E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherri i Presidentit

Largimi i disa figurave nga partia nuk e ka shqetësuar shumë Nexhat Dacin.
Kreu i LDD’së, madje, duket i qetë edhe përballë paralajmërimeve të reja për largim nga kjo parti.
“Po, do të ngjajnë”, thotë ai.
Nëse përpjekjet e tij për mbijetesë në tregun e vështirë politik krahasohen me ato të liderëve opozitarë, ish-Kryeparlamentari është disa hapa mbrapa, por kjo nuk e bën atë më pak krenar.
Nexhat Daci nuk mund të bëjë asgjë për të ndalur këto ikje, përveçse ta godasë shkaktarin e kokëçarjeve të tij, Fatmir Sejdiun.

Express: Në intervistën e fundit, para Konventës së LDD’së keni thënë se nuk keni probleme brenda partisë. Por, doli e kundërta...
N. Daci: Konventa deri në pikën e parafundit ka shkuar pikërisht ashtu siç kam deklaruar. Kanë pasur të gjithë delegatët rendin e ditës dhe materialet. Njëzëri është aprovuar rregullorja e punës. Njëzëri janë formuar të gjitha grupet punuese. Njëzëri, pa asnjë votë kundër, pa asnjë diskutim, është zgjedhur Kryetari i LDD’së. Njëzëri, pa asnjë votë kundër, pa asnjë abstenim, është aprovuar Statuti i partisë. Dhe, pëlcitjet apo përplasjet kanë ngjarë atëherë kur është bërë propozimi për anëtarët e Këshillit Kombëtar, në të cilin një pjesë e asaj strukture - tani po duket se kanë pasur probleme të hershme - e ka shprehur mendimin e vet, në mënyrë të lirë. Askujt nuk i është shkurtuar fjala ose ndërprerë. Nga 320 delegatë sa kanë qenë të pranishëm në Konventë, më duket se 18 kanë votuar kundër asaj përbërjeje të Këshillit Kombëtar, në përbërje të të cilit nuk kanë qenë të propozuar Adem Salihaj, Tomë Hajdaraj... Megjithatë, duhet thënë se edhe në familje mund të ketë probleme, e lëre më në parti.

Express: Shumëkush tha se Konventa e LDD’së nuk dalloi shumë nga Kuvendi i Gjashtë i LDK’së, përveç karrigeve...
N. Daci: Unë po ju them se një paraqitje e tillë në opinion është krejtësisht e pasaktë. Sepse në Kuvendin e Gjashtë ju e dini se çka ka ndodhur. Këtu i është lejuar gjithkujt që ka dashur ta shprehë mendimin e vet. Dhe nuk e besoj të jetë kërcënuar ose t’i jetë ngritur toni dikujt. Përkundrazi, edhe në fyerjet personale që ka bërë vetëm një nga anëtarët - vetëm Adem Salihaj - unë i jam falënderuar për mendimin e tij.

Express: Pas Konventës, disa zyrtarë të LDD’së thanë se “dikush dikë e ka lënë në lloç”!
N. Daci: Unë mendoj se dikush e lë në lloç gjithmonë vetveten. Hajde t’ju them këtë se kurrkush askënd nuk e ka lënë në lloç. Këtë deklaratë që është njëqind për qind rrenë që ka qenë në media, jo në Express. E vërteta për Konventën është se gjithkush e ka lënë në lloç që ka dëshiruar të jetë vetë në lloç me veprimtarinë dy-trevjeçare.

Express: Adem Salihaj ka thënë se në mbledhjet e LDD’së, Daci ka tentuar të ndalë debatin për të mos e kritikuar Qeverinë, për shkak të kalkulimeve tuaja për të qenë pjesë e saj?
N. Daci: Unë nuk e komentoj këtë, por besoj se gazeta juaj ka pasur shpesh vlerësimet e mia për Qeverinë. Mendoj se është e një mendjeje të sëmurë, një mendje e betonuar në bunkerët e shekullit të njëzetë. Sepse qëndrimet e LDD’së në Parlament, janë qëndrime që formësohen në parti, janë qëndrime që formësohen në grupe parlamentare. Bile, bile edhe mbrojtjen që ua kam bërë lojërave me CD - janë qëndrime të partisë, janë qëndrime të LDD’së. Andaj, më vjen të qeshë deri ku shkon ngarkesa e një prurjeje të tillë.

Express: Po kthehemi prapë te partia. LDD’ja po vazhdon të ketë probleme, sidomos me ikjen e kuadrove. I fundit që u largua është anëtari i Kryesisë Qendrore, Sabri Morina...
N. Daci: Një e vërtetë është se ai (Sabri Morina) është munduar gjithmonë në Kryesi, kur kemi pasur çështje politike, të identifikojë një formacion me mendimin e vet, duke thënë se unë e kam këtë mendim. Por, po t’i merrni procesverbalet, kurrë, qe tri vjet, në Kryesi asnjë anëtar nuk e ka përkrahur. Dhe, mua më dhimbset në veçanti një anëtar tjetër - nuk kam asnjë fjalë të keqe për veprimtarinë e tij. Ai është Tomë Hajdaraj që e ka helmuar, në kuptimin që Toma si i padjallëzuar në veprimtarinë e z. Salihaj ka qenë i eksponuar, por gjithmonë kurrë pa ofendime. Atë që e ka thënë z. Salihaj, unë po e them vetëm me sjelljet në Konventë, edhe ka aplauduar, edhe asnjë zë i kundërt në Konventë, derisa nuk e ka parë veten në Këshill të Përgjithshëm. Krejt këto të tjerat janë pasojë e të tjerave dhe e mendoj qe një kohë të gjatë, Salihaj ka trokitur në të gjitha degët e partive parlamentare - për AKR’në nuk jam i sigurt dhe ka dashur të gjejë kulm, e të krijojë një siguri të veten, ashtu çfarë ai e ka paramenduar. Sepse, prej të gjithë deputetëve, financiarisht më i favorizuari me propozimin tim ka qenë Adem Salihaj, duke i dhënë dy komisione parlamentare që kanë më së shumti takime dhe mbledhje, që paguhet veçmas. Më është thënë se ka familje të madhe, materialisht nuk është mirë dhe kemi dashur t’i ndihmojmë. Në qoftë se ai ankohet në sytë e vet, ai i shkul vetullat e veta me veprimtarinë dhe me deklarata të tilla.

Express: Morina është larguar duke paralajmëruar se brenda muajit LDD’ja do të shkrihet në LDK. A mund të ndodhë kjo?
N. Daci: E pashë atë që e ka thënë. Kjo është një rrenë qind për qind. Ne nuk kemi pasur mbledhje të Kryesisë të hënën, por të martën, dhe as që ka qenë në rend dite dhe as që ka përmendur kush, por janë vlerësuar rrjedhat dhe aktiviteti ynë i mëtejshëm.

Express: Por është e vërtetë se shumica e Kryesisë së Degës së LDD’së në Ferizaj, së bashku me Adem Salihajn, kaluan në LDK?
N. Daci: Po. Unë mendoj se aty ka të drejtë se shumica e Degës - ajo është faktografia. Problemet e Salihajt në Ferizaj kanë filluar në vitin 2007, kur ne e kishim nominuar Sahit Krasniqin për kandidat për kryetar komune. Një njeri që tani është anëtar i Kryesisë së LDD’së dhe që ka participuar shumë fuqishëm në zgjedhjen e Adem Salihajt për kryetar të Ferizajt, sa ka qenë në LDK. Por t’ju them në mënyrën më të sinqertë që kurrë LDD’ja nuk ka qenë me e qetë, më e disponuar për punë në këtë ndërtesë dhe në të gjitha aktivitetet e paskonventës. Ka filluar në një mënyrë, unë them me kirurgji të heqjes së “zorrës qorre”, para se të pëlcasë dhe të helmojë të gjithë organizmin.

Express: E përmendët se në LDD po ndodh heqja e “zorrës qorre”, por a ka rrezik që LDD’ja mos t’i mbijetojë këtij operacioni?
N. Daci: Jo. Dëgjoni, ka shumë emra të futbollistëve që janë shitur tepër, tepër shtrenjtë, prej kalimit në një ekip në tjetrin. Kanë dështuar në klubet e tjera. Por, simpatizantët e ekipit nuk kanë udhëtuar me lojtarët e trafikuar. Në mënyrën më të sinqertë - nuk ka kaluar anëtarësia me Adem Salihajn.

Express: Adem Salihaj përmendi mungesën e rugovizmit si arsye për largimin e tij nga LDD’ja. Si e komentoni ju?
N. Daci: Gjithmonë kam thënë se rugovizmi si nocion, si filozofi politike, është i theksuar në Statutin e LDD’së. Gjithmonë kemi thënë se nuk kërkojmë prej varrezave që t’ua përlyejmë shpirtrat për të kryer punën tonë. LDD’ja e ka në hyrje fotografinë e Rugovës, LDD’ja e ka një mbiemër Rugovë në Kryesi... Rugova më ka nominuar për Kryetar të Prishtinës, atëherë kur s’ka guxuar askush të bëjë zë prej tyre. Unë nuk e di a e ka blerë (Adem Salihaj) atë rugovizëm me diçka apo ka përfituar prej asaj parulle, sepse rrjedhat po tregojnë diçka tjetër. Batutat e Adem Salihajt për rugovizmin janë për të qeshur prej budallallëqeve të tij. Është turp çka ka bërë LDK’ja në zgjedhjet e saj dhe e pengon Ligjin për Presidentin, ju e dini që kanë propozuar që Aeroporti ta ketë emrin e Ibrahim Rugovës, ju e dini që autostrada është propozuar ta ketë emrin e tij dhe asnjëherë, pos interesave të ulëta të fiseve të veta, nuk kanë bërë asgjë.

Express: Ka pasur një qasje përçmuese prej LDK’së ndaj jush, siç është çështja e Letrës. A shihni interferim të kreut të LDK’së në rastet e fundit në LDD?
N. Daci: Nuk them prej LDK’së, sepse nuk është shqyrtuar kurrë ajo letra ime. Kryetari i LDK’së po i bën këto trafikime për shkak të frikës. Është munduar ta trafikojë deputeten nga Ferizaj një muaj a dy më parë. Dhe tani i bën për t’i fshehur të palarat dhe problemet që i ka në qeverisje të Kosovës me taksitë, me pronat e paluajtshme, me krejt këto dhe kjo mundohet t’i qesë hi një vije që është progresiste në LDK dhe nuk dua të përmend emra. Unë asnjëherë nuk kam pasur problem dhe nuk kam as sot me elektoratin e LDK’së, për të cilin kam respekt.

Express: Z. Sejdiu thotë se gjithmonë bën vetëm punë presidenciale dhe se nuk është i angazhuar fare në parti, e lëre më në këto që po i thoni ju!?
N. Daci: Dhe, opinioni i beson shumë. Opinioni i beson aq shumë sa që nëse e bëni ju një sondazh për qeverisjen në Kosovë, do të shihni se më ulët Kosova nuk ka menduar as në kohën e komunizmit, kur ka qenë autonomi, e jo shtet që dy vjet me Kushtetutë, pikërisht për shkak të veprimeve të këtilla. Mohimi i asaj që ti e ke sëmundje, nuk e shëron sëmundjen, përkundrazi vetëm e rrit mosrespektimin ndaj institucionit të Presidentit.

Express: Po vërtetohet se hapi i Presidentit Sejdiu që të mos ju pranojë juve në koalicion, ka qenë i menduar. A keni strategji për t’iu kundërvënë këtyre veprimeve të LDK’së dhe Sejdiut?
N. Daci: Po. Ne do të mundohemi me elektoratin, me simpatizantët dhe popullin e Kosovës që t’ia bëjmë të qartë rrugën e sjelljes antishtetërore dhe antikombëtare të Kryetarit të LDK’së dhe do të mundohemi që prej argumentimit të kalojmë në fazën e ofrimit të alternativës për Kosovën shtet kushtetues dhe shtet për qytetarin e Kosovës, i cili e respekton dhe e do shtetin e vet, e nuk ikën me pasaportë të huaj. Prandaj, nuk do të merremi fare me individë, sepse për çdo gjë që ngjet në LDD, përgjegjësinë duhet ta kem unë, derisa të jem në këtë detyrë. Për çdo gjë që ngjet në LDK, përgjegjësinë e ka Kryetari i LDK’së.

Express: A keni bërë ndonjë analizë ju për partinë tuaj. Çka nuk është duke funksionuar? A është faji te ju apo diku tjetër?
N. Daci: Faji numër një është tek unë. Në dëshirën për të krijuar unitet, gjithmonë, si në Universitet, në Akademi, në Parlament dhe tani në parti, pra për të krijuar unitet veprues, duke i dëgjuar deklaratat publike të atyre që kanë mendje të tjera. Por, ka qenë naivitet i sinqeritetit.

Express: Në Degën e LDD’së në Kamenicë janë paralajmëruar edhe largime të tjera?
N. Daci: Po, do të ngjajnë. I kam informacionet, unë kam qejf të them nëse gruaja juaj ose e imja ose fëmija i juaj ose i imi dëshiron ta lëshojë shtëpinë, i ka bërë planet e veta, është më mirë mos me qenë pengesë. Është një thënie në Ballkan, që përdoret, i thuhet njërit: “Çka do t’i bëni atij që ua ka mashtruar gruan dhe cila është urrejtja juaj më e madhe” dhe tjetri përgjigjet: “Do t’ia fal krejt”. Po ju them, prej 13 apo 17 për qind kemi qenë në balotazh në zgjedhjet e para lokale në Kamenicë kemi rënë në 2-3 për qind për shkak të proceseve të një formacioni që ka qenë i lidhur me punët që i kanë bërë në të kaluarën dhe unë kam dashur që në një mënyrë t’i kalojmë ato. Dhe, unë them që gjithkush që ka mendim për të shkuar diku, është shumë mirë, le t’i realizojë bindjet e veta. Por, anëtarësia dhe qytetarët nuk shkojnë me marrë rrogën e këshilltarit. Duhet të shihet kush po i udhëheq në ato rrugë, në qoftë se shkojnë me vetëdije, rruga e mbarë u qoftë. Për Kamenicën nuk kam qejf të flas asnjë fjalë të keqe, sepse jam nip i asaj komune, edhe ndoshta pikërisht i kam bërë lëshimet për këtë arsye.

Express: A u duhen këta njerëz që dalin nga partia juaj, partive të tjera?
N. Daci: Unë po ju them në mënyrë shumë të sinqertë, naive dhe vëllazërore. Ata njerëz ka filluar t’i kalbë krimbi. Kudo që të shkojnë, ato procese do të vazhdojnë. Ne në mërgatë, në Europë dhe Amerikë, jemi 100-fish më të fuqishëm në këtë koncept. Sot në LDD ka një vullnet shumë të madh që të punojmë për parimet që fola, jo për shtetin që ta fitojë një bandë që është e lidhur në krim të të gjitha llojeve, por për shtetin për të cilin do të krenohet secili qytetar që kur del jashtë Kosovës të thotë unë jam shqiptar, unë jam kosovar.

Express: Institucionet dhe Qeveria gjithmonë kanë raportuar për progres. Si ndodhi që korrupsioni dhe krimi i organizuar u imponuan në agjendë dhe tani është temë kryesore. A e keni pritur një shpërthim të këtillë, ndërhyrjen e EULEX’it?
N. Daci: Jo. Ka pasur thashetheme, por kemi pasur informacione të përditshme, të profesionistëve, të analistëve ekonomikë, që diçka marramendëse po zhvillohet në kuptimin e çmimeve të punëve që po kryhen dhe të kualiteteve në krejt ministritë. Është arritur që të nxirret vendim që të importohet naftë me përqindje më të lartë të sulfurit sesa që e kemi pasur në ligj dhe krejt me këtë rreth naftës dhe trafikimeve të tjera shumë të rrezikshme antishtetërore, është i lidhur krimi politik, është e lidhur kupola e shtetit. Dhe një gjë është shumë e vërtetë, atë që unë e kam kërkuar gjithmonë. Sepse paralajmërimet e para të kriminalizimit të Kosovës kanë filluar më herët dhe kam pasur lajmërime nga strukturat e KFOR’it dhe të vetë NATO’s. Kam qenë kureshtar të kemi informacione të bollshme dhe kemi siguruar, po flas si Kryetar i Parlamentit. E kam thënë një gjë, nuk e kuptoj, nuk e kam të qartë, ishin 35 mijë ushtarë të NATO’s, ne kemi më pak se 11 mijë kilometra katrorë dhe ju thashë se e keni teknologjinë më të sofistikuar në histori, ju e dini çdo zog që hyn dhe del prej Kosovës, si është e mundur që nuk po e dini se kush është ai kriminel, qoftë politik, qoftë ekonomik.

Express: Cila ka qenë përgjigja?
N. Daci: Kanë qeshur. Dhe njëherë kam qenë aq i frustruar prej asaj se para bisedave për statusin patën filluar që të na paraqesin të kriminalizuar se nuk meritojmë shtet. Është e shënuar e kam thënë është e mundur, por atëherë trajnerë të atij krimi dhe korrupsioni është bashkësia ndërkombëtare. Ne jemi ndonjë lojtar i vogël prandaj ndihmona që ta ndërprejmë këtë.

Express: A ka filluar lufta e vërtetë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar?
N. Daci: Kurrë. Unë po ju them kurrë. Interesat janë shumë më të mëdha. Ne mund të themi se korrupsioni është në krejt botën, por kjo nuk është justifikim. Dhe ne është dashur ta luftojmë vet dhe ekspertiza të na ndihmojë. Herët ka filluar njolla për korrupsionin dhe gjithmonë kemi kërkuar që të veprohet. Por drejtësia dhe politika e UNMIK’ut ka qenë me mujt me i njollos dhe me i largu ata që po pengojnë proceset korruptive që zhvillohen.

Express: Cili është komenti juaj për paralajmërimet e liderëve të “Vetëvendosjes” se do të garojnë në zgjedhjet e ardhshme?
N. Daci: Lideri i “Vetëvendosjes” nuk është i përlyer si liderët tjerë. Edhe të tjerëve ua shtrij dorën. nuk ka asnjë lider me të cilin nuk flas dhe nuk komunikoj. Unë mendoj se “Vetëvendosje” është shumë mirë të futet në politikë, të themi normale ligjore publike jo underground. Mendoj se në atë lëvizje ka njerëz shumë të shkolluar, shumë të mençur, por nuk është njësoj të sillesh kur je ne Akademi të Shkencave ose në “Vetëvendosje”, në rrugë ose në Parlament ose në politikë. Sepse unë duhet të jem përgjegjës ndaj asaj që them edhe ndaj juve edhe qytetarit. Prandaj LDD e mirëpret i uron të gjitha sukseset e mundshme. Me Albin Kurtin nuk kam pasur kurrë afërsi, por kam pasur admirim se ka qenë student brilant, e ka egon e vet. Profesionalisht për punën e vet është i mrekullueshëm e ai e di se në cilët procese dhe për çka do ta përdorë atë dije.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›