtare dhe përmbushjen e standardeve, tashmë që jemi pjesë anëtare e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Ky pritet të jetë ballafaqimi i fundit i Shaqirit, pasi pritet që legjislativi të miratojë edhe projektligjin e ri për SHISH-in. Në këtë draft parashikohet një dispozitë kalimtare, me anë të së cilës përcaktohet se brenda 60 ditëve nga hyrja në fuqi e këtyre ndryshimeve bëhet zgjedhja e drejtorit të ri të SHISH-it, i cili do të ketë një mandat 5-vjeçar. Kryeministri duhet të zgjedhë një emër për kreun e SHISH-it me pëlqimin e Komisionit parlamentar të Sigurisë. Në këtë mënyrë, rol në këtë emërim ka edhe Kuvendi. Drafti është miratuar tashmë nga Komisioni i Ligjeve dhe ai i Sigurisë, por është kaluar për të dhënë ekspertizën e vet misioni i Bashkimit Evropian, EURALIUS, i cili do të bëjë edhe vërejtjet për nenet e veçanta, për të cilat janë shprehur rezerva si nga SHISH-i, ashtu edhe nga ndërkombëtarët.

Projektligji

Në draftin e përbërë nga 10 nene, është parashikuar shtimi i detyrave të SHISH-it në kuadër të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kështu, në të parashikohet se Shërbimi Informativ i Shtetit ka për mision të sigurojë informacionin e domosdoshëm për problemet që lidhen me sigurimin kombëtar. Shërbimi Informativ i Shtetit ka për mision të sigurojë informacionin e domosdoshëm, nga jashtë dhe brenda vendit, për problemet që lidhen me sigurimin kombëtar. Shërbimi Informativ i Shtetit kryen detyrat e mëposhtme: Mbledh informacion dhe kryen veprimtari zbulimi për aktivitetet që zhvillohen jashtë vendit, në funksion të sigurimit kombëtar; mbledh informacion dhe kryen veprimtari kundërzbulimi brenda vendit për ruajtjen e integritetit, të pavarësisë e të rendit kushtetues; mbledh informacion për terrorizmin, për individë, grupe apo organizata që mbështesin e financojnë atë; mbledh informacion për prodhimin, trafikimin e armëve, e lëndëve narkotike, trafikimin e qenieve njerëzore, si dhe krimeve kundër mjedisit; mbledh informacion që i shërben zbulimit apo parandalimit të krimit të organizuar, kontrabandës, pastrimit të parave, si dhe korrupsionit të personave që ushtrojnë funksione publike kur ky korrupsion cenon sigurimin kombëtar; mbron sigurinë e veprimtarisë së vet, të informacionit, të punonjësve, të aseteve dhe të teknikës me mjete të përshtatshme, duke përfshirë verifikimin e kualifikimin e kandidatëve, të të punësuarve e të kontraktuesve, kryen certifikimin e personave (Vetting), sipas përcaktimeve përkatëse ligjore; kryen veprimtari mbështetëse tekniko - administrative, sipas nevojave, për realizimin e funksioneve të mësipërme. SHISH, në përmbushje të detyrave të tij, me pëlqim të kryeministrit, bashkëpunon me shërbime të vendeve të tjera dhe mbledh informacion rreth veprimtarisë së tyre, kur kjo është e nevojshme, - shkruhet në draftin e SHISH-it. Në draft parashikohet gjithashtu që drejtori i paraqet Kryeministrit raport vjetor për punën e Shërbimit Informativ të Shtetit, si dhe i raporton kur i kërkohet nga Kryeministri, në çdo kohë dhe për çdo çështje që lidhet me veprimtarinë e SHISH-it. Me kërkesë të Kryeministrit, drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit raporton edhe në Këshillin e Ministrave. Propozuesit janë në pritje të sugjerimeve të ndërkombëtarëve për të riparaqitur draftin në Kuvend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›