E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shërimi, nga magjitë, tek zbulimi i penicilinës

Autori i Lajmit: red.
Që në kohët e lashta, njerëzit përpiqeshin të lehtësonin vuajtjet nga plagë të ndryshme. Por arti i mjekimit lindi vetëm atëherë, kur njerëzit filluan të ndihmojnë njëri-tjetrin. Ky art me zhvillimin e shoqërisë u shndërrua në shkencë mjekësore. Për të shpjeguar misteret e botës së panjohur, njeriu i lashtë krijoi magjinë. Dhe gjithe kjo botë e panjohur për të hodhi rrënjë edhe tek arti i mjekësisë. Plagosjet i shihte si humbje e magjisë mbrojtëse, ndaj edhe mjekimet e para u shoqëruan me rituale magjike.
Arti i mjekimit mendohet se ka lindur 20 mijë vjet më parë. Në shpellat e Pirenejve në Francë është gjetur një vizatim i kësaj periudhe, ku tregohet një njeri që mjekonte të plagosurit me një veshje karakteristike. Vite me radhë, rolin e mjekëve e luanin priftërinjtë paganë që gjoja merreshin vesh me forcat e mbinatyrshme. Njeriu duke mjekuar mësonte nga përvoja dhe gabimet e veta. Ai filloi të përdorte ato metoda mjekimi që jepnin rezultat dhe të tjerat i braktiste. Por kudo do të ishte e pranishme dhe magjia dhe do të duheshin mijëra vjet që arti i mjekësisë të shkëputej prej saj. Zhvillimi i mëtejshëm i shoqërisë njerëzore solli me vete edhe zhvillimin e mjekësisë. Filluan të përpunoheshin metoda të reja mjekimi dhe instrumente mjekësore, të bëheshin operacionet e para etj. Hapat e parë në këtë drejtim u bënë në Kinë, Indi, Mesopotami, Egjypt etj.
Librat e lashta indiane japin të dhëna për zhvillimin e mjekësisë dhe veçanërisht, të kirurgjisë në Indi. Atje përshkruhen operacione nga më të ndryshmet, sidomos ato plastike, që ishin karakteristike për indianët,etj.
Egjipti i lashtë
Papiruset në Egjiptin e lashtë japin të dhëna të rëndësishme për njohuritë anatomike, barnat, njohuritë fiziologjike, për mjekët specialistë të kokës, syve, barkut, dhëmbëve etj. Themeluesi i Dinastisë së parë egjiptiane, Menesi (3400 vjet p.e.s.) ishte faraon dhe mjek. I biri i tij Afotisi shkroi një libër për anatominë e njeriut, që mendohet të jetë i pari i këtij lloji. 3200 vjet p.e.s., perandori Usafis shkroi traktatin mbi enët në organizëm, numri i të cilave sipas tij ishte dymbëdhjetë. Egjiptiani Imfotep që njihet si mjeku i parë i vërtetë, jetoi 2600 p.e.s. Ai kishte një talent të gjithanshëm si Leonardo Da Vinçi dhe është projektuesi i njërës prej piramidave egjyptiane. Imfotepi ka lënë shkrimet e para të çmueshmë mbi historinë e sëmundjeve dhe shkroi librin "Libri i fshehtë i mjekut", që është përshkrim i sistemuar i 48 sëmundjeve. Pas vdekjes, egjyptianët e bënë atë perëndinë e mjekësisë.
Mjekët e vjetër egjiptianë bënë përpjekje për grumbullimin e përvojës së praktikës mjekësore mbi bazën e interpretimit të drejtë të fakteve. Megjithatë, kishte dhe ligje akoma barbare që pengonin futjen e gjërave të reja në mjekësi, siç ishite ligji që thoshte, se mjekët që merrnin përsipër shërimin e një të sëmuri dhe nuk e shëronin atë, dënoheshin.

Greqia e lashtë
Hipokrati, babai i terminologjisë mjekësore që përdoret edhe sot
Mjekësia egjiptiane me arritjet e saj u bë baza e zhvillimit të mjekësisë në Greqinë e vjetër. Vetë grekët konsiderohen si nxënës të kulturës së lashtë egjiptiane. Në veprat e Homerit "Iliada" dhe "Odisea" shprehen njohurite kryesore mbi periudhën më të lashtë të historisë greke. Atje jepen edhe të dhëna mbi mjekësine e kohës. Homeri tek "Iliada" përshkroi rreth 140 raste plagosjesh dhe tregoi sesi mjekoheshin disa prej tyre. Nga poema bindemi se grekët njihnin edhe pulsimin e zemrës.
Bashkëkohësi i Heraklitit, Alkameoni nga Krotoniti (500 vjet p.e.s.) ishte i pari që pranoi se truri është qendra e veprimtarisë njerëzore. Ai bëri shumë studime të rëndësishme duke hapur kufomat. Shkroi një libër mbi anatominë, që u bë baza e mjaft zbulimeve të mëtejshme anatomike. Ai arriti në përfundimin, që lëvizja e gjakut, edhe pse nuk është uniforme, është e vazhdueshme.
Trikëndëshi platonik i shpirtit
Sipas Platonit ( 427-347 p.e.s.) njeriu drejtohet nga tre llojet e shpirtit ose "pneumat", të cilat vendosen në tre organet kryesore; në tru, në mëlçi dhe zemër dhe përbëjnë të ashtuquajturin trekëndësh të Platonit. Aristoteli (384-322 p.e.s.) zhvilloi më tej teorinë e Platonit dhe njëkohësisht, bëri edhe një sërë eksperimentesh që ndihmuan në zhvillimin e mjekësisë. Ai ishte i pari që u përpoq të krahasonte trupin e kafshëve dhe të studionte embrionin, duke u bërë kështu, nismëtari i anatomisë krahasuese dhe embriologjisë. Ai theksonte se kafsha e ka prejardhjen nga kafsha, dhe në këtë mënyrë ndoqi rrugën studimit të organizmit nga pikëpamja e zhvillimit.
Padyshim që zhvillimi i mjekësisë në Greqinë e vjetër u bë me hapa të mëdha. Veprat e mjekut të madh, Hipokratit, janë një grumbullim dhe përgjithësim i përvojës së deriatëhershme dhe ndihmuan mjaft në zhvillimin e mjekësisë. Termat mjekësorë të kohës sonë si kirurgji, pediatri, psikiatri, dermatologji, neurologji etj. dëshmojnë edhe një herë për rolin historik të Greqisë së lashtë në zhvillimin e shkencës mjekësore.

Aleksandria, vendi ku lulëzoi doktrina aristoteliane
Aleksandri i Maqedonisë, pas pushtimit të Egjiptit ndërtoi atje qytetin me emrin e tij, Aleksandrinë, ku se bashku me triumfuesit u përhap dhe doktrina e Aristotrelit. Pas rënies se perandorise se Aleksandrit te Maqedonise ajo u nda midis komandanteve te tij. Në Aleksandri u ngrit një muze me të cilin komunikonin të gjithë shkencëtarët për eksperimentet dhe punimet e tyre. Krahas tij u ngrit edhe një bibliotekë me dorëshkrime nga shumë vende të botës.
Herofili zbuloi sistemin nervor
Herofili ishte i pari që filloi të hapte kufomat për studime dhe përshkroi një varg formacionesh; si trurin e madh dhe membranat e tij, përshkroi nervat dhe ndreqi gabimet e paraardhesve, që mendonin se janë një variant i enëve të gjakut. Ai theksoi se nervat janë pjesë e sistemit që kontrollon lëvizjet dhe përcakton ndijimet. Në këtë sistem fuste trurin dhe palcën e kurrizit. Ai zbuloi pulsin dhe një sërë formacionesh anatomike, përshkroi enët e gjakut dhe dalloi arteriet nga venat. Rezultatet e kërkimeve të tij anatomike duke përfshirë edhe të dhënat që njiheshin deri atëherë, i përmblodhi në veprën e tij mbi anatominë.
Erazistrati, zbulimi i anëve të gjakut
Erazistrati si Herofili, bëri mjaft zbulime në sistemin e enëve të gjakut, la një përshkrim të zemrës të cilen e krahasonte me një pompë, dalloi valvulat e saj në sajë të të cilave gjaku rrjedh në një drejtim. Ai, duke ndjekur rrugën e qarkullimit të gjakut, hartoi një skemë pothuajse të saktë dhe dha idenë e enëve shumë të vogla, që lidhin arteriet me venat. Erazistrati si të gjithë mjekët e mëparshëm thoshte se gjaku rrjedh vetëm në vena, kurse në arterje ka ajër. Duke kritikuar teoritë jo të drejta mbi sëmundjet, ai pranonte si shkaktare ndryshimet në inde dhe organe dhe krahasoi organet e sëmura me ato të shëndosha.

Ky lajm është publikuar: 28/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›