E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherr me thika për radhën e furgonëve, një i plagosur

SHKODËR- Sherri për radhën e lëvizjes së furgonëve të linjës së Vaut të Dejës ka shkaktuar plagosjen me thikë të një personi, ndërsa është ndaluar njëri prej autorëve dhe shpallur në kërkim vëllai i tij. Ngjarja ka ndodhur tek Kryqëzimi i fshatit Vukatanë në komunën Gur i Zi, në aksin rrugor nacional Shkodër- Vau i Dejës. Vëllezërit Aleksandër e Agron Pylla nga Vau i Dejës dhe shtetasi Nazim Kotrri nga qyteti i Shkodrës janë grindur mes tyre lidhur me radhën e lëvizjes së furgonëve taksi të linjës Shkodër- Vau i Dejës. Sipas dëshmitarëve okularë, grindja mes tyre ka nisur tek vendqëndrimi i furgonëve të kësaj linje, në lagjen Ndoc Mazi të Shkodrës, ku është edhe stacioni i tyre.
Grindja mes tyre ka ndodhur disa orë para ngjarjes dhe mësohet se dy vëllezërit janë larguar me furgonin e tyre drejt Vaut të Dejës. Tek kryqëzimi i Vukatanës ata kanë pritur të vinte furgoni që drejtohej nga Nazim Kotrri, 55-vjeç, lindur e banues në lagjen "Guerile" në Shkodër. Aleksandër Pylla, 30-vjeç dhe vëllai i tij Agroni, 28-vjeç kanë pritur ndaljen e furgonit për të zbritur pasagjerë dhe kanë debatuar me drejtuesin e tij që ka zbritur nga automjeti. Aty, sipas policisë, dy vëllezërit e kanë goditur me thikë dhe më pas janë larguar me shpejtësi. I dëmtuari është dërguar në spitalin rajonal të Shkodrës. Policia ka bërë të mundur arrestimin e Aleksandër Pyllës dhe ka shpallur në kërkim vëllanë e tij Agronin me akuzat e "vrasjes së mbetur në tentativë" si dhe "mbajtjes pa leje të armëve të ftohta".



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›