E Diel, 1 Nëntor 2026

Shërbimi i Provës, 605 orë pune në komunitet për personat nën mbikëqyrje

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu theksoi sot rëndësinë e punës në komunitet si pjesë e procesit të riintegrimit për personat që vuajnë dënimin nën mbikëqyrjen e Shërbimit të Provës.

Përmes një postimi nw rrjetet sociale, Gogu shprehet se dënimi nuk duhet të matet vetëm me kohëzgjatjen e tij, por edhe me mundësinë që u jepet individëve për të kontribuar në shoqëri.

Sipas tij, personat nën mbikëqyrjen e Shërbimit të Provës kanë realizuar gjithsej 605 orë punë në interes publik, duke kontribuar pranë bashkive në të gjithë vendin.

Punët janë kryer kryesisht në ndërmarrjet e shërbimeve publike dhe kanë përfshirë aktivitete si pastrimi, gjelbërimi dhe mirëmbajtja e territorit.

“Përtej afatit të dënimit, ka rëndësi edhe rruga që shtrohet drejt riintegrimit”, thekson ministri Gogu.

Shërbimi i Provës është një institucion shtetëror në varësi të Ministrisë së Drejtësisë. Ai mbikëqyr personat që kryejnë vepra penale dhe dënohen me dënime alternative në vend që të shkojnë në burg.

/m.q/r.e/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›