E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherri, federata kosovare fajëson Shqipërinë

FBK u kërkon ndjesë arabëve dhe i bën thirrje federatës shqiptare të kërkojë falje për sjelljen e patolerueshme të Kuqo & Co Skandali, kuqezinjtë, shkaktarët e përleshjes me basketbollistët e Emirateve të Bashkuara Arabe

Drejtuesit e Federatës Kosovare të Basketbollit (FBK) kanë fajësuar përfaqësuesen e Shqipërisë për sherrin masiv në parket të shtunën në mbrëmje, në sfidën Shqipëri-Emiratet e Bashkuara Arabe. Krerët e basketbollit kosovar thonë se ishin kuqezinjtë ata që nisën eksesin në ndeshjen e turneut miqësor që u zhvillua në Kosovë, por që u mbyll në mënyrën më të shëmtuar. Në fakt, takimi i fundit i aktivitetit ndërkombëtar të basketbollit ndërmjet Shqipërisë dhe EBA-së nuk ishte aspak një përballje miqësore, ashtu siç ishte parashikuar të paktën në letër. Ajo u ndërpre në gjysmë, pasi basketbollistët e të dyja skuadrave, por edhe stafet respektive, janë bërë protagonistë të një zënke masive në parket.

Organizatorët e turneut, njëkohësisht edhe drejtuesit e sportit të top-koshit në Kosovë, kanë dalë në përfundimin se incidenti është nxitur nga basketbollistët e Kombëtares shqiptare, ndërsa Ermal Kuqo, i cili vendosi të përfaqësojë Shqipërinë, pasi deri më tani ka luajtur me Turqinë, është cilësuar si një prej sportistëve më aktivë në sherr. “Bordi i FBK-së, në mbledhjen urgjente të mbajtur menjëherë pas ndeshjes, ka dënuar ashpër incidentin e shkaktuar, dhe ka shprehur indinjatë me sjelljet josportive dhe provokuese të disa lojtarëve dhe zyrtarëve të përfaqësueses shqiptare, të cilët shkaktuan tension dhe ishin iniciatorë të përleshjes me lojtarët e përfaqësueses së Emirateve të Bashkuara Arabe”, thuhej në deklaratën për shtyp të federatës kosovare. Aty është shprehur edhe habia për faktin se si kuqezinjtë arritën të prishin turneun ndërkombëtar, pavarësisht se Federata Shqiptare e Basketbollit (FSHBa) ka qenë ajo që kërkoi nga kosovarët ta organizonin këtë eveniment. Më tej, në deklaratë shprehej keqardhje për mënyrën sesi degjeneroi situata: “Si organizatorë i kërkojmë ndjesë përfaqësueses së Emirateve të Bashkuara Arabe për incidentin e ndodhur dhe presim reagim adekuat nga Federata e Basketbollit e Shqipërisë”.

Skandali u regjistrua të shtunën në mbrëmje në Bardhosh të Kosovës, më saktësisht kur mungonin dy minuta e katër sekonda nga përfundimi i çerekut të dytë të takimit, ndërsa Shqipëria kryesonte me shifrat 47:34. Incidenti nisi kur basketbollisti kuqezi, Marlin Sukaj, goditi me bërryl arabin Salih Sulltan, në momentin kur ata të dy po duelonin nën kosh. Më pas në këtë përleshje është përfshirë fizioterapisti i përfaqësueses shqiptare, e më pas edhe Ermal Kuqo, i cili ndodhej në stolin rezervë. Sjellja e Kuqos është kritikuar ashpër nga të gjitha mediat kosovare, edhe sepse ai cilësohet si basketbollisti më i suksesshëm shqiptar i të gjitha kohërave. Edhe pse përleshja u ndërpre për një çast, lojtarët shqiptarë vazhdonin provokimet me shishe uji, duke goditur arabët, të cilët reaguan në të njëjtën mënyrë.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›