Sherr jashtë bilardos, 3 persona plagosin me armë 22-vjeçarin në Lezhë, në kërkim autorët

Një 22-vjeçar është qëlluar mbrëmjen e së hënës (8 maj) me armë zjarri pas një sherri me 3 persona në ambientet e jashtme të një bilardoje në Lezhë. Policia ka shpallur në kërkim autorët e ngjarjes, ndërsa bën me dije se 22-vjeçari pas dërgimit në Urgjencën e Spitalit të Lezhës, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia sqaron se një 29-vjeçar në bashkëpunim me një 26-vjeçar dhe një 27-vjeçar, pas një konflikti çasti me 22-vjeçarin, e kanë goditur këtë të fundit me mjete të forta dhe e kanë plagosur me armë në këmbë. Ngjarja ka ndodhur në orën 22:30 të së hënës, në ambientet e jashtme të një bilardoje.
“L. F., 29 vjeç, Xh. F., 26 vjeç dhe A. Sh., 27 vjeç, të tre banues në Lezhë, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pas një konflikti të çastit, në ambientet e jashtme të një bilardoje, në Lezhë, kanë goditur me mjete të forta shtetasin A. L., si dhe e kanë plagosur atë me armë zjarri, në këmbë’” njofton Policia, e cila ka shpallur në kërkim autorët e ngjarjes.
Ngjarja ndodhi në lagjen “Besëlidhja” të qytetit, ndërsa i plagosur mbeti Aleks Laska 22-vjeç banues në fshatin Rrilë.
/rtsh.al/