E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr me armë mes adoleshentëve, plumbi rikoshet plagos të miturin

Një 10 vjeçar me inicialet J. K ka mbetur i plagosur me armë, gjatë sherrit të disa adoleshentëve për çështjen e një femre. Zënka e tyre ka vënë në rrezik jetën e 10 vjeçarit të pafajshëm. Fillimisht sherri mes të rinjve ka filluar si një sherr banal, por më pas ka degjeneruar në të shtëna pistolete. Nga të shtënat e armës rreth orës 22.30 në lagjen 18 të Durrësit në afërsi të stadiumit Niko Dovana ka mbetur i plagosur një fëmijë 10 vjeç, i cili ka qenë në afërsi të zonës, ku kishte filluar zënka. Burime nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës kanë bërë të ditur se fëmija me inicialet J. K është plagosur pas një plumbi, që ka bërë rikoshet. Ai është dërguar menjëherë në spitalin rajonal dhe është futur në sallën e operacionit për nxjerrjen e plumbit. Sipas burimeve të marra nga spitali i Durrësit mësohet se 10 vjeçari është prekur nga plumbi në pjesën e poshtme të barkut, në afërsi të veshkës, por fatmirësisht plaga e marrë nuk ka qenë fatale për jetën e të miturit, e tashmë 10 vjeçari është jashtë rrezikut për jetën. Autorët e ngjarjes janë shtetasit Saimir Myftari 26 vjeç si dhe Denis Hoxha, 27 vjeç. Të dy këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tentuar të vrasin me armë zjarri 22 vjeçarin Briken Shkoza. Edhe pse objektivi i dy autorëve të ngjarjes ishte 22 vjeçari, plumbi gabimisht ka kapur të miturin me iniciale J. K, i cili së bashku me fëmijë të tjerë po luante, ndërsa ka mbetur i paprekur nga atentati, objektivi i ngjarjes, 22 vjeçari Shkoza. Menjëherë pas ngjarjes, autorët janë larguar në drejtim të paditur. Në lidhje me ngjarjen në fjalë, në vendngjarje kanë mbërritur efektiva të shumta policie, të cilat kanë nisur kërkimin për kapjen e autorëve. Fillimisht është ndaluar Denis Hoxha, 25 vjeç banor i qytetit të Durrësit, i cili më pas ka treguar disa nga emrat e personave, që kanë qenë të përfshirë në këtë ngjarje. Briken Shkoza, i cili ishte objektivi për tu qëlluar është kapur pak, pas arrestimit të Denis Hoxhës, ndërkohë që policia është vënë në orët e vona të natës, në kërkim në gjithë lagjen 18, të Durrësit. Pak më vonë, policia ka shpallur në kërkim edhe një person tjetër. Bëhet fjalë për Saimir Myftarin 26 vjeç, i cili mendohet se ka përdorur armë në grupin kundërshtar të Denis Hoxhës. Burimet policore kanë shtuar se është sekuestruar edhe një nga armët e përdorura nga të rinjtë, ndërkohë që punohet për arrestimin e personave të tjerë si dhe të gjetjes së pistoletës tjetër së përdorur. Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes, pas mbledhjes se provave të mjaftueshme, nga ana e grupit hetimor si dhe prokurorisë, mbi dy të rinjtë Denis Hoxha 27 vjeç si dhe Saimir Myftari 26 vjeç, rëndojnë dy akuza, e vrasjes me dashje të mbetur në tentativë si dhe armëmbajtjes pa leje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›