E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova e pavarur, pavarësisht vendimit të GJND-së

Ish-ndërmjetësuesi i OKB-së për statutin e Kosovës, Martti Ahtisaari, ka thënë se Kosova është e pavarur dhe se do të mbetet shtet i pavarur, pa marrë parasysh mendimin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Gjykata e Hagës pritet të shpallë, gjatë verës, opinionin këshillëdhënës mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së saj, i cili ishte iniciuar me kërkesën e Serbisë.

“Mendoj se është e rëndësishme për çdonjërin të fillojë të kuptojë se çfarëdo që të ndodhë në procedimet e gjykatës ndërkombëtare, Kosova është shtet i pavarur dhe do të mbetet shtet i pavarur. Unë mendoj se ky është një fakt, të cilin çdonjëri duhet ta marrë në konsideratë, veçanërisht ata që kanë ambicie të përpiqen t’i bashkëngjiten Bashkimit Evropian”, tha Ahtisaari, duke iu referuar qartë Serbisë.

Ish-emisari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara në bisedimet për statusin e Kosovës, Ahtisaari, i bëri këto komente në selinë e Kombeve të Bashkuara në New York.

Ahtisaari, i cili ishte president i Finlandës, ka fituar Çmimin Nobel për Paqe, për kontributin e dhënë për paqe në shumë vende të botës, përfshirë dhe Kosovën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›