Gjykata e Tiranës lë të lirë 13 të arrestuarit në protestën e PS-së
Laureta Rryçi
Arrestimi i protestuesve të Partisë Socialiste që u përpoqën të bllokonin rrugën në kryeqytet është cilësuar si i ligjshëm nga gjykata. Në seancën e parë të gjyqit të zhvilluar sot, gjyqtari i masës së sigurisë, Altin Avdiu, vendosi detyrim paraqitjeje në javën e parë dhe të tretë të çdo muaji, pranë Policisë Gjyqësore, të të gjithë të arrestuarave dy ditë më parë. Të ndaluarit nga policia me akuzën për bllokimin e mjeteve të transportit kanë qenë: Shazivar Sula, Sami Beshiri, Agim Balla, Besnik Saliu, Lulëzim Lila, Arben Fusha, Naim Karaj, Bejdulla Ulliri, Fatmir Koldashi, Shpëtim Tresa, Mustafa Xhixha dhe Festim Lulo. Gjatë masave të sigurisë, përveç palëve ishin të pranishëm dhe deputetët e Partisë Socialiste, Xhemal Qefalia dhe Dashamir Peza, të cilët nuk kundërshtuan masën e dhënë nga gjykatësi Avdiu, por, nga ana tjetër, shprehën rezerva për arrestimin e bërë nga policia. “Vendimi i policisë për arrestimin ishte i paligjshëm, vendimi i gjykatës, i ligjshëm”, - u shpreh Qefalia.
Kërkesat
Në fillim të seancës, prokurori i çështjes kërkoi për të gjithë të akuzuarit detyrim paraqitjeje. Sipas prokurorit Blerim Tominaj, të arrestuarit kanë konsumuar veprën penale “bllokim të akseve rrugore”. Prokurori kërkoi masën e sigurisë “detyrim me paraqitje” për 13 të arrestuarit. Ndërkohë që përplasje mes përfaqësuesit të akuzës dhe avokatëve kishte vetëm për momentin që cilësohej si arrest në flagrancë. Avokatët shpjeguan se klientët e tyre nuk janë arrestuar kur kanë bllokuar rrugën, por në vende të tjera. Gjyqtari, pasi dëgjoi të dyja palët, vendosi të pranojë kërkesën e prokurorit duke lënë në fuqi edhe masën e sigurisë për të arrestuarit.
Pretendimi
Avokati i të akuzuarit, Bejdulla Ulliri, u shpreh se klienti i tij nuk ka qenë pjesë e protestuesve që bllokuan rrugën. “Klienti im ka qenë rastësisht me familjen e tij duke kaluar me makinë”. Vetë Ulliri u shpreh se kishte ndalur në rrugë për shkak të bllokimit nga protestuesit. Arrestimi i protestuesve të PS-së u bë dy ditë më parë në Tiranë, gjatë mitingut të organizuar nga Partia Socialiste. Protestuesit u përpoqën që të bllokonin rrugën kryesore duke penguar kalimin e automjeteve.
Edhe Gjykata e Pogradecit vendos lirimin e protestuesve
Gjykata e Pogradecit vendosi dje lirimin nga paraburgimi të katër personave të arrestuar nga policia dy ditë më parë pas protestave të Partisë Socialiste që tentuan bllokimin e rrugës Korçë-Pogradec. Gjykata e këtij qyteti shpalli vendimin pas zhvillimit të seancës për vlerësimin e masës së sigurisë ndaj katër personave të ndaluar nga policia e Korçës: Seladin Mekollari, K. Tanellari, Agim Turku dhe Detar Lipo. Të katër shtetasit e lartpërmendur kanë lënë qelitë e paraburgimit pas vendimit të sotëm të gjykatës. Sipas trupit gjykues, vepra penale për të cilën ishin arrestuar katër personat nuk paraqet rrezikshmëri të lartë shoqërore ndërkohë që çështja penale ndaj tyre vazhdon. Sipas një deklarate të Policisë së Korçës dy ditë më parë, mësohet se shtetasit Detar Lipo, K. Tanellari, Agim Turuku dhe Seladin Mekollari janë arrestuar me akuzën e “mosbindjes ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit”.
Drejtoria e Policisë së Shtetit, prej dy ditësh, në deklarata të ndryshme, i ka paralajmëruar protestuesit e Partisë Socialiste të mos i bllokojnë rrugët duke pohuar se një veprim i tillë përbën vepër penale dhe dënohet nga gjobë deri në dënim me 3 vjet burg.
15 Maj 2010