E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr me grushte mes deputeteve ne Kuvend

27/07/2010 Procedura e Kryetares Topalli për votimin e projektbuxhetit, reagon PS-ja

Opozita zhvendoset para podiumit, Braçe e Maliqi protagonistë

Në përplasje fizike mes deputetëve të Kuvendit ka degjeneruar seanca e fundit e sesionit parlamentar. Refuzimi nga Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli e kërkesës së deputetëve të majtë për të zgjatur diskutimet mbi buxhetin ka bërë që socialistët t’i afrohen podiumit të kabinetit ministror në shenjë revolte. Grupit i është bashkuar edhe deputeti Erion Braç, i cili duke iu drejtuar kryeparlamentares me kërkesën për të lënë votimin e neneve të projektbuxhetit, ka rrëmbyer nga tavolina e ministrave një shishe me ujë. Kaq është dashur që kjo të sjellë reagimin e menjëhershëm të njërit prej punonjësve të Gardës së Republikës dhe më pas të deputetit Lefter Maliqi, i cili me socialistin Braçe ka shkëmbyer replika revokuese mes tyre, deri dhe në tentativë përplasjeje fizike. Siç u prononcua për shtyp, deputeti Maliqi tha se qëllimi i kolegut të tij të majtë ishte të qëllonte Kryetaren e Kuvendit. “Kur Kryetarja e Parlamentit, zonja Topalli, kërkoi 5 minuta pushim, deputeti Braçe vajti para dhe me shishe në dorë donte ta qëllonte, ndërkohë edhe me fyerje dhe sharje. Ndërkohë unë i qëllova atij dhe vajta për t’i marrë shishen. Ai reagoi dhe kaq ishte incidenti midis njëri-tjetrit”, - deklaroi ai. Ndërsa deputetja socialiste Rudina Seseri, dëshmitare në këtë incident, fajëson deputetët e PD-së. “Drejtuesja e seancës vendosi të kalojë direkt në votim, duke dhunuar të gjithë procedurat dhe kur deputetët e PS-së reaguan ndaj këtij veprimi kaq flagrant, pati një përplasje, pasi një nga deputetët e PD-së goditi pas shpine ndërsa po largohej njërin nga deputetët e PS-së”, - tha Seseri. Përplasja e nisur nga dy deputetë ka vijuar më pas edhe nga të tjerë, të cilët së bashku me punonjësit e Gardës kanë ndërhyrë për të qetësuar situatën. Ndërkohë nga deputeti Braçe nuk ka asnjë reagim për akuzat që deputeti Maliqi ngriti rreth tij. Pas ndërprerjes së seancës, Kuvendi miratoi me shumicë votash buxhetin shtesë të gjashtëmujorit të dytë të vitit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›