E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherefedin Shehu: Rruga e Arbërit inaugurohet në 2011

Flet zv/ministri i Financave: Reformat e ndërmarra në 4 vite të qeverisjes së PD-së kanë rritur mirëqenien e qytetarëve

Kandidati i PD-së në qarkun Dibër: Kandidimin e kam përjetuar si ngjarje të veçantë pasi mendoj se do të shndërrohem nga një deputet pa mandat që besoj kam qenë për dibranët në një deputet tashmë me mandat për vendlindjen time, për qarkun tim, pasi mandati të jep më shumë mundësi

 “Profesor dhe ekspert i buxhetet dhe financave me eksperience 30 - vjeçare akademike dhe profesionale. Kështu do ta konsideronte kryeministri Berisha kandidatin e PD-së në Qarkun Dibër Që nga viti 2005 është Zëvendës Ministër i Financave pas një karriere si profesor dhe shef i katedrës se financave publike, menaxhimit financiar, sistemit tatimor dhe auditit”. I lindur në Vlesh të komunës Sllovë të Dibrës më 1956, zoti Shehu me vështirësi e sakrifica vazhdoi shkollimin bazë gjithmonë me rezultate të shkëlqyera. Me shumë peripeci arriti të shkollohet në shkollë të mesme. Në vitin 1978 diplomohet në Universitetin e Tiranës si financier me rezultate të larta. Në vitin 1987 fiton gradën shkencore Doktor i shkencave. Në vitin 2003 përfundon studimet në Amerikë. Përveçse kryen studimet, ftohet të japë leksione në Universitetin e Ilinoisit në SHBA. Kualifikohet në disa universitete me zë në shtete të ndryshme si në Turqi e Skoci. Është pjesëmarrës në shumë konferenca ndërkombëtare edhe si kumtues në to. Një vit pas përfundimit të Universitetit të Tiranës thirret pedagog në atë universitet në vitin 1979 deri në vitin 1993, duke nxjerrë breza të tërë studentësh nga gjithë vendi dhe duke fituar respektin e mirënjohjen e tyre.
Për shkak të aftësive profesionale dhe orientimit të tij politik, në vitin 1993, emërohet në punë Drejtor i Thesarit të Shtetit deri në vitin 1996. Në vitin 1996 emërohet zv/ministër i financave deri në vitin 1997. Deri në ardhjen në pushtet të partisë demokratike në vitin 2005 ku emërohet sërish zevendes ministër i financave, ai punon si konsulent i pavarur financiar me USAID-in, me Bankën Botërore, me SOROS-in etj, nga viti 1998 deri në vitin 2005. Në vitin 1997 Partia demokratike e caktoi kandidat për deputet në Dibër. Është autor librash shkencorë, artikujsh të shumtë në shtypin e huaj shkencor. I martuar, me dy fëmijë të cilët janë në fazën e diplomimit në universitete të ndryshme.
Zoti Shehu, si zv/ministër i Financave bashkë me stafin e këtij institucioni, keni meritën e një reforme të shkëlqyer fiskale në vend e cila është vlerësuar nga të gjitha institucionit ndërkombëtare financiare. Mendoni se kjo ka dhënë produktin e asaj çfarë keni pritur për qytetarin?
Reformat fiskale të ndërmarra në këto katër vite të qeverisjes së Partisë Demokratike absolutisht kanë dhënë efektet e tyre në favor të qytetarëve shqiptarë. Njerëzit tanë kanë paguar këto vite më pak taksa, përfituan më shumë investime të cilat edhe qorrat i shohin ngado nëpër Shqipëri, investime që do të jetojnë shumë gjatë dhe do të lehtësojnë jetën e shqiptarëve, njerëzit kanë marrë paga më të larta, pensione më të larta. Ju siguroj se produkti i reformave është ndjerë e prekur nga të gjithë qytetarët por do të jetë shumë shpejt edhe më i ndjeshëm e i prekshëm. Unë si pjesë e ekipit që jemi marrë me këto reforma ndjehem mirë, ndjej se jemi plotësuar e vlerësuar nga politika dhe shoqëria shqiptare.
Si pasojë e një mentaliteti të ri drejtimi, një filozofie të re qeverisëse si dhe falë masave fiskale të ndërmarra gjatë mandatit të parë qeverisës, ku spikat ulja e taksave, keni mundur të shumëfishoni të ardhurat. Siç ka deklaruar edhe kryeministri Berisha është mundësuar vjelja e miliarda dollarëve destinacioni i të cilave nuk dihej më parë, ose shkonin në xhepat e pushtetarëve? Si është bërë e mundur kjo?
Tashmë dihet se të ardhurat e shtetit vidheshin nga ish-pushtetarët, shpërdoroheshin dhe keqpërdoreshin. Kjo s’është e re për lexuesit tuaj dhe për asnjë shqiptar që jeton në këtë vend dhe është i lidhur me këtë vend. Llogarisni se sa e kemi sot buxhetin e shtetit, llogarisni se mesatarisht një miliard dollarë e kemi shtuar vit për vit, llogarisni se kemi bërë vit për vit buxhet shtesë. Kjo duhet vlerësuar nga njerëzit normalë.
Forcimi i administrimit ose më saktë modernizimi i sistemit tatimor e doganor, shkëputja ose prerja e lidhjeve të qeveritarëve dhe pushtetarëve nga bizneset, zhdukja reale e monopoleve qeveritare, ndarja e qeveritarëve nga bizneset, kjo është ajo që ka ndodhur në vitet që ka drejtuar kryeministri Berisha. Vumë sisteme elektronike të vjeljes së të ardhurave në dogana e tatime dhe u rrit besimi i bizneseve tek qeveria. U eliminua konkurrenca e pandershme. Funksionoi parimi paguajnë të gjithë por paguajnë më pak dhe paguajnë vetëm për shtetin dhe jo ryshfet zyrtarëve.
Falë këtyre të ardhurave keni rritur pagat dhe pensionet, por edhe financuar ndjeshëm investimet publike. Më duhet të theksoj se veç fondeve publike të cilat kanë qenë të konsiderueshme keni marrë dhe kredi nga institucionet bankare si BB, FMN apo dhe banka të tjera ku së fundmi keni marrë për një aks të rrugës Durrës – Kukës - Morinë. A mund të na thoni sa është borxhi sot krahasuar më qeverisjen e PS-së në raport me GDP-në. Po jua bëj këtë pyetje duke marrë shkas nga një deklaratë e ish-zv/ministres së Financave znj.Berberi, e cila në një takim me gazetarët deklaroi e habitur se qeverisja juaj ka mundur të bindë institucionet ndërkombëtare të financohen në këto limite?
Borxh apo kredi i jepet një individi, një familje apo një shteti kur ai që jep ka besim se i kthehet borxhi. Ne jemi sot të besueshëm dhe ndaj nuk kemi dyer të mbyllura nga institucionet financiare. Borxhi është ulur nga 58% të GDP që ishte në kohën e PS në 54% të GDP. Po kështu edhe kostoja e shërbimit të borxhit është ulur nga 2.8 në 2.3% të GDP. Institucionet ndërkombëtare na besuan sepse ne marrim kredi vetëm për investime dhe nuk marrim kredi si qeveria socialiste që merrte kredi për të financuar administratën e saj. Investimet janë shpenzime që e paguajnë veten e tyre. Ndërkombëtarët na besuan sepse ne krijuam një sistem buxhetimi të bazuar në prioritete dhe të përqendruar në prioritete të mëdha me efekte të ndjeshme në zhvillimin ekonomik e social të vendit.
Më 1 maj keni ngritur sërish ndjeshëm pagat dhe pensionet, ndërkohë që në shumë vende të tjera, qoftë dhe evropiane janë në krizë, dhe madje në vende si Kroacia ka ndodhur e kundërta, janë ulur pagat dhe pensionet. Si numri dy i financave, sa garanci jepni për qytetarët se kjo rritje do të vazhdojë paralelisht me financimin e investimeve?
Qytetarët shqiptarë provuan këto katër vjet se ne nuk qeverisëm mirë rastësisht por me përgjegjësi e përkushtim të lartë, me mendim ekonomik e financiar të studiuar e konsoliduar. Garancia e rritjes së pagave e pensioneve që do të vazhdojë patjetër pasi është krejt e studiuar, buron nga qëndrueshmëria fiskale e Shqipërisë dhe ulja e shpenzimeve qeveritare që nuk janë produktive. Rritja e investimeve do të nxisë zhvillimin e bizneseve, do të sjellë më shumë të ardhura në buxhet dhe për pasojë, më shumë mundësi për rritje pagash e pensionesh. Dhe ne do ta arrijmë shumë shpejt objektivin e qartë që kemi për të barazuar pagat dhe pensionet me ato të standardeve evropiane.
Kriza globale nuk e ka përfshirë Shqipërinë. Një fakt të tillë e kanë pohuar dhe organizmat ndërkombëtare financiare, mediat më të mëdha ndërkombëtare. Madje institutet kërkimore financiare flasin se sërish këtë vit vendi ynë do të ketë rritjen ekonomike më të madhe në rajon dhe Evropë. Duke qenë se profesioni juaj primar është të qenit ekonomist, cili mendoni se është çelësi i këtij suksesi, mos integrimi i plotë në ekonominë botërore apo masat e marra nga qeveria?
Flas si specialist dhe njohës i mirë i fushës për të cilën jam investuar. Shqipëria nuk ka krizë, nuk është në krizë sepse i kemi paraprirë asaj si të thuash edhe rastësisht me masat që kemi marrë dhe që na rezultuan edhe masa antikrizë të marra në momente të volitshme. Baza e qëndrueshmërisë së ekonomisë shqiptare janë politikat që kemi ndjekur e që tani mund të quhen antikrizë. Siç ishte ulja e taksave dhe krijimi i klimës së favorshme për bizneset, ulja dhe reduktimi i burokracisë, mbështetjet që kemi dhënë në shumë drejtime për bizneset e vendit. Por një efekt të madh kanë luajtur edhe reformat e thella strukturore si privatizimet e ndërmarrjeve të vogla e të mesme, por sidomos të atyre strategjike që bëmë vitet e fundit. Nëpërmjet tyre u bë e mundur që në Shqipëri të vijnë kompani dhe biznese shumë serioze ndërkombëtare me reputacion në botë. Por vlen të thuhet se edhe në sistemin bankar përveç prezencës së investimeve serioze, sistemi i mbikëqyrjes është bazuar në standardet më të mira ndërkombëtare.
Infrastruktura, veçanërisht ajo rrugore ka qenë një prioritet i qeverisë Berisha dhe rezultatet janë konkrete. Me mijëra kilometra rrugë të asfaltuara, spikat investimi i shekullit siç është rruga Durrës-Kukës-Morinë, pjesë se së cilës është dhe tuneli Thirrë -Kalimash. Sërish dhe mandatin e dytë e keni shpallur epokën e re të infrastrukturës dhe si dy nga investimet më të rëndësishme mund të përmend rrugën e Arbërit, një aks shumë i rëndësishëm jo vetëm për Dibrën ku kandidoni, por dhe për vendin dhe rajonin, dhe boshtin e jugut? Duke qenë se janë investime që kërkojnë para, si zv/ministër i Financave, mendoni se do ta mund t’ia dilni?
Dhamë prova të mëdha dhe u treguam të suksesshëm në realizimin e investimeve të jashtëzakonshme siç është kryeinvestimi i vendit, kryerruga e kombit ajo Durrës – Kukës. Kryeministri Berisha ka shpallur boshtin e jugut prioritet. Askush më nuk guxon të dyshojë në atë që thotë Sali Berisha. Ndërsa rruga e Arbërit quhet e kryer sepse i ka financimet dhe është projekt në mes. Këto ditë tenderohet pjesa e vështirë që është tuneli në Qafë Buall dhe rruga e Arbërit që do ta bëjë realisht Dibrën pjesë të Tiranës inaugurohet maksimumi brenda dy vitesh plotësisht. Segmente të saj janë sot të përfunduara dhe njerëzit po e shohin, po e besojnë. Siç të gjithë në Dibër e Bulqizë e dinë mirë dhe e besojnë plotësisht se po të mbetet në dorë të socialistëve rruga e Arbërit nuk bëhet kurrë. Se socialistët në gjithë vitet e qeverisjes së tyre nuk kanë bërë rrugë dhe asnjë investim serioz që të ngjall besim. Dibranët këtë duhet ta vlerësojnë seriozisht sepse kjo rrugë do ta përmirësojë shumëfish mirëqenien e do ta lehtësoje shumëfish jetën e dibranëve. Kjo rrugë ju siguron jetesë më cilësore, mosvrarje të kohës, mosrrënim ekonomik, mosbraktisje të Dibrës që është një vend ideal për jetesë pasi ofron shumë mundësi. Për të gjitha projektet ne do t’ia dalim plotësisht pasi projektet që kushtojnë më shumë janë të përfunduara ose po përfundojnë dhe të gjitha këto projekte e kanë financimin të garantuar dhe nuk kërkojnë më financime. Burimet e reja të brendshme e të jashtme të financimit do të shkojnë në projekte të reja. Ndër më të rëndësishmit është përfundimi i rrugës së Arbërit.
I kthehemi politikës. Kryeministri Berisha dhe PD, veç emërimit si ministër i Financave ju ka besuar dhe politikisht duke ju listuar si kandidat për deputet në qarkun Dibër. Duke qenë se ky vjen si vijim i vlerësimit të lidershipit të forcës politike që i kandidoni dhe si dibran, si e përjetoni këtë besim që iu është dhënë?
Duhet domosdoshmërisht të shpreh falënderim për vlerësimin që më është bërë, vlerësim i përsëritur pasi unë kam qenë kandidat për deputet i Partisë demokratike edhe në vitin 1997. Kandidimin e kam pritur edhe si vlerësim të punës katër vjeçare si zëvendësministër i financave, si vlerësim për atë kontribut modest që kam dhënë Partisë demokratike dhe qeverisjes nga ana e saj. Kandidimin e kam përjetuar si ngjarje të veçantë pasi mendoj se do të shndërrohem nga një deputet pa mandat që besoj kam qenë për dibranët në një deputet tashmë me mandat për vendlindjen time, për qarkun tim, pasi mandati të jep më shumë mundësi.
Jeni në kulimin e fushatës dhe po shkelni në çdo fshat, komune apo qytet. Duke qenë se keni qenë të lidhur me Dibrën, në kontaktet tuaja e keni konstatuar cilat janë nevojat më imediate të tyre për të cilat keni shprehur angazhimin deri më tani dhe premtoni se do t’i vini në rrugën e zgjidhjes?
Fushata vazhdon e qetë. Fushatën na e ka bërë Sali Berisha për katër vjet me punën që ka bërë kjo qeveri edhe në qarkun e Dibrës, me qindra investime në Mat, Bulqizë e Dibër. Ne si ekip simpatik që jemi të gjashtë kandidatët me në krye ministrin e bujqësisë z. Gjana, që është treguar bujar me Dibrën sepse dibranët janë shumë punëtorë, kemi marrë shumë takime e kontakte me njerëzit, me strukturat. Kemi identifikuar problemet. Në qarkun Dibër duan të bëjmë rrugët me asfalt ngado se dibranët thonë një fjalë, fëmijët me bukë nuk na i ruan qeveria, i ruajmë vete. Do të bëhen rrugët, ujësjellësit e pabërë, por njëherë kryesorja është rruga e Arbërit. Shoh se ka rritje të besimit të njerëzve tek ne dhe tek qeveria. Ka optimizëm të njerëzve dhe besim se do të jetë më mire ndaj ata shprehen se nuk do të ikin më nga vendlindja e tyre, nuk do të ikin më nga fshatrat tona. Do të shfrytëzohen resurset për bujqësi të zhvilluar, turizëm e agroturizëm, të cilat i mundëson rruga e Arbërit para gjithkujt tjetër. Shoh me gëzim se në rajonin e Dibrës dhe të Matit është rritur cilësia e kërkesës dhe kjo është shenjë e mirë.
Si ju duket lista e PD-së për gjithë Shqipërinë? Mendoni se është superiore krahasuar më atë të PS-së?
Është shumë superiore, dinjitoze, suprizuese dhe që të ngjall besim.
Si do të jetë rezultati zgjedhor në Dibër dhe përse mendoni se Partia Demokratike do t’i fitojë zgjedhjet?
Partia demokratike do të fitojë me shumicë deputetë, do të kemi fitore cilësore dhe ne po synojmë për cilësi të fitores, për zmadhim të saj pasi ne jemi të fituar, por duam një maxhorancë të madhe. Njerëzit e duan PD dhe e besojnë atë. E besojnë shumë edhe mjaft socialistë që janë aksidentalisht socialistë por që shohin jetën e tyre dhe jo ti bëjnë fresk Edi Ramës, shohin punët e bëra. Ajo që është më e rëndësishmja dhe që i bën të qetë e të sigurt dibranët e matjanët është fakti se ata nuk ndjehen të braktisur, të lënë pas dore, por ndjejnë se janë në vëmendje të qeverisë dhe të Sali Berishës. Qarku i Dibrës e ka mirëkuptuar PD dhe politikat e saj qeverisëse për të financuar më parë projektet kombëtare si ai i rrugës Durrës- Kukës e më pas ato lokale me rëndësi të dorës së parë si rruga e Arbërit.
11. Çfarë mesazhi keni marrë nga zgjedhësit në këto takime elektorale?
Të jetë shteti njerëzor. Të zgjedhurit të shohin zgjedhësit në sy.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›