Grafik 08 prezanton 57 punime të studentëve
Grafik 08 titullohet ekspozita, e cila u çel dje nga studentët e arteve në mjediset e galerisë FAP në Akademinë e Arteve. Persona grafikë pa fytyra, të mbushur vetëm me tonalitete bardhë e zi, mes tyre shumë objekte natyror, apo jo rrallë edhe trajta shtëpiake e forma të çrregullta ishin në punimet që u prezantuan në këtë ekspozitë. Melankolizmi peshon mbi tablotë e tyre, pasi kështu e shprehin gjendjen e tyre shpirtërore, u shpreh kuratori i ekspozitës Petraq Papa.
Njëra nga studentet pasqyron karrige bosh, një tjetër njerëz të vetmuar ndoshta edhe pa formë. Ekspozitë e përhumbur. Këto janë linjat në të cilat janë bazuar katër studente të Akademisë së Arteve, për të çelur dje një ekspozitë kolektive në galerinë FAP. Grafik 08 është fryt i një pune dy vjeçare e vajzave për të paraqitur 57 punë grafike. Studentet që kanë ekspozuar punime në teknikat e grafikës janë Anda Mustafaj, Blerta Zhuri, Dorina Muka dhe Erisa Bode, të katra në vitin e katërt të akademisë. Kanë pasur një dëshirë prej vitit të kaluar që të hapin një ekspozitë me punët e tyre krijuese. Janë katër nga vajzat më punëtore të grupit të grafikës. Ato kanë eksperimentuar vazhdimisht në teknika të ndryshme të grafikës, kryesisht në monotip, shprehet kuratori i kësaj ekspozite Petraq Papa, duke shtuar se ata eksperienca e tyre detajohet edhe në incizime në film, si dhe miksime të grafikës tradicionale me pikturën. për të cilat ai thotë se këto eksperimentime për mua janë mjaft interesante. Sipas tij, studentet kanë përzgjedhur vetëm disa prej punëve të tyre më të mira dhe në teknikë mikse për ti shërbyer kështu edhe diplomës së tyre përfundimtare. Veç këtyre ata kanë edhe shumë punë të tjera të bukura, pasi kam vënë re se janë studente mjaft punëtore. Tashmë është bërë edhe traditë që në fund të semestrit, para se të diplomohen, bëjnë edhe një ekspozitë. Shpesh herë ata organizohen në mënyrë kolektive, por kemi parë që ata kanë marrë iniciativa edhe në mënyrë individuale, vijon më tej kuratori. Punimi grafik konsiston më së shumti tek stilizimi i figurës në përgjithësi. Luhet vetëm kryesisht me dy tonalitet bardh e zi, nëse flasim për grafikën tradicionale. Tablotë e grafikave të paraqitura ndonëse luhet vetëm në dy ngjyra, bardh e zi, shprehin një gjendje emocionale personale të vetë autorit, sipas kuratorit Papa. Përgjithësisht, në tablotë e studenteve në galerinë FAP janë varur grafika të cilat paraqesin njerëz të paidentifikuar, pasi fytyrat e tyre nuk janë aspak të dukshme. Silueta individësh, apo edhe objektesh të ndryshme shtëpiak, e natyror janë të mbushura jo nga forma të qarta por nga ngjyrat bardh e zi. Është një gjendje e tyre emocionale që duan të transmetojnë. Shpesh herë nuk mund ti shpjegosh me një përkthim fiks,dhe tu japësh një kuptim përfundimtar, shpjegon Papa. Ekspozita që u hap dje do të qëndrojë deri më datë 14 qershor për publikun artdashës.