E Diel, 1 Nëntor 2026

Bayern s’ka nevojë për sulmues të ri

Trajneri i Bayern Munichut, Louis van Gaal ka theksuar se ka tepër sulmues dhe nuk do ta sjellë edhe një tjetër gjatë këtij afati kalimtar të verës edhe nëse largohet ndonjëri prej repartit aktual.

Holandezi ka në dispozicion Ivica Oliçin, Thomas Mullerin, Miroslav Klosen dhe Mario Gomezin dhe duke pasur parasysh faktin se preferon të luajë me vetëm një qendërsulmues, ai thotë se ka tepricë të tyre.

“Edhe nëse luaj me dy sulmues, ende kam tepricë të tyre. Më tepër kemi nevojë të shesim sesa të blejmë”, tha ai.

Mirëpo, edhe shitja e Gomezit ose Kloses që do të ishte më e menduar se largimi i Oliçit ose Mullerit, nuk nënkupton se Bayern domosdoshmërish do të bëjë përpjekje për transferimin e sulmuesit të Wolfsburgut, Edin Dzeko siç spekulohej gjatë kësaj jave në mediat gjermane.

“Jam i sigurt se ju dini të numëroni”, u shpreh në shaka Van Gaal, pasi u pyet rreth spekulimeve. Van Gaal është ende në pritje të një numri të konsiderueshëm të futbollistëve të kthehen nga pushimet pas Kampionatit botëror 2010.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›