E Diel, 1 Nëntor 2026

Skandal në paraburgim, vidhet ushqimi, të dënuarit pa ngrohje dhe pa dushe

Raporti i Institutit Evropian: Të miturit në paraburgim dhunohen dhe keqtrajtohen. Burgjet pa autoambulanca, të sëmurët dërgohen në spital me makina policie

institucione te paraburgimitNjë raporti i fundit i Institutit Evropian të Tiranës evidenton gjendjen skandaloze në të cilën ndodhen sot institucionet e paraburgimit në Shqipëri. Mes sëmundjeve dhe mungesës së ushqimit, të dënuarit shqiptarë po e vuajnë dyfish dënimin. Raporti ka monitoruar të gjitha institucionet e paraburgimit (përgjatë vitit 2012), duke dalë me një sërë rekomandimesh drejtuar qeverisë shqiptare për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut, kryesisht ndaj të miturve në sistemin e paraburgimit.
Ngrohja dhe ushqimi
Gjatë intervistave të dënuar në Institucionin e Paraburgimit Jordan Misja në Tiranë kanë pohuar se ushqimi nuk është i bollshëm, buka shërbehet vetëm një herë në ditë, gjatë drekës, ndërkohë që gjatë dimrit kaloriferët nuk ndizen rregullisht dhe ata detyrohen të ngrohen vetëm më batanije. Në disa raste kur kanë mundësi të afërmit depozitojnë para në llogaritë e të burgosurve në mënyrë që ata të kenë mundësi të paguajnë për ushqim shtesë. Familjarëve u lejohet të sjellin edhe ushqim nga shtëpia për të paraburgosurit.
Shërbimi shëndetësor
Sa i përket shërbimit shëndetësor në shumë burgje ka mungesë të theksuar medikamentesh; mjekësh (sidomos stomatologë dhe psikiatër) si dhe nuk ka autoambulancë për raste urgjence. Kur sëmuren të dënuarit dërgohen në spital me makina policie. Madje në rastet e të sëmurëve mendorë janë familjarët ata që blejnë nga jashtë ilaçet për trajtimit e tyre (një fakt i tillë është konstatuar në Institucionin e Paraburgimit në Vlorë).
Dhuna në burgje
Në raport thuhet se ka pasur mjaft raste të ushtrimit të dhunës dhe keqtrajtimit ndaj të miturve, dhe se fajtor për këtë është stafi i burgjeve që ka një nivel shumë të ulët të arsimimit dhe trajnimit, duke mos ditur se çfarë përkufizohet me të drejtat e njeriut. Ndaj rekomandohet që të bëhet një rishikim serioz mbi kriteret e rekrutimit dhe procedurat përkatëse për stafin e burgjeve të të gjitha niveleve. Stafi duhet të heq dorë nga shkaktimi i dhunës, torturës apo i çdo forme tjetër keqtrajtimi fizik ose mendor mbi të dyshuarin apo të dënuarin, thuhet në rekomandimet e nxjerra prej Institutit Evropian të Tiranës.
Transferimi
Problem në institucionet e paraburgimit mbetet edhe ndarja e qelive për të miturit nga të rriturit, dhe ndarja sipas gjinisë. Është vërejtur shpesh në sistemin e paraburgimit në Shqipëri që të paraburgosurit e moshës 18-21 vjeç strehohen në ambientet e paraburgimit së bashku më të rriturit, në një kohë që ligji kërkon trajtimin e tyre më vete. Gjithashtu në sistemin e paraburgimit në Shqipëri nuk ekziston një seksion i veçantë për të paraburgosurat femra të mitura. Po ashtu problem mbetet edhe mos transferimi i menjëhershëm i të paraburgosurve, të cilët kanë marrë nga gjykata vendim fajësie të formës së prerë. Ata lihen me javë dhe me muaj në pritje të transferimit.
Rekomandimet
Instituti Evropian i Tiranës i ka nisur qeverisë dhe më konkretisht Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve (DPBSH) rreth 150 rekomandime, por prej tyre vetëm 65 ose 43 % janë pranuar, ndërsa 85 ose thënë ndryshe 57 % janë refuzuar, dhe nuk janë konsideruar nga DPB si probleme ekzistuese.  Pavarësisht situatës IET e cilëson këtë si një hap të rëndësishëm, që flet për një frymë dialogu nga ana e institucioneve përgjegjëse, në përmirësimin e kushteve në institucionet e paraburgimit. Raporti në fjalë është  hartuar nga Instituti Evropian i Tiranës në partneritet me Shoqatën e Psikologëve Shqiptarë, dhe është financuar nga Bashkimi Evropian dhe Instituti i Shoqërisë së Hapur.

Punësimi dhe arsimimi
Të qëndruarit në paraburgim nuk duhet të ndërpresë në mënyrë të padrejtë arsimimin e fëmijëve apo të rinjve, ndaj dhe duhet të krijohen kushte për arsimimin si dhe punësimin e tyre, thuhet ndër të tjera në rekomandimet e bëra nga IET. Në lidhje me punësimin raporti kërkon nga institucionet shqiptare që të për të dënuarit e punësuar të respektohet Kodi i Punës; duke filluar që nga paga e cila nuk duhet të jetë më e vogël se paga minimale dhe se vitet e punës në burg duhet të njihen si vjetërsi pune (pjesë e skemës së sigurimeve shoqërore). Por aktualisht raporti konstaton se të gjitha këto kushte nuk zbatohen në sistemin shqiptar të paraburgimit duke diskriminuar këtë kategori qytetarësh.

Ushqimi dhe uji
Në institucionet e paraburgimit edhe nevojat më bazike të të burgosurve siç janë ushqimi; uji apo sistemi i ngrohjes lënë për të dëshiruar. Grupi i ekspertëve monitorues të Institutit Evropian të Tiranës i ka rekomanduar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve që të mbyll ato institucione të paraburgimit të cilat kanë një infrastrukturë tejet të amortizuar, pavarësisht rregullimeve të bëra. Më e rëndësishmja është që të alokohen fonde shtesë për sigurimin e ushqimit; të reduktohen abuzimet në këtë drejtim; dhe të kryhen kontrolle më të shpeshta duke nisur që nga momenti i tenderit për blerjen e produkteve ushqimore e deri në shpërndarjen e tyre për të paraburgosurit. Gjatë monitorimit janë vërejtur mungesa në cilësinë; llojshmërinë por edhe sasinë e ushqimit që konsumojnë të paraburgosurit. Për më tepër ka institucione të paraburgimit ku mungon sistemi i ngrohjes; uji i rrjedhshëm apo dushet.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›