E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet në Kashar, Berisha i treti, Rama i katërti

Antena brenda familjes

Zgjedhjet në Kashar ishin një surprizë më vete. Komuna më e lakmuar në periferi të Tiranës ka vite që është bërë shumë joshëse, për shkak të normës së lartë të fitimit që ofron për komunarët që shesin me çmim të Tiranës banesat e ndërtuara mbi tokat që shpërndajnë vetë ende me Ligjin 7501. Por surpriza këtë radhë ishte diku tjetër. Duke qenë se Rama dhe Berisha nuk e kishin fare mendjen te zgjedhjet, me to nga PD u mor Flamuri, kurse nga e majta, Ilir Meta. Kandidatura e PD duhet të ishte ajo e zotit Murati, një emër i njohur për PD në atë zonë. Por Flamuri, duke përfituar nga rrëmuja dhe mungesa e vëmendjes, vuri një dhëndrin e vet me mbiemrin Fuçia. Duke pasur mbështetjen e PD në qendër dhe natyrisht, fushatën e gjithë qeverisë nën rekomandimin Flamurit, kandidatura e Flamurit u radhit e para. E dyta pas Flamurit ishte kandidatura e LSI, e cila po ashtu u mor aq shumë më zgjedhjet në Kashar, sa thua po bëheshin zgjedhje parlamentare. Kandidatura e Berishës, ajo e zotit Murati, zuri vendin e tretë, kurse ajo e Edi Ramës zuri vendin e katërt. Ky klasifikim ka rritur shumë rëndësinë e Flamurit në PD. Ky është komunari i dytë i pjesshëm që emërohet nga Flamuri dhe fiton thellë. Para disa muajsh, kandidat për kryetar komune i Paskuqanit u emërua një kuksian, shok i Flamurit, dhe po ashtu fitoi. Por aty doktori nuk kishte kandidat tjetër. Në Kashar që kishte, e nënvleftësoi dhe i doli i treti.

Dje, pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve, Berisha, natyrisht i gëzuar dhe nga rezultati, shpalli si kandidat të vetin zotin Murati dhe, duke u tallur me Ramën, tha se “kandidati im doli i pavarur dhe zuri vendin e tretë, kurse kandidati i Ramës zuri vendin e katërt”. Flamuri, që po e dëgjonte gjithë qejf deklaratën te klubi i PD, porositi nga një birrë për të gjithë.

- Hë, hë, me mua s’e haheni dot ju, - tha duke qeshur. - E pe mixhë, i vura para të dy, dhe Ramën, dhe Berishën. U thashë: Mo ta shoh atë Muratin në komunë, dhe i treti doli. Ai i Ramës dihet pastaj. S’ka shaka me mua, mixhë. ǒt’i bëj atij burrit që s’më ka pyetur për gjithë kandidaturat më parë, se e shikonte si dilte.

Pasi mori mandatin, kandidati fitues, i gëzuar, e mori Flamurin në telefon ta falënderonte thellë për mbështetjen.

- S’ka përse, - i tha Flamuri. - Tani ul kokën dhe puno mirë.

- Patjetër, - i tha kryetari. - Unë do t’i çoj përpara traditat e mira të komunës Kashar.

- ǒtradita më thua o i zi, se të tërë paraardhësit e tu janë në burg, vetëm po u dënove me burg të përjetshëm ua hedh atyre, se dënimi me vdekje është hequr.

- Jo, s’e kisha në atë kuptim, - tha. - Ata kanë punuar për vete, ndaj janë në burg. Unë nuk ia harroj miqësisë dhe shoqërisë. Hajt gëzuar!

- Mirë, mirë, po kujdes me tokat, se gati janë këta të tjerët të dërgojnë letra dhe e ha unë për ty, se ka dalë nami gjithandej që je dhëndri im.

- Mos ki merak, zoti Flamur. Na ke në gatishmëri për çdo gjë. Hajt mirupafshim.

Pas kësaj Flamuri mori tufën e madhe të çelësave, me të cilën mban të mbyllur PD, e futi nën qafë, rregulloi çelësat nën këmishë dhe u ngrit.

- Po dal njëherë nga ai burri, se mos është mërzitur që ka dalë i treti, - iu tha miqve në tavolinë. T’i raportoj që PD e ka të sigurt dhe s’e prek njeri sa t’i kem unë çelësat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›