E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherr mes çiftit të divorcuar, vritet ish-vjehrri, rëndë vajza e tij



LEZHË - Krimi ka goditur sërish, këtë herë në Lezhë. Ndarja e çiftit ka qenë e papranueshme për Ludovik Murrin dhe ai ka vendosur që hesapet t’i lajë në mënyrën shqiptare. Ka shkuar në shtëpinë e vjehrrit të tij, ku ndodhej dhe ish-bashkëshortja, pasi ata kishin dy muaj të ndarë. Gjithçka ka nisur si një debat i thjeshtë, por në mesnatë ka përfunduar me një të vrarë dhe një grua të plagosur rëndë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në qytetin e Lezhës, ku një person ka qëlluar mbi ish-vjehrrin e tij duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme si dhe ka plagosur ish-gruan me të cilën kishte dy muaj që ishte divorcuar. Viktimat janë Fran Vuksani dhe Lindita Vuksani, ndërsa autori i ngjarjes është Ludovik Murri.
Krimi
Vrasja e ish-vjehrrit dhe plagosja e ish-bashkëshortes ka ndodhur pas një debati të rëndë mes dy ish-bashkëshortëve ku në debat e sipër Murri ka nxjerrë armën dhe ka qëlluar mbi të dy me qëllimin për t’i vrarë. Si pasojë e plagëve të marra, Fran Vuksani ka humbur jetën menjëherë, ndërsa Lindita Vuksani ka mbetur e plagosur rëndë dhe është shoqëruar për në Spitalin Ushtarak, Tiranë. Policia ka mbërritur në vendngjarje. Pasi kanë rrethuar vendin e ngjarjes, është bërë dhe shpallja në kërkim e Ludovik Murrit, por deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme nuk ishte bërë e mundur kapja e tij. Uniformat blu kanë marrë dëshmitë e familjarëve që kanë qenë në vendin e ngjarjes. Prej tyre është mësuar se krimi kishte ndodhur në kulmin e sherrit mes autorit dhe ish-gruas së tij, në prani të babait të saj.
Policia
Uniformat blu kanë mbledhur në vendin e ngjarjes disa prova materiale si, gëzhoja e pistoletës dhe prova të tjera rrethanore. Siç është mësuar, familja Vuksani kishte urdhër mbrojtjeje nga gjykata për shkak të kërcënimeve të herahershme që autori i kishte bërë para se të ndodhte krimi. Pasi ishte ndarë çifti, Ludovik Murri nuk kishte ndaluar përpjekjet e tij për ta bashkuar sërish familjen. Por kjo gjë kishte hasur në reagimin e fortë të ish-bashkëshortes, e cila nuk donte që të jetonte më me të. Pikërisht për shkak të kërcënimeve, çështja kishte shkuar sërish në gjykatë. Togat e zeza të Lezhës kishin vendosur që familja të mbrohej nga policia, pasi kërcënimet e Murrit ishin shumë serioze. Por kjo gjë nuk ka ndodhur mbrëmjen e dy ditëve më parë, kur Ludovik Murri ka shkuar në familjen Vuksani dhe aty ka qëlluar me armë duke lënë një të vdekur dhe ish-gruan të plagosur rëndë.

Mësonte vajzat t’i vinin zjarrin pyllit, arrestohet Memushi
TEPELENË - Një person është vënë në pranga nga policia, pasi akuzohet për zjarrvënie. Burime zyrtare nga Policia e Gjirokastrës thanë se në pranga është vënë një person dhe tre të tjerë do të ndiqen në gjendje të lirë për zjarrvënie. Arrestimi i Metlli Memushit, 49 vjeç, është bërë dje në orën 17:00, nga efektivët e Parandalimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Tepelenë. Lajmi është bërë i ditur nga burimet zyrtare të policisë lokale. Ndalimi i tij është bërë pasi dy ditë më parë, rreth orës 16:00, në sallën operative të Komisariatit të Policisë Tepelenë ka ardhur në telefonatë se në afërsi të fshatit Salari të Komunës Qendër Tepelenë kishte rënë zjarr. Policia ka shkuar në vendngjarje dhe ka rezultuar se Metlli Memushi, në bashkëpunim me vajzat e tij të moshës 13 dhe 9 vjeçe, i kishin vënë zjarrin një sipërfaqeje të konsiderueshme pyjore (kullotë dhe një pjesë pyjore) në afërsi të fshatit Salari. Ky person i mësonte vajzat e tij si dhe ku ta vendosnin zjarrin dhe vetë nuk zbriste nga makina, me qëllim që të mos ta shikonte njeri. Policia e Tepelenës ka bërë menjëherë arrestimin në flagrancë të këtij shtetasi për veprën penale të “shkatërrimit të pyjeve dhe pasurisë pyjore me zjarr”. Si pasojë e zjarrit është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme kullote dhe pyjore, por me ndërhyrjen e forcave të policisë së Komisariatit të Tepelenës dhe të zjarrfikësve të Tepelenës është bërë e mundur që rreth orës 20:00 zjarri të vihej nën kontroll dhe më pas të shuhej plotësisht. Dosja me materialet hetimore i ka kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme. Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër tha se, “është e vendosur për të goditur çdo rast të zjarrvënies me qëllim apo nga pakujdesia dhe iu bën thirrje të gjithë banorëve të këtij qarku, kryesisht barinjëve që kanë kullota në përdorim, që të tregohen të kujdesshëm dhe të mos shkaktojnë djegie të kullotave me qëllim apo pa qëllim, pasi shpeshherë këto zjarre kanë vënë në rrezik edhe jetën dhe pronën e banorëve. Për çdo rast që do evidentohet autorët do të përballen me ligjin”.

Shkatërrohet organizata kriminale që trafikonte armë dhe drogë
SHKODËR - Goditet një grup kriminal në Shkodër, i cili, sipas policisë, kryente trafikim të armëve, të lëndëve narkotike dhe mjeteve motorike. Mësohet se në pranga kanë rënë 7 persona, të cilët ushtronin veprimtarinë e tyre në disa qarqe si Shkodër, Lezhë, Durrës e madje dhe në kryeqytet. Policia e Shkodrës tha se në bashkëpunim me Departamentin Kundër Krimeve të Rënda dhe Krimit të Organizuar, si rezultat i ndërtimit të punës policore dhe ndërmarrjes së veprimeve operacionale, finalizoi me sukses operacionin e koduar “Çarku i hapur“, duke bërë të mundur zbulimin, goditjen dhe dokumentimin e veprimtarisë së kundërligjshme të një grupi të strukturuar kriminal, të cilët kanë kryer vepra penale në tendencat e trafikimit të armëve, lëndëve narkotike dhe mjeteve motorike. Të arrestuarit janë: Real Zefi, 20 vjeç, Kushtrim Kaja, 22 vjeç, Valmir Vukaj, 21 vjeç, Irvin Temali, 21 vjeç, Amarildo Ndreka, 21 vjeç, Ridvan Keçi, 23 vjeç, si dhe një person tjetër nga Lezha me iniciale H. M. Operacioni “Çarku i hapur” është finalizuar gjithashtu me sekuestrimin e 1 kilogrami drogë të llojit heroinë, 4 kilogramë Cannabis sativa, 9 pistoleta, 1 automatik, silenciator, 200 fishekë, 8 automjetet të vjedhura, motor, 3 maska, targa të falsifikuara mjetesh dhe peshore elektronike. 7 të arrestuarit do të përballen me akuzat, si: “grup i strukturuar kriminal”, “trafikim dhe mbajtje të lëndëve narkotike”, “trafikim të armëve dhe municioneve luftarake”, “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftarake” si dhe “vjedhje të mjeteve motorike, e kryer në bashkëpunim”.

Ekstradohet nga Belgjika i akuzuari për vrasje
TIRANË - Ekstradohet nga Belgjika një 31-vjeçar i akuzuar për vrasje. Policia e Shtetit tha se gjatë ditës së djeshme nga Brukseli, Belgjikë, është bërë ekstradimi drejt Shqipërisë i shtetasit shqiptar Kristjan (Marjan) Kola, 31 vjeç, lindur në Lezhë dhe banues në Durrës. Ky person ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin, me Vendimin Nr. 14, datë 1 shkurt 2005, ndaj tij ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, pasi akuzohet për veprat penale të “vrasjes me paramendim” dhe “armëmbajtjes pa leje”. I ekstraduari Kristjan (Marjan) Kola akuzohet se më datë 23 nëntor 2004 në Shullaz të rrethit Kurbin, për motive të dobëta, ka qëlluar me armë zjarri, duke i shkaktuar plagë të rënda, shtetasin Sandër Nokaj, i cili më pas ka gjetur vdekjen. Ky person është arrestuar me datë 17 mars 2010 në Belgjikë, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.

Sherr në lokal, arrestohet autori i plagosjes së të riut
TIRANË - Sherr në lokal, plagoset me armë një i ri dhe autori i krimit bie në pranga. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës kanë bërë të ditur ngjarjen. Burime zyrtare nga uniformat blu të kryeqytetit thanë se, mbrëmjen e dy ditëve më parë efektivët e seksionit kundër krimeve ndaj jetës dhe shëndetit bënë të mundur kapjen dhe më pas arrestimin në flagrancë të Artur Bardhit, 30 vjeç, banues në fshatin Grec, komuna Pezë e Madhe. Kapja dhe më pas arrestimi i tij u krye pasi parmbrëmë, rreth orës 20:00, në Pezë të Madhe, në ambientet e një lokali, për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri e llojit pistoletë, 25-vjeçarin Bledush Bemarku, banues në Pezë të Madhe, i cili u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak Tiranë dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua arma e dyshuar e krimit, pistoletë TT si dhe 6 copë fishekë, të cilat i mbante pa leje. Materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për konsumim të veprës penale të “plagosjes së lehtë me dashje” dhe “armëmbajtjes pa leje”.

Basha, Shqipëria nuk eksporton më kriminalitet
TIRANË - Falë bashkëpunimit me shërbimet homologe europiane, Policia shqiptare ka mundur të rritë aftësitë e saj, sidomos në drejtim të luftës ndaj krimit të organizuar. Është ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ai i cili deklarohet i bindur se vendi ynë ka dalë tashmë nga harta e vendeve që eksportojnë kriminalitet. "Shqipëria është sot një vend që jo vetëm nuk eksporton pasiguri dhe krim, por jep një kontribut jashtëzakonisht të rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar, transkufitare, jep një kontribut të rëndësishëm në luftën kundër trafiqeve ilegale, në implementimin e platformave dhe ligjeve pararojë siç është ligji për konfiskimin e aseteve kriminale”, - tha dje Basha. Këtë deklaratë ministri i Brendshëm e ka bërë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Ai ka marrë pjesë në ceremoninë e dekorimit të oficerit britanik të kontaktit, Ben Suanson, i cili përfundoi misionin në Shqipëri.

27 Gusht 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›