Sherr per fanellen e Mesit

Nëse pas ndeshjes me Barcelonën, drejtuesit dhe stafi teknik I Bajer Leverkusen ishin të bindur se mund të kishin bërë diçka më tepër për të evituar humbjen 3-1, dy lojtarë të ekipit gjerman ishin të impenjuar duke debatuar se cili do të merrte fanellën e Lionel Mesit. Mikael Kadlek dhe Manuel Fridrish janë grindur në përfundim të pjesës së parë të takimit të luajtur të martën. Kadlek, autori I golit të vetëm te Leverkusen deklaroi se “Fridrish i ka vjedhur idenë e ndërrimit të fanellës me Mesin përpara përfundimit të ndeshjes”. Gjithsesi, ai arriti të merrte bluzën me numrin 10 të yllit argjentinas në fund të takimit dhe pohoi se fanellën do ta vendoste në shtëpinë e tij, porsi një trofe. Sherri ndërmjet dy futbollistëve për fanellën e Mesit nuk është pritur aspak mirë nga mediat gjermane. “Bild” shkruante se “këtyre dy futbollistëve të mirëpaguar, duhet tu vijë turp që zihen për bluzën e Mesit dhe jo për golin e Aleksis Sançez”, duke e cilësuar “të neveritshme sjelljen e Kadlek dhe Fridrish”. Ndërkohë e përditshmja “Sudeutshe Zeitung” përdorte ironinë, duke shkruar se në “Bajer-Arena”, Mesi ka gjetur më shumë tifozë se kundërshtarë.