E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherr te integrimi Bregu Keni pergjegjesi per zgjedhjet

Raportimi i ministres Majlinda Bregu në komisionin e Integrimit është shoqëruar me debate dhe akuza. Dy deputetët e majtë në komision, kanë akuzuar Bregun se po përcjell në mënyrë të njëanshme te nderkombëtarët situatën politike. Konkretisht në planin kombëtar për integrimin ku fokusohet performance dhe pritshmëritë e institucioneve shqiptare, që do t’i prezantohet Komisionit Europian të martën.

"Kur flitet për Parlamentin ka subjektivizëm aq sa ky dokument më shumë tingëllon si një manifest politik se sa si një dokument i përgatitur me përgjegjësi politike dhe profesionale", tha Ermelinda Meksi, kryetare e komisionit të integrimit.

"Mua personalisht më shqetëson klima, dhe klima është në regres. Nuk ka asnjë masë përsa i përket mbrojtjes dhe respektimit të së drejtës së pakicës, nuk ka asnjë masë përsa i përket buxhetimit të jetës parlamentare", tha socialisti Ditmir Bushati.

Bregu nga ana e saj ka akuzuar socialistët për neglizhencë dhe krijim të qëllimshëm të krizës. "Jeni opozitë, nuk keni nevojë tu ftojë njeri, nuk keni nevojë që ne tju bindim. Për ligjet me 3/5 duhet tua kërkojë patjetër qeveria që të shpreheni. A patët ju ndonjë propozim për Kodin Zgjedhor, a pritëm ne që të vinin këto propozime? Sigurisht që pritëm. Le të shpresojmë që zoti Patozi dhe zoti Ruci të bien në një konsesus nesër. A keni ju përgjegjësi për procesin e mbarëvajtjes dhe zgjedhjet lokale? Sigurisht që keni përgjegjësi të cilat mirë është që ti ushtroni po vetë sepse detyrimin tuaj e dini ju vetë", tha Bregu.

Pothuajse të gjithë raportimet e ministres në komision nuk i kanë shpëtuar debateve.
Në planin e veprimit që miratohet të martën pas vlerësimit nga Komisioni Europian, do të përfshihet dhe performance e KQZ-së dhe pritshmëria për administrimin e zgjedhjeve nga institucioni sulmuar kohët e fundit nga opozita.

Elona Gjylmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›